Benedikti XVI në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: feja duhet përforcuar çdo ditë,
jo me fjalë njerëzore, por me fjalën e Hyjit dhe Eukaristinë.
(07.04.2008 RV)“Të rizbulojmë në
Jezusin, shokun e udhës për gjithë jetën tonë, të vetmin që di të ndezë ndër zemra
ngrohtësinë e fesë e të shpresës, e cila nganjëherë shuhet nga fryma e keqe, që nuk
mungon të fryjë mbi jetën njerëzore”. Ky është mësimi i Benediktit XVI, i nxjerrë
nga Ungjilli i dishepujve të Emausit, që shpallej dje në liturgjinë e së Dielës së
tretë të Pashkëve. Për këtë foli Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin
e Shën Pjetrit, duke përshëndetur, në përfundim, pjesëmarrësit e Kongresit të parë
apostolik të Mëshirës Hyjnore. Ngjarjet e rënda të jetës mund ta venë në dyshim
edhe fenë më të fortë. E njeriu, i cili e kalon këtë krizë, provon një ndjenjë tejet
të hidhur, që e shtyn të mendojë se Zoti e ka tradhtuar. E kjo mund të ndodhë dymijë
vjet pas Ngjalljes së Krishtit, ashtu si pak orë pas kësaj ngjarje. Dishepujt e Emausit,
që vihen, të pangushëlluar, për udhë, pasi kanë qenë të pranishëm në vdekjen e Krishtit,
por edhe pasi e kanë marrë lajmin mbi ‘varrin e zbrazët’, që për ta është ende thjeshtë
fjalë goje, , janë dy njerëz të zhgënjyer, që shikojnë në Jezusin e Nazaretit, profetin
e madh të dështuar. “Ne patëm shpresuar’ – i thonë të huajit, që është bashkuar
me ta e që nuk e njohin. E kjo folje në një kohë të kaluar - komentoi Papa, na thotë
gjithçka: “Kush nuk e ka provuar në jetë një çast si ky? Nganjëherë vetë feja
hyn në krizë, për shkak të përvojës negative, që na bën ta ndjejmë veten të braktisur
e të tradhtuar edhe nga vetë Zoti. Udha për Emaus bëhet, atëherë, udhë e pastrimit
e e pjekurisë së besojmës sonë në Hyjin: takimi me Krishtin e Ngjallur na dhuron një
fe më të thellë e më të vërtetë, të kalitur në zjarrin e Pashkëve; një fe të fortë,
sepse nuk ushqehet me ide njerëzore, por me fjalën e Hyjit dhe me Eukaristinë”. Nuk
dihet me siguri ku ishte Emausi – pati vërejtur pak më parë Ati i Shenjtë. Ka disa
hamendje e kjo – shtoi – na bën përshtypje të thellë, nga që na lë të nënkuptojmë
se Emausi përfaqëson realitetin e çdo vendi. Papa e përfundoi reflektimin, duke
vënë në dukje se teksti i Ungjillit të Emausit përmban strukturën e Meshës, me dëgjimin
e Fjalës, që pasohet nga liturgjia eukaristike. E menjëherë pas përfundimit të
lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI u drejtoi këtë përshëndetje pjesëmarrësve
të Kongresit të parë të Mëshirës Hyjnore, që përfundoi dje: “Falënderoj organizatorët,
posaçërisht Vikariatin e Romës, dhe të gjithë pjesëmarrësve u drejtoj një përshëndetje
të përzemërt, që kthehet në porosi: “Shkoni e bëhuni dëshmitarë të mëshirës së Hyjit,
burim shprese për çdo njeri e për mbarë botën. Zoti i Ngjallur qoftë përherë me ju!”.