Papa kthehet në Vatikan pas Lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Kastel Gandolfo
(30.03.2008 RV)Sot, në ditën e së Dielës së Bardhë, Papa Benedikti XVI e tha
Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, që zëvendëson Lutjen e Engjëllit të Tenzot në pritje
të Rrëshajve, në rezidencën e Kastel Gandolfos. Në orën 18.30, Ati i Shenjtë u largua
me helikopter prej saj për t’u kthyer definitivisht në Vatikan, duke përfunduar kështu
pushimin e Pashkëve.
Po sot, Kishës katolike iu shtua një e Lume e re. Është
motër Çelestina e Nënës së Zotit (në shekull Maria Ana Donati), themeluese e Kongregatës
së Bijave të Varfëra të Shën Jozef Kalasancit. Kremtimi i Meshës së Lumnimit u bë
në katedralen e Firences në Itali, nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve,
kardinali Hosè Saraiva Martins. Kardinali ishte përfaqësuesi i Atit të Shenjtë në
këtë solemnitet.
Sot është e diela kushtuar Mëshirës Hyjnore. Në Kishën e
Shpirtit të Shenjtë në Sasia, në Romë, kardinali – sekretar i shtetit të Vatikanit,
Tarçizio Bertone kremtoi një meshë me këtë rast. Pikërisht në këtë kishë ndodhet
një qendër përshpirtërie e Mëshirës Hyjnore, që mundohet të përhapë kultin e Jezusit
të mëshirshëm, duke u frymëzuar nga karizma e shenjtes Faustina Kovalska, Apostulle
e Mëshirës Hyjnore. Në përfundim të liturgjisë, besimtarët morën pjesë në procesionin
drejt Sheshit të Shën Pjetrit, për të thënë sëbashku me Papën, Lutjen e Mbretëreshës
Qiellore. Festa e Mëshirës Hyjnore u caktua nga Papa Gjon Pali II me rastin e kanonizimit
të Shën Faustinës, më 30 prill 2000.
E pikërisht duke pasur parasysh figurën
e shën Faustinës dhe atë të Gjon Palit II, në Poloni po zhvillohet që nga 27 marsi
e do të përfundojë nesër një shtegtim i organizuar nga Shoqata “Të mbrojmë jetën me
shën Marinë”. Sot, ky aktivitet arriti kulmin me Kremtimin solemn Eukaristik për Jetën,
në Shenjtoren e Mëshirës Hyjnore të Krakovisë, kryesuar nga kardinali – kryeipeshkëv
i vendit, imzot Stanislao Xhivish.