Të guximshëm në shpalljen e Ungjillit dhe të duruar me të rinjtë. Veçoritë e salezianëve,
që vuri në dukje Ati i Shenjtë në audiencë me ta.
(31.03.2008 RV)Papa Benedikti XVI
priti sot në audiencë anëtarët e Kapitullit të përgjithshëm të Salezianëve. Të jeni
të guximshëm në shpalljen e Ungjillit dhe të keni durim në punën me të rinjtë. Këto
janë veçoritë e shërbimit të salezianëve, që vuri në dukje Ati i Shenjtë për ndjekësit
e shën Gjon Boskut. Të rinjtë e shohin botën që ndryshon me shpejtësi, duke shtruar
para të rriturve probleme etike, kulturore, ambientale të rëndësishme, që tregojnë
se ata vetë kanë vlera të shëndosha. Salezianët duhet të jenë në gjendje t’i kuptojnë
aspiratat e tyre e të gjejnë përgjigje, që i kanë rrënjët në mesazhin e Jezusit e
në thirrjen e veçantë të Shoqërisë së don Boskut: “Don Bosku deshi që vazhdimësia
e karizmës së tij në Kishë të sigurohej nga jeta e shuguruar. Edhe sot lëvizja saleziane
mund të rritet në besnikërinë ndaj thirrjes së saj vetëm nëse në qendër të bashkësisë
vazhdon të mbetet një bërthamë e fortë jetësore personash të shuguruar. Prandaj, për
të forcuar identitetin e krejt Kongregatës, impenjimi juaj i parë duhet të jetë forcimi
i thirrjes së çdo saleziani për të jetuar plotësisht besnikërinë e thirrjes së tij
për jetën e shuguruar”. Është e nevojshme, sipas Papës, që të gjithë rregulltarët
të marrin një formim të nivelit të lartë, para se të merren më pas me edukimin e brezit
të ri. Për t’i bërë ballë shekullarizimit të kulturës, që nuk kursen as personat e
shuguruar, theksoi Benedikti XVI, duhet një pjesëmarrje e përhershme në Eukaristinë
e përditshme e komunitare, në lectio divina, në jetën e thjeshtë, të varfër e të rregullt
të bashkësisë: “Prej këtej lind vërtetësia shpirtërore e përkushtimit apostolik
dhe e bashkësisë kishtare. Besnikëria ndaj Ungjillit, i jetuar fjalë për fjalë, dhe
ndaj Rregullës suaj, në veçanti jeta rigoroze dhe varfëria ungjillore, e praktikuar
në mënyrë koherente, dashuria besnike ndaj Kishës dhe dhurimi bujar i vetvetes për
të rinjtë, sidomos për më nevojtarët, do të jenë garancia e lulëzimit të Kongregatës
suaj”. Ky model apostolik i salezianëve mund t’i përgjigjet asaj “emergjence
të madhe edukative”, që Benedikti XVI vë në dukje edhe në Letrën dërguar Dioqezës
së Romës mbi këtë temë. “Të edukosh nuk është e thjeshtë – përsëriti Ati i Shenjtë
– e sot duket se bëhet gjithnjë e më e vështirë: prandaj jo pak prindër e mësues ndjejnë
tundimin për të hequr dorë nga detyra e tyre, e nuk arrijnë as ta kuptojnë se cili
është në të vërtetë, misioni që u është besuar atyre”. Fatkeqësisht, shpjegoi Papa,
arësyeja qëndron në mungesën e shpresës: “Pikërisht prej këndej lind ndoshta
vështirësia më e madhe për të kryer një vepër të vërtetë edukative: në bazë të krizës
së edukimit qëndron në fakt kriza e besimit ndaj jetës, që në fund të fundit, nuk
është tjetër veçse mosbesim në atë Zot që na ka thirrur në jetë. Në edukimin e të
rinjve, është jashtëzakonisht e rëndësishme që familja të jetë subjekt aktiv. Ajo
është shpesh në vështirësi në përballimin e sfidave të edukimit; shpesh nuk është
në gjendje të japë mbështetjen e saj specifike, ose mungon krejtësisht. Impenjimi
në favor të të rinjve, karkateristik për thirrjen e Don Boskut, duhet të përkthehet
në impenjimin e njëjtë për përfshirjen dhe formimin e familjeve”.