2008-04-08 19:47:07

Alarm: zvogëlohen ndihmat e donatorëve për zhdukjen e varfërisë në botë


(08.04.2008 RV)Javës që kaloi Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik dha alarmin se vendet donatore nuk po i përmbushin impenjimet e tyre për çrrënjosjen e varfërisë në botë. Në vitin 2007, ndihma për zhvillim shënoi një rënie të dukshme. 22 vendet donatore dhanë 8,4% më pak se viti i mëparshëm. Në këtë mënyrë largohet gjithnjë e më shumë arritja e objektivit të mijëvjeçarit për çrrënjosjen e varfërisë brenda vitit 2015. Të fundit në listën e donatorëve janë Greqia, Japonia, SHBA-të dhe Italia. Të parët e klasës, si gjithnjë, janë Hollanda, Luksemburgu, Norvegjia dhe Zvicra.


Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Konventës Ndërkombëtare, e cila deri në vitin 2007 duhej të kishte zhdukur krejtësisht armët kimike, është eliminuar vetëm një e treta e 70 mijë tonëve, që ekzistojnë në botë. Pikërisht për këtë, në Hagë po zhvillohet një konferencë ndërkombëtare, që ka për qëllim shpejtimin e procesit të eliminimit të këtyre armëve të shkatërrimit në masë.







All the contents on this site are copyrighted ©.