2008-03-29 18:37:33

Atë Federiko Lombardi reflekton për ‘Plagët e lumnueshme” të Krishtit.


(30.03.2008 RV)RealAudioMP3 Pas reflektimit të së shtunës së kaluar, kushtuar Udhës së Kryqit të imzot Paulos Faraj Rahho, kryeipeshkëv i Mosulit të Kaldejve, martirizuar në Irak, sot Drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, reflekton për ‘Plagët e lumnueshme të Krishtit’, duke i bërë jehonë Mesazhit ‘Urbi et Orbi’ të Benediktit XVI, drejtuar një javë më parë, në ditën e solemnitetit të Pashkëve, ‘Romës e Botës. Ta dëgjojmë Atë Lombardin:

“Në Mesazhin e tij të Pashkëve, Benedikti XVI na fton ‘t’ia ngulim sytë e shpirtit plagëve të lumnueshme të korpit të shndërruar të Krishit të Ngjallur’, sepse ‘kështu mund të kuptojmë vlerën e vuajtjes e mund të lehtësojmë shumë plagë, që vijojnë të gjakosin njerëzimin edhe në ditët tona’. Pas ditëve të Mundimeve, Pashkët nuk na ftojnë t’i harrojmë, por t’i mbartim mbi jetën tonë të shndërruar, të udhëhequr nga dashuria e shpresa.
Papa ndalohet për të prekur ‘plagët e njerëzimit, të hapura, plot dhimbje, në çdo skaj të planetit, ndonëse shpesh injorohen ose fshihen me dashje; plagë që coptojnë zemrat e trupat e shumë vëllezërve e motrave tona’. Kujton se marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, grupeve e popujve, shkatërrohen nga egoizmi, nga padrejtësia, nga urrejtja e dhuna, se dinjiteti i njeriut vijon të poshtërohet e të nëpërkëmbet’.
Të dish se i Ngjalluri është me ne e të shikosh plagët e Tij të lavdishme, do të thotë – na kujton Papa – se duhet të impenjohemi faktikisht për drejtësinë, duke përhapur rreth vetes shenja të ndritura shprese, duke shumëfishuar dëshmitë e butësisë e të faljes e duke ecur në rrugën e solidaritetit e të paqes.
Jezusi i ngjallur i dërgon nxënësit e Tij në të katër anët e botës si dëshmitarë të shpresës së tij, e i siguron: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (cfr. Mt 28,20). Të Hënën e Pashkëve, Papa kujtoi misionarët martirë të rënë vitin e kaluar, ndërsa në ditët e ardhshme do të vizitojë në Ishullin Tiberin përmendoren e martirëve të krishterë të shekullit të kaluar. Njerëz që i mbajtën gjithë jetën sytë të ngulur në plagët e lavdishme të Krishtit e që na shoqërojnë në shtigjet e historisë, të vështira - por të ndriçuara nga shpresa”.







All the contents on this site are copyrighted ©.