2008-04-04 19:11:39

Në plenaren e Këshillit Papnor për Familjen: relativizmi etik zbeh figurën e gjyshërve, tepër e rëndësishme për transmetimin e vlerave nga breznia në brezni.


(04.04.2008 RV)Dita e dytë e punimeve të asamblesë së 18-të plenare të Këshillit Papnor për Familjen, me temë “Gjyshërit, dëshmia dhe prania e tyre në familje”, që vijon në Vatikan. Sesioni i paradites së sotme filloi me Meshën e kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, dhe vijoi me disa diskutime, ndërmjet të cilave kujtojmë atë të kardinalit Karlo Kafarra, kryeipeshkëv i Bolonjës, dhe të kryeipeshkvit Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor të baritorisë së emigrantëve, që reflektoi për figurën e gjyshërve në familjet e mërgimtarëve.
“Në se familja është dhuratë e madhe për njerëzimin, gjyshërit janë dhuratë e madhe për familjen”. Kardinali Bertone u shpreh kështu për të moshuarit e për peshën e tyre në familje. Peshë e rëndë, e pasur me një përvojë të jashtëzakonshme jete e, në rastin e gjyshërve të krishterë, edhe me vlera të mëdha feje. Por - nënvizoi Hirësia e Tij – këto cilësi të shkëlqyera, gjithnjë më shpesh shikohen me indiferencë nga bijtë e nipat, posaçërisht në shoqëritë perëndimore. Vetëm me praninë e vet – kujtoi gjatë homelisë kardinali Bertone – njeriu i moshuar u kujton të gjithëve, e posaçërisht të rinjve, se jeta është shembëlltyrë, e se për ta jetuar plotësisht, duhet të mbështetesh mbi vlera të sigurta e të thella, në sa ndjehet fuqimisht prirja për të rendur pas të ashtuquajturave vlera të cekta e kalimtare. E kjo çon në shpërbërjen e familjeve, e jo vetëm të familjeve të reja, por edhe të atyre që kanë një përvojë të gjatë bashkëjetese, duke shkatuar dramën e ndarjes, pikërisht atëherë kur bashkëshortët kanë më shumë nevojë se kurrë për njeri-tjetrin.
Në epokën tonë – reflektoi më pas kardinali Kafarra – humbja e vlerave vërehet edhe në fushën seksuale, sepse relativizmi e vë kristianizmin në të njëjtin plan me propozimet e tjera fetare, duke e akuzuar se nuk thotë të vërtetën për lumturinë e njeriut e duke arritur deri atje, sa ta konsiderojë moralin e krishterë si të rremë ose si diçka që mund të pranohet sipas shijeve të njerëzve. Prej këndej, kardinali Kafarra theksoi si detyrë kryesore të Kishës “rindërtimin e një antropologjie të vërtetë, si bazë e arsyeshme për doktrinën martesore”.Duke u mbështetur mbi përvojën e tij në fushën e emigracionit, kardinali Marketo u ndal tek ndikimi pozitiv që ushtrojnë gjyshërit në familjet e emigrantëve, ku nderimi për pleqtë vijon të shikohet si një nga vlerat më të rëndësishme. E kjo, sepse emigrantët e moshuar janë burim i vlerave të sjella nga trojet e të parëve, të cilat ua transmetojë nipërve, në përkim të plotë me vlerat e vendit ku jetojnë.
Problemi i të moshuarve është një nga më të mprehtët edhe në trojet shqiptare, të tronditura thellë nga mërgimi, nga largimi i forcave më të shëndosha të shoqërisë. Djepa e vatra të zbrazta; flokë të bardhë e krahë të pafuqishëm për punë; vetmi e humbje shpresash: këtë vijon të lërë pas mërgimi i shqiptarëve, në sa nuk mund të flitet fare për rikthimin e mërgimtarëve në atdhe e kushtet për bashkimin e familjeve në dhe të huaj, aspak të lehta, krijojnë probleme mbi probleme. Gjaku shqiptar vijon të shprishet! Kush është marrë deri tani me këto probleme kaq dramatike? Si do të zgjidhen? Ç’u premton ardhmëria pleqve që kanë mbetur pa bijtë, e bijve që kanë mbetur pa prindër? Pyetje që deri tani nuk kanë gjetur kurrfarë përgjigjeje e që peshojnë rëndë mbi të sotmen e të ardhmen e të gjitha trojeve ku flitet gjuha shqipe.







All the contents on this site are copyrighted ©.