2008-04-06 14:57:32

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(06.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën tretë të Pashkëve.
U përkujtuan edhe Shën Gala, vejushë romake dhe Shën Pjetri nga Verona, meshtar domenikan e martir.

Nesër, e hënë, Kisha katolike do të përkujtojë Shën Gjonin de la Sale, meshtar, themelues i Vëllezërve të Shkollave të krishtera. Liturgjia na nxit të reflektojmë për fazën e re të nisur nga Kisha me Shën Shtjefnin, diakonin e parë, që zgjodhi rrugën e martirizimit. Kjo fazë tregon se ndryshimet mund të kenë si pasojë keqkuptime, shpifje e deri martirizim, por edhe fryte të begata. Prandaj mund të brohorasim së bashku me Psalmistin: “Lum kush ecën në rrugët e Zotit”.

Turma e kohës së Jezusit, ndonëse pa me sytë e vet shumëzimin e bukëve, vijonte të kërkonte një shenjë. Edhe ne kërkojmë shenja, kur feja jonë ligështohet. Harrojmë se shenjën e kemi për ditë pranë nesh: është Eukaristia! Këtë na kujton, të martën, liturgjia e festës së Shën Dionizit, ipeshkëv i Korintit e martir.

 
Pas kthimit në fenë e krishterë, Pali punon për krishterimin me të njëjtin zell, që pati kur e përndiqte Kishën në fasha, duke ia kumtuar me gjithë zemër lajmin e mirë botës greke e asaj romake. Na kujton kështu se kumtimi është detyrë e çdo besimtari, në çdo çast e në çdo vend, e më shumë me dëshmi, sesa me fjalë. Është ky reflektimi i së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Shën Liborin, ipeshkëv i Le Mans.

E enjtja është dita e festës së Shën Magdalenës së Kanosës, virgjër, themeluse e Bijve dhe Bijave të Bamirësisë. Liturgjia e festës na kujton se Zoti dëshiron të na bëjë të gjithëve kumtues e dëshmitarë të fesë, sepse shëlbimi u përket mbarë popujve.

Të premten do të përkujtohen Shën Stanislau, ipeshkëv i Krakovisë e martir dhe Shën Gjema Galgani, virgjër, teciare pasioniste. Na kujtojnë se në rrjedhën e historisë së zbulesës, Hyji zgjedh edhe bashkëpunëtorë që nuk kanë cilësi të veçanta, duke dëshmuar kështu se misioni është vepra e tij.

Me të shtunën përfundon edhe një javë tjetër nga jeta jonë e ne, duke u përgatitur për të filluar Javën e katërt të Pashkëve, nuk mund të mos i ndjejmë thellë në shpirt fjalët e Psalmit të liturgjisë së ditës: “Të falënderoj, o Zot, sepse më shpëtove”, e të meditojmë për jetën e bashkësisë së parë të krishterë, që kishte Hyjin si masë në çdo ditë të jetës. E shtuna është dita e festës së Shën Julit, papë, shën Zenit, ipeshkëv i Veronës dhe Shën Jozef Moskatit, mjek në Napoli.







All the contents on this site are copyrighted ©.