2008-04-06 14:56:57

Atë Federiko Lombardi reflekton për ‘Shpirtin dhe figurën e Papës Vojtila’.


(06.04.2008 RV)RealAudioMP3 Figura e Papës Gjon Pali II ishte e pranishme në zemrën e besimtarëve katolikë të botës gjatë gjithë javës së kaluar. Të gjithë u bashkuan shpirtërisht rreth elterit të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku Benedikti XVI kremtoi Meshën Shenjte për shpirt të Paraardhësit të tij të dashur, duke kujtuar posaçërisht përmasat e mbinatyrshme të Papës polak. Por, të ndjekim drejtorin e përgjithshëm të Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardin, i cili reflekton pikërisht mbi këtë Figurë madhore, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në të katër anët e botës:

“Shpirti dhe figura. Homelia e thellë e Benediktit XVI në Meshën e përvjetorit të vdekjes së Gjon Palit II, ishte një rast reflektimi edhe për ata që, me telekamera në dorë, e ndoqën shumë vjet me radhë – për Qendrën Televizive të Vatikanit – papninë e tij të jashtëzakonshme. Ne e kishim të qartë se, për të respektuar qëllimin e Protagonistit, përmes figurës duhet të dukej Shpirti. Benedikti XVI thotë: “Mjaftonte ta shikoje kur lutej: bëhej një me Hyjin e dukej se në atë çast, gjithçka tjetër ishte krejt e huaj për të”. Kjo kishte vlerë të përhershme, por ne nuk mund të harrojmë sa e dëshiruar dhe e kërkuar ishte figura e tij kur lutej në heshtje, në sa bota e çorientuar pas 11 shtatorit, kërkonte një pikë ku të mbështetej, kërkonte ngushëllimin e shpresën, që ai ishte gjithnjë i gatshëm t’ia jepte. Atëherë figura e lutjes së tij u bë një shërbim i çmuar për popullin e pafund.
Edhe në meshët e mëdha publike, ai nuk kërkonte turmat, po Shpirtin Shenjt që mund t’i gjallëronte e t’u printe, siç e pati thënë qartë në disa nga kremtimet e tij të paharrueshme, për shembull, në kremtimin e Rrëshajëve, gjatë shtegtimit të tij të parë në Varshavë. Po kjo ndodhte gjithnjë, siç e kujtoi edhe Papa Benedikti XVI. Nuk kërkonte triumfin personal, meditonte për ‘misterin në veprim’.
E në fund, vuajtja. U quajtën historike inkuadrimet televizive të figurës së tij gjatë Udhës së fundme të Kryqit. I kemi parë të gjithë. Ne i regjistruam me emocion të papërshkrueshëm, të shoqëruara nga interpretuesi më besnik i mendimeve të Gjon Palit II: imzot Stanislao. Papa Benedikti XVI thotë se ‘kjo skenë, që flet vetë për dhimbjen njerëzore e për fenë, në këtë të Premte të fundit të Madhe, u tregonte besimtarëve dhe mbarë botës, sekretin e gjithë jetës së krishterë”. Për çfarë duhet të shërbejnë figurat? Për Gjon Palin II, për Papën Benedikti XVI, për ne, që të përshkohemi nga Shpirti!".







All the contents on this site are copyrighted ©.