2008-04-02 18:19:44

Bush në mbledhjen e NATO-s: tri vende të tjera ballkanike në Aleancë


(02.04.2008 RV)RealAudioMP3 Filloi sot në Bukuresht të Rumanisë, mbledhja e shumëpritur e NATO-s, ndoshta një nga samitet më të rëndësishme të historisë së organizatës. Nesër, pritet që të ftohen në Paktin e Atlantikut, 1, 2 ose 3 vende, siç tha në mënyrë të papërcaktuar zëdhënësi, James Apathuari. Ai u shpreh me nota pozitive për përparimet e bëra nga Kroacia dhe Shqipëria, por vuri theksin mbi mosmarrëveshjet për çështjen e emrit të Maqedonisë, ndërmjet Athinës dhe Shkupit. Sipas zëdhënësit, NATO-ja do të presë që të dyja vendet të gjejnë konsensusin për këtë problem. Greqia ka qenë kategorike dhe ka kërcënuar se do të përdorë veton, nëse formulohet ndonjë ftesë për hyrjen e Maqedonisë në Aleancë.
Por, para samitit, presidenti amerikan Bush, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin rumun Basesku, u shpreh në favor të integrimit të tre shteteve ballkanike, madje theksoi se edhe Ukraina e Gjeorgjia duhet të bëjnë tashmë hapat e para drejt NATO-s. Nga ana tjetër, Bush zbuti tonin e përdorur deri tani ndaj Moskës, duke deklaruar se Rusia dhe SHBA-të duhet të bashkëpunojnë kundër terrorizmit e se Lufta e Ftohtë ka përfunduar. Sipas presidentit amerikan, Moska dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë edhe për mbrojtjen me raketa, që deri tani ka qenë mollë sherri në marrëdhëniet me presidentin rus Putin. Bush ka kërkuar gjithashtu që NATO-ja të dërgojë më tepër ushtarë në Afganistan, sepse nuk mund t’ia lejojë vetes të mundet nga talebanët. Të dëgjojmë mendimin e prof. Alesandro Kolombos, docent i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universtitetin Shtetëror të Milanos:
Në fillim të misionit, SHBA-të vendosën të ndërhynin vetëm e madje, ta përjashtonin NATO-n nga sulmi i vitit 2001. Më pas, SHBA-të i kërkuan NATO-s të përmbushë detyra gjithnjë e më të mëdha, sa më shumë që operacioni shkonte drejt falimentimit. Prandaj, përfshirja e NATO-s është problematike edhe nga pikpamja politike, por s’ka dyshim se do apo s’do, Aleanca rrezikon mbijetesën e vet në Afganistan.
Temë tjetër e debatit është zgjerimi i NATO-s në ish-republikat sovjetike, në Gjeorgji dhe Ukrainë. Ç’domethënie ka sot zgjerimi i Aleancës Atlantike drejt Kaukazit?
Do të thotë sidomos një goditje e fortë, e mëtejshme për marrëdhëniet me Fedratën Ruse. Nuk është e rastit që pjesa më e madhe e vendeve evropiane kanë dyshime përsa i përket ftesës zyrtare të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, në format që kjo ftesë është bërë për vendet e tjera më parë.
Po për mbrojtjen me raketa, cili është roli i NATO-s në marrëdhëniet SHBA-Rusi për këtë problem?
Në thelb, NATO-ja nuk mund të mos marrë pjesë në këtë nismë. Nga ana tjetër, si NATO-ja ashtu edhe SHBA-të po bëjnë gjithçka për të përfshirë Federatën ruse. Është një lojë e vjetër, që vazhdon prej disa vitesh: nga njëra anë, NATO-ja dhe SHBA-të – që e udhëheqin – marrin një sërë vendimesh, të cilat dihet se do të përjetohen nga Federata Ruse si potencialisht agresive. E, nga ana tjetër, përpiqen ta sigurojnë Rusinë me një seri masash institucionale. Duhet parë sa mund të vazhdojë kjo lojë.
Nga ky samit do të dalë një NATO e ndryshuar?
Do të dalë një NATO e ndryshuar me një rezervë të vogël: kjo është mbledhja e fundit e Administratës Bush. Në të vërtetë, e ardhmja e NATO-s do të varet mbi të gjitha nga presidenti i ri i SHBA-ve.







All the contents on this site are copyrighted ©.