2008-04-02 18:19:54

Mollë sherri mbërritja e ndihmave ruse për serbët e Kosovës


(02.04.2008 RV)Ka mbërritur sot në Beograd avioni i parë rus me ndihma për serbët e Kosovës, ndihma që shkojnë deri në 1,7 milion dollarë. Qeveria e Prishtinës ka kërkuar që zhvendosja e mallrave brenda Kosovës të kontrollohet nga autoritetet e jo nga UNMIK-u, i cili është i vendosur në kufirin verior të vendit. Në dy pikat kufitare, që nuk kontrollohen nga qeveria e re e Kosovës, dhe që sigurojnë kalimin nga Serbia në pjesën veriore të banuar nga serbë, sipas Prishtinës, UNMIK-u dhe KFOR-i nuk kanë mandat për të kontrolluar mallrat, ndërsa sipas Moskës, i takon pikërisht organizmave ndërkombëtare që të sigurojnë arritjen e ndihmave në Mitrovicë e gjetiu, ku banojnë serbë.
Ndërsa grinden për ndihmat, shqiptarët dhe serbët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kontrabandën e karburantit. Policia kosovare zbuloi dhe arrestoi një bandë “ndëretnike” kontrabandierësh, të cilët në gjashtë muaj, kishin gjetur dhe shitur rreth njëmijë ton benzinë të ardhur nga Serbia. Kjo lloj kontrabande bëhet edhe për mallra të tjera, si ilaçe, veshje e bagëti.







All the contents on this site are copyrighted ©.