2008-04-07 18:46:06

Papa në Shën Bartolome nderon martirët e shekullit XX dhe shpjegon kuptimin e martirizimit.


(07.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite Benedikti XVI vizitoi Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin romak Tiberin ku, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit, kryesoi kremtimin e Fjalës së Hyjit në kujtim të dëshmitarëve të fesë të shekullit XX, pra edhe të qindra dëshmitarëve, të njohur e të panjohur, të fesë në Shqipëri, shumë nga të cilët derdhën edhe gjakun për Krishtin.
Bazilika e lashtë u zgjodh për këtë kremtim kaq domethënës, që të kujton vijimin e martirizmit të Kishës katolike edhe në kohët moderne, sepse më 1993 Papa Gjon Pali II ia besoi pikërisht Bashkësisë së Shën Egjidit, anëtarët e së cilës mblidhen këtu për t’u lutur, për t’u takuar me të rinjtë, me besimtarët romakë e me shtegtarët.
Që nga viti 1999-2000 Bazilika e Shën Bartolomeut është edhe Seli e Komisionit për martirët e rinj, të cilit Papa Vojtila i ngarkoi detyrën të dokumetojnë dëshmitë e të krishterëve që derdhën gjakun për Ungjillin në kohët moderne. Veprimtaria e Komisionit është pjesë përbërëse e procesit të gjërë për azhurnimin e martiriologëve, të cilin Papa e kujton në Letrën Apostolike ‘Tertio Millenio Adveniente” (Në prag të Mijëvjeçarit të tretë), duke theksuar, ndërmjet tjerash: “Në shekullin tonë u rikthyen martirët, shpesh pa emër, ‘ushtarë të panjohur” të kauzës së madhe të Hyjit. Kisha duhet të bëjë çmos që të mos humbasë asnjë nga dëshmitë e tyre”.
Gjatë homelisë, Benedikti XVI e konsideroi këtë kremtim si shtegtim në përkujtim të martirëve të shekullit XX, mijëra njerëz, të njohur e të panjohur, që në harkun e nëntëqindës, derdhën gjakun për Zotin. Shtegtim i udhëhequr nga Fjala e Hyjit, “Fanar për hapat tonë e dritë në udhën tonë” (cfr Ps 119,105), që ndriçon me shkëlqimin e vet jetën e çdo besimtari.
Në këtë vend, të ngarkuar me kujtime martirësh, Papa bëri një nga pyetjet më të përsëritura gjatë dymijë vjetëve të krishterimit: “Pse martirët nuk u përpoqën me çdo kusht ta shpëtonin jetën, pasuri e pazëvendësueshme? Pse vijuan t’i shërbejnë Kishës, pa marrë parasysh rreziqe e kërcënime?
Në këtë bazilikë, ku ruhen reliket e Shën Bartolomeut Apostull e të Shën Adalbertit – kujtoi Papa - pyetjes sonë i jep një përgjigje të fuqishme e bindëse, dëshmia e të gjithë atyre që, jo vetëm gjatë 1900-tës, por që nga zanafilla e Kishës, flijuan jetën e tyre për Krishtin.
Duke u tërhequr vëmendjen të pranishmëve tek ikona e elterit kryesor të Bazilikës së Shën Bartolomeut, e cila paraqet disa dëshmitarë të fesë, Papa Racinger citoi fjalët simbolike, shkëputur nga Zbulesa e Shën Gjonit Apostull “Janë ata që erdhën nga prova e madhe, që i lanë e i pastruan petkat me gjakun e Qengjit” (Zb. 7, 14). Ata që u ndezën nga e njëjta flakë dashurie, e cila e shtyu Krishtin të derdhë gjakun për ne.
Kjo mund të na duket e çuditshme, por i përgjigjet plotësisht pyetjes, që vijon të bëjë njerëzimi, kur flitet për martirët:
Për virtyt të këtij gjaku, u pastruam. Të ngushëlluar nga kjo flakë, edhe martirët derdhën gjakun e u pastruan në dashuri: në dashurinë e Krishtit, që u dha forcë të flijoheshin, duke kujtuar fjalën e Zotit: “Nuk ka dashuri më të madhe, sesa ajo që të shtyn të japësh jetën për miqtë”.
Dëshmitarët e fesë e jetuan këtë dashuri – vijoi Ati i Shenjtë – e, duke ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor, flijuan jetën për mbretërinë e Hyjit.
Duke u ndaluar pranë gjashtë elterëve, që na kujtojnë të krishterët e rënë nën dhunën totalitare të komunizmit e të nazizmit, të vrarët në Amerikë, në Azi e Oqeani, në Spanjë e në Meksikë, e jo më pak në Afrikë - theksoi Papa – kujtojmë sot edhe një mori ngjarjesh të dhimbshme të shekullit të kaluar”.
Shumë ranë në sa kryenin misionin ungjillëzues të Kishës: gjaku i tyre u bë një me gjakun e të krishterëve vendas, të cilëve u kumtuan fenë e Krishtit. Të tjerë u mbytën për shkak të urrejtjes ndaj fesë. Të tjerë akoma, sepse nuk deshën t’i brakstisnin të varfërit, njerëzit që u qenë besuar. Janë shumë, shumë – pohoi Ati i Shenjtë - e në vijim kujtoi kremtimin ekumenik jubilar të Gjon Palit II për martirët e rinj, më 7 maj 2000 në Kolose, ku pati kujtuar se martirët e kohës sonë përbëjnë afreskun vigan të krishtërimit të shekullit XX, afreskun e Lumnive, të jetuara deri në derdhjen e pikës së fundit të gjakut. E ky gjak – pati theksuar Gjon Pali II – u flet të krishterëve me zë shumë më të fuqishëm se çdo përçarje e së kaluarës.
Eshtë e vërtetë – vijoi Benedikti XVI – se për një çast dhuna, totalitarizmat, persekutimi, mizoria e verbër, duken sikur e mbytin përgjithnjë zërin e dëshmitarëve të fesë të cilët, parë me sy njerëzor, na duken si të mundurit e historisë. Po Jezusi i Ngjallur e ndriçon dëshminë e tyre e na bën ta kuptojmë domethënien e martirizimit”.
Papa e përforcoi këtë mendim, me citimin e famshëm të Tertulianit: “Ne shtohemi, sa herë që ju na mbillni: gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj” (Apol., 50,13; CCL 1, 171). Në mundimin e poshtërimin e atyre që vuajnë për kauzën e Ungjillit, vepron një forcë, të cilën bota nuk e njeh: forca e dashurisë që e përballon dhe e mund vdekjen – tha në përfundim Benedikti XVI dhe, para se të vlerësonte lart veprimtarinë e Bashkësisë së Shën Egjidit, kujtoi se edhe ky shekull u hap me martirizim e se të krishterët përndiqen atëherë, kur janë vërtetë kripë e tokës e dritë e botës, shenjë kundërshtie, ashtu si Mësuesi i tyre Hyjnor.







All the contents on this site are copyrighted ©.