2008-04-01 18:33:00

Raporti i Fides mbi krizën e familjes në Evropë: pakësohen lindjet, shtohen abortet e pleqtë.


(01.04.2008 RV)RealAudioMP3 Rritja e ngadalshme e popullsisë evropiane, pakësimi i numrit të lindjeve, shkatërrimi i martesave, plakja, shpenzimet sociale dhe numri i aborteve. Këto janë disa nga kapitujt e dosjes “Mbi krizën e familjes në Evropë”, publikuar nga Agjensia Fides, organ i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, lidhur me një raport, realizuar nga Rrjeti Evropian i Institutit të politikës familjare për periudhën 1980- 2005. Posaçërisht alarmante, të dhënat për numrin e aborteve.
Kujtojmë se çdo 25 sekonda në Evropë bëhet një abort, ndërsa çdo ditë mbyllen së paku tri shkolla, për shkak të mungesës së fëmijëve. Në krye të listës është Spanja me një rritje prej 75%, pasuar nga Belgjika e Holanda. Aborti – ilegal vetëm në tri vende – sipas Fides - është shkaku kryesor i vdekshmërisë në Evropë; shkaqe të tjera janë sëmundjet, aksidentet rrugore, vdekjet nga përdorimi i tepruar i alkoolit e i drogës. Për këtë atentat kundër jetës, gjithnjë në rritje edhe në Shqipërinë, që dëshiron aq shumë të pranohet në gjirin e Bashkimit Evropian, të dëgjojmë Karlo Kazinin, kryetar i Lëvizjes për Jetën:
“Ka inkoherencë në një Evropë e cila, nga njëra anë, nuk pranon vende të reja, në se nuk i respektojnë të ashtuquajturat ‘të drejta të njeriut’ e nga ana tjetër, e konsideron abortin si të drejtë themelore të njeriut, duke vijuar të besojë se e vetmja mënyrë për ta kufizuar këtë genocid, është përhapja sa më masive e mjeteve që parandalojnë shtatzaninë. Të çuditë, prandaj, fakti se pikërisht kombet si Franca e Anglia, ku këto mjete janë më të përhapura, kanë një numër shumë të madh abortesh, gjithnjë në rritje. Evropa jeton epokën e materializmit praktik, po nuk mund të mos theksojmë se jeta që nuk i kushtohet përtëritjes së vetvetes, që nuk është e aftë të riprodhohet, nuk ka kurrfarë vlere”.
Duhet kujtuar se në vendet evropiane, paralelisht me pakësimin e fëmijëve e shtimin e numrit të aborteve, shtohet edhe numri i të moshuarve, që ka arritur në 18 milionë vetë. Kontienti i vjetër e meriton vërtetë këtë emër, në sa jeton një dimër të acartë demografik, me stuhi shoqërore, që lënë pas një numër gjithnjë më të madh njerëzish të varfër e familjesh të shkatërruara . Statistikat flasin për më se një milion divorce, që lidhen sa me mendësinë e aventurës, aq edhe me humbjen e besimit për një ardhmëri më të mirë, që krijon kushtet e nevojshme për lidhje të qëndrueshme martesore si dhe për lindjen, rritjen e sidomos, edukimin e fëmijëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.