2008-04-03 18:21:28

Ditë historike: Shqipëria në NATO


(03.04.2008 RV)Shqipëria në NATO. Sot, një nga ëndërrat e integrimit të shqiptarëve u realizua. Shqipëria, sëbashku me Kroacinë u ftuan zyrtarisht të bëhen anëtare të Paktit të Atlantikut. E zhgënjyer Maqedonia, integrimi i së cilës u shty, për shkak të kundërshtimit grek. Ndërmjet Shkupit dhe Athinës ka mosmarrëveshje për çështjen e emrit. Deri në çastin e fundit, vendet anëtare u përpoqën të gjenin një konsensus apo ndonjë formulë për të ftuar edhe Maqedoninë, si për shembull një integrim me kusht që brenda një kohe të caktuar të zgjidhej çështja e emrit, por Athina ishte e vendosur të përdorte veton kundër Shkupit. Si përgjigje, ministri i jashtëm maqedonas u largua nga mbledhja, në ditën e saj të dytë, në Bukuresht të Rumanisë.
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi falenderoi NATO-n për besimin dhe u shpreh i gatshëm që të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësimi në organizatë. E këto përgjegjësi nuk vonuan të numëroheshin nga presidenti amerikan Bush, si për Tiranën, ashtu edhe për Zagrebin. “Këto dy vende do të jenë të afta të përballojnë reformat” – u shpreh me besim ai. Nesër, Bush pritet në festën e Zagrebit për integrimin në NATO.
Po sot paradite, u miratua edhe plani amerikan i mbrojtjes me raketa në qendër të Evropës, pavarësisht nga kontradiktat me Rusinë. Por nuk u arrit marrëveshja për afrimin e vendeve të orbitës sovjetike, si Ukraina dhe Gjeorgjia në NATO, ashtu siç do të kishte dëshiruar presidenti Bush. Vendet e 26-shes gjithsesi akorduan trupat ushtarake shtesë të kërkuara nga Uashingtoni për në Afganistan.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm Jap De Hop Shefer dha lajmin se mbledhja e jashtëzakonshme e vitit 2009 për 60 – vjetorin e NATO-s do të mbahet ndërmjet Strasburgut dhe Kehlit, në kufirin ndërmjet Francës dhe Gjermanisë. Këto qytete kanë vlerë simbolike, sepse shënojnë kufirin e dalë nga dy luftra botërore, në të cilat Franca e Gjermania kanë luftuar si armiq. “Ura e Paqes” mbi lumin Ren, që lidh dy qytetet, do të shërbejë si pikë referimi për të theksuar rolin e organizatave si NATO, që kanë ndihmuar në kapërcimin e kontradiktave në Evropë.
Shqipëria që sot nuk do ketë me 'statusin' e partnerit në NATO, por atë të një anëtareje të saj.
26 vendet anëtarë të NATO-s, zyrtarizuan sot në 3 prill, aspiratën e Shqipërisë për integrimin në NATO. Një vendim i shumëpritur për qeverinë dhe shqiptarët, që sipas politikanëve shqiptarë, do t'i japë fund tranzicionit të gjatë në Shqipëri.
"Një vendim historik për Shqipërinë", u shpreh Kryeministri Sali Berisha, pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, zyrtarizoi ftesën e Shqipërisë. Kryeministri Berisha cilësoi ndër të tjera se përmes këtij vendimi u hap rruga e sigurisë për lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve që meritojnë kaq shumë.
"Vendimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për të ftuar Shqipërinë, është vlerësim dhe afirmim i përpjekjeve dhe arritjeve të shqiptarëve në shndërrimin e Shqipërisë nga vendi i monizmit total, izolimit më të thellë, hiperkolektivizmit të plotë, lirive dhe të drejtave të ndaluara, në vendin e pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor, ekonomisë së lirë të tregut, një vend që këto 15 vite ka vendosur një bashkëpunim luajal të gjithanshëm me Aleancën e Atlantikut të Veriut", tha Kryeministri i Shqipërisë në samitin e Bukureshtit.
Ndërsa Presidenti Bamir Topi vlerësoi se ftesa për në NATO lidhet me reformat e rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri, reformat në sistemin e drejtësisë, në sistemin zgjedhor, në sistemin e sigurisë, në Forcat e Armatosura, në modernizimin e institucioneve, etj, të cilat janë kontribut i të gjitha forcave politike, pozitës dhe opozitës, i të gjitha qeverive të mbas vitit 1992, por sidomos i vetë popullit shqiptar.
"Sot populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit. Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthehen në virtyte edhe në vendin, ku jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës", tha sot Presidenti Topi në fjalën e mbajtur në samitin e Bukureshti, pas marrjes së ftesës së shumëpritur në Samitin e Bukureshtit.
Rruga e Shqipërisë në NATO

Nga ATSH-ja.
SHQIPËRIA NË NATORruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO filloi në vitin 1992, vetëm pak kohë pas vendosjes së pluralizimit në vendin tonë. Atëherë Shqipëria u bashkua me Këshillin e Bashkëpunimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i quajtur në vitin 1997 Këshilli i Partneritetit Euroatlantik. Shqipëria ishte vendi i parë ish-komunist i Europës Lindore që kërkoi anëtarësimin në NATO dhe ndër vendet e para që në vitin 1994 nënshkroi Programin e Partneritetit për Paqen të NATO-s (PfP).
NATO-ja, ashtu si dhe Bashkimi Europian, pas permbysjes se diktaturave komuniste ne vendet e Europës Lindore, u ndeshën me kërkesën e këtyre të fundit për t'u anëtarësuar sa më shpejt në strukturat e tyre politike, ushtarake dhe ekonomike.
Por edhe NATO-ja veproi në të njëjtën mënyrë si Bashkimi Europian. Ajo as nuk ua mbylli derën atyre, as e hapi atë fare, por ndoqi një politike pritjeje, studimi dhe parapërgatitore. Për këtë qëllim ajo krijoi edhe një program specifik për vendet e reja kandidate, i ashtuquajturi programi i partneritetit për paqe.
Në 25 korrik të vitit 96, ish- ministri shqiptar i Mbrojtjes, Safet Zhulali, deklaroi se Shqipëria synonte të modernizonte mbrojtjen e saj dhe të intensifikonte marrëdhëniet me NATO-n dhe fqinjët e saj gjatë katër viteve të ardhshme. Ish- ministri Zhulali theksoi atëherë se Shqipëria kishte përmbushur kriterin politik për anëtarësimin në NATO dhe po bënte përpjekje për arritjen e standardeve teknike të kërkuara.
Angazhimi paqësor i ushtrisë konsistonte në bashkëpunimin politik dhe ushtarak aktiv me Aleancën e Atlantikut dhe me vendet e NATO-s dhe për një bashkëpunim rajonal aktiv për forcimin e paqes, sigurimit dhe stabilitetit.
Ky angazhim vazhdoi dhe nga ministrat dhe qeveritë pasardhëse. Në tetor të vitit 1998 qeveria shqiptare vendosi të vinte në dispozicion të NATO-s hapësirat e saj ajrore dhe detare për kryerjen e veprimtarise së tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Vendimi i atëhershëm u mor pas shqyrtimit të propozimit të ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, për të lehtësuar operacionet ushtarake të NATO-s nëpërmjet detit dhe ajrit, në rast se kjo e fundit do të vendoste të ndërhynte për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në zbatim të Rezolutës nr. 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
"Shqipëria është një vend besnik ndaj NATO-s. Ajo zë një vend strategjik në Ballkan dhe për shumë arsye NATO e ka ndihmuar atë vazhdimisht në drejtim të reformimit të Forcave të Armatosura dhe të përmirësimit të strukturave te tyre", u shpreh zv/sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Sergio Balanzino, gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë në 1 dhjetor të vitit 2000.
Deklarata të tilla ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve të përpjekeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Liderët të NATO-s si ish-sekretarët e përgjithshëm të NATO-s Javier Solana, Xhorxh Robertson, kanë shprehur gatishmërinë e Aleances për të forcuar më tej marrëdheniet me Shqipërinë, marrëdhënie që kishin një qëllim, atë të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, që u zyrtarizua sot nga sekretari aktual i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer.
Përgatiti Klodi Shehu
/s.s./








All the contents on this site are copyrighted ©.