2008-04-08 19:41:36

Jezusi i ngjallur në dëshminë e fesë të shqiptarëve. Me ne don Marko Njavi.


(08.04.2008 RV)RealAudioMP3 Jezusi i ngjallur ndriçon dëshminë e martirëve të fesë, të cilët vetëm në dukje munden nga dhuna e totalitarizmi. Është pikërisht ajo forcë e dobët në dukje, që e bëri Krishtin të pranojë flijimin në kryq, për shpërblimin e mëkateve të njerëzimit e që na bën të kuptojmë martirizimin e sa e sa vetëve. Kështu tha dje Papa Benedikti XVI, në Liturgjinë e Fjalës të kremtuar në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin Tiberin në Romë. Pse regjimet u shfrynë kundër këtyre njerëzve, shpesh gjeni kulture e dishepuj demokracie, përveçse ndjekës të bindur të Krishtit. Të vlejë për të gjithë shembulli i At Anton Lulit, jezuit shqiptar, i cili pas persekutimit, pas daljes nga burgu, si veprim të parë shkoi t’i thoshte “të kam falur” persekutorit të vet. Si mund të torturosh njerëz të tillë dhe pse? Flet don Marko Njavi (Marco Gnavi), aktualisht sekretar në Komisionin për dialogun dhe ekumenizmin në dioqezën e Romës. Në vitin 2000 ka qenë anëtar i Komisionit për Martirët e Rinj, sëbashku me Didier Rans, autorin e librit “Deshën të vrisnin Zotin”, ku flitet pikërisht për persekutimin e Kishës në Shqipëri:
Edhe unë e kam takuar atë Anton Lulin në Shënkoll, në qelën e vet, pas rënies së regjimit komunist shqiptar. Më bëri shumë përshtypje dëshmia e tij e panjollë. Në burg, kishte shkruar edhe jetën e Jezu Krishtit. Na kanë ardhur shenja nga persekutimi i të krishterëve në Shqipëri. Kujtoj se në Shkodër kremtoheshin fshehtas meshë. Në Bazilikën e Shën Bartolomeut kemi një piksidë (kuti kungimi), që njëri nga martirët u ka dorëzuar miqve, të cilët e kanë ruajtur.
Pse këta njerëz konsideroheshin armiq nga regjimi komunist? Pikë së pari, sepse ishin bij të Kishës katolike universale, që sheh përtej kufijve kombëtarë. Së dyti, ishin tepër njerëzorë, tepër humanë. Ndërsa në Shkodër, në katedralen e kthyer në Pallat Sporti, zhvilloheshin proceset kundër të krishterëve, nga ana tjetër, regjimi ishte i detyruar të ndërtonte një impiant akuzash të gënjeshtërta, sepse emri i mirë i këtyre njerëzve ishte një problem i vërtetë për krejt mekanizmin çnjerëzor të çpërfytyrimit të njeriut, që përdorte komunizmi në këto shfaqje ekstreme të tij. Kjo lloj armiqësie për njerëzit e çarmatosur të dashurisë universale mbijeton, nuk është karakteristikë vetëm e regjimeve. Edhe sot persekutimi godet shumë të krishterë të pambrojtur. Në jetën e tyre shkëlqen drita e Pashkëve e aty ku ka forca të errta, që do të dëshironin ta ndalnin historinë deri në të Premten e Madhe, pa parë Ringjalljen, pikërisht aty këta njerëz konsiderohen armiq e bëhet ç’është e mundur për tua mbyllur gojën e për tua shuar jetën.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.