2008-04-06 15:01:18

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(06.04.2008 RV)RealAudioMP3 6 prill: Anselmi, engjëlli i nxënësve:
“Duart përjasha!”. Gontrani e lut me sy profesorin e gjeometrisë. I fsheh edhe më thellë duart nën bankë, për t’i mbrojtur. Por kjo nuk e prek aspak profesorin, që vijon të përsërisë me zemrim edhe më të madh:
“Duart përjashta!”.
Gontrani e di mirë se po të kundërshtojë gjatë, do të dënohet edhe më ashpërsisht, prandaj bindet. Mësuesi ka rrokur shufrën. Gjithë klasa rrënqethet kur ndjehet goditja e saj mbi duart e Gontranit. Dhimbja është e fortë, po djaloshi është edhe më i fortë se dhimbja. Bën çmos ta mbajë veten. Nuk do ta shikojë njeri duke qarë. E megjithatë, dy lot të mëdhenj i rrokullisen nga sytë e i rrjedhin faqeve.
Profesori rifillon mësimin, si të mos kishte ndodhur gjë prej gjëje. Ky ndëshikim përsëritet tepër shpesh. Mjafton që nxënësit të pëshpërisin njëri me tjetrin, të bëjnë ndonjë gabim në matematikë a ndonjë sherr tjetër të kësaj natyre e … bam! Shufra godet pa mëshirë duart e “fajtorit”.
E ky profesor nuk është i vetmi që përdor shufrën në Francë. Asokohe shumë mësues mendojnë se metoda e dënimit është më e mira për edukimin e fëmijëve. Prej këndej shprehja: “Shkopi ka dalë nga Parajsa e të çon në Parajsë”. Mendohet, pra, se sa më të forta të jenë metodat e edukimit, aq më të mençur do të bëhen nxënësit.
Gontrani e shokët e tij nuk e dinë akoma se një njeri i mirë do t’u vijë së shpejti në ndihmë e do t’i shpëtojë nga këto metoda aspak të këndshme… Quhet Anselm e është murg. Me origjinë është italian, por ka jetuar për një kohë të gjatë në Angli. Kohët e fundit, në vitin 1078, u emërua abat i manastirit të Bek në Normandi, kuvend nga i cili varet edhe shkolla e Gontranit. Anselmi interesohet drejtpërdrejtë për dy shkollat e manastirit: njëra ndiqet nga murgjërit e tjetra, nga nxënësit e jashtëm, si Gontrani.
Abati i Bek bëhet engjëlli i nxënësve. Duke parë ashpërsinë me të cilin trajtohen, e ndalon menjëherë përdorimin e shkopit. Mësuesit i binden, sepse e respektojnë. Nga ana tjetrët, kush mund të guxojë t’i kundërvihet një njeriu kaq të ditur? Dalë-nga-dalë Anselmi bëhet i famshëm për argumentet e tij të shkëlqyera mbi ekzistencën e Zotit. Mësuesit nuk mund ta akuzojnë se bashkëpunon me ‘gomarët”, sepse e dinë mirë që ai është armik i përtacisë. Nuk e ndalon shkopin për të fituar simpatinë e nxënësve, por sepse është njeri tepër i ëmbël e, sidomos, sepse mendon se në shkollë mund të përdoren metoda të tjera mësimore, shumë më të mira.Pas vdekjes së tij, më 1109, Anselmi shpallet shenjt nga Kisha katolike. Duke e lartuar në nderimet e elterit, Papa pati parasysh kryesisht veprën e tij të jashtëzakonshme teologjike. Por nxënësit e Bek, kur morën vesh se Anselmi ishte shpallur shenjt, kujtuan kryesisht luftën e tij kundër përdorimit të shkopit!







All the contents on this site are copyrighted ©.