2008-03-28 20:11:15

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.28 mars: Silvestri, Papa i parë francez


RealAudioMP3 28 mars: Silvestri, Papa i parë francez
I ulur mbi bar, Zherberti i Orijakut kundron qiellin e qindisur me yje e ëndërron… Ëndërron të bëhet dijetar i shquar e i respektuar nga të gjithë. E nuk janë ëndrra boshe... Interesimi i madh për studimin e talenti për punë shkencore i premtojnë shumë. Ai hedh, kështu, hapat e para drejt një karriere të ndritur. Në abacinë e Shën Zherrò, ku përgatitet për t’u bërë murg, ky djalosh fshatar ua kalon të gjithëve, kur bëhet fjalë për të përkthyer ndonjë tekst të vështirë nga gjuha latine. Ka etje të pashuar për dije. Nuk ngopet kurrë me librat. Ditën i lexon, natën i ëndërron. Por jeta do t’i hapë një rrugë, të cilën nuk e kishte parë as në ëndrat më të guximshme. Një ditë prej ditësh qetësia murgare e djaloshit studioz Zherbert tronditet deri në themel. Në manastir kalon ca ditë një dukë spanjoll i cili, i mahnitur nga mendjemprehtësia e djaloshit, vendos ta marrë me vete. Në Spanjë, Zherbertit, tashmë murg, i krijohen kushtet për të realizuar një pjesë të mirë të ëndrrave të tij: të studiojë, të studiojë e të studiojë, pa menduar për asgjë tjetër. Studion me zell të madh matematikën e zhytet, me entuziazmin e shkencëtarit e etjen e kërkuesit, në astronomi. Të gjithë e duan në oborret e tyre, të gjithë përpiqen ta kenë për vete. Njëri-pas–tjetrit: perandorë, papë, princa, ipeshkvij, i ofrojnë vende të zgjedhura. Ndërsa murgu Zherbert vijon të studiojë e të japë mësim. E nuk është vetëm njeri i etur për dije, por edhe i krishterë e flaktë. Nis të shquhet edhe në fushën e politikës, pa i fshehur fare ambiciet, të cilat nganjëherë bëhen aq të shfrenuara, sa ta shtyjnë t’i kundërvihet edhe papës e t’ia thotë troç atë që mendon.
Por rrugët e Zotit janë të pashqyrtueshme… Sapo emërohet ipeshkëv i Ravenës, Zherberti bëhet tjetër njeri. Rikthehet në qëndrimet që kishte mbajtur në të kaluarën, në përkim të plotë me ato të Selisë së Shenjtë. Tani e mbron Papën me të njëjtin zell, që kishte pasur pak vjet më parë, kur e sulmonte. Në vitin 999 Papa Gregori V vdes duke ia lënë vendin pasardhësit, Silvestrit II. Po kush është ky papë që do t’i prijë Kishës për të kapërcyer pragun e vitit njëmijë? E kush tjetër, veç Zherbertit të Orijakut? Ëndrrimtari i madh s’e ka parë këtë as në ëndrrat më të guximshme: ulet në fronin e Shën Pjetrit.
Silvestri II vdes në vitin 1003. Gjatë papnisë së tij ia del mbanesh t’ia rikthejë Selisë së Shenjtë autoritetin, besueshmërinë e shkëlqimin. Në vitet e fundit të jetës, Papa-astronom i lë mënjanë studimet që i adhuronte, për t’iu kushtuar plotësisht Kishës dhe përhapjes së fesë në skajet më të largëta të tokës.
Mbetet në kujtesën e njerëzimit si shkencëtar i madh, që përhapi në mbarë Evropën arritjet arabe në shkencat e aritmetikës e të astronomisë por, sidomos, si Papa i parë francez. Të vështira qenë vitet e fundit të jetës së tij, të ngarkuar me punë, djersë e fryte. Iu desh të largohej nga Roma ku, për shkak të ngatërresave politike të epokës, u kthye pa lavdinë që meritonte e ku pushon në paqe në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.







All the contents on this site are copyrighted ©.