2008-03-28 17:54:13

25 viktima në Gërdec. Prapa tij, skandali më i madh i tregtisë së armëve në Shqipëri


(28.03.2008 RV)Arrin në 25 numri i viktimave të Gërdecit, pasi sot në qendrën e shpërthimit u gjet një trup tjetër pa jetë. Ndërkaq, shtypi shqiptar dhe politika vlon nga akuzat e kundërakuzat për përgjegjësitë që kanë të bëjnë me çështjen. Jo më larg se dje, asaj i kushtoi një rëndësi të veçantë gazeta e njohur amerikane “Nju Jork Tajms”, e cila e akuzon shtetin shqiptar se ka mashtruar Pentagonin. Problemi i Gërdecit mund të kthehet edhe në një problem ndërmjet dy shteteve, pasi Pentagoni me kontratën e bërë për firmën amerikane të përfshirë në këtë biznes, kërkonte fishekë operativë për Afganistanin e jo fishekë të ndryshkur e të papërdorshëm, siç ishin ato në depot shqiptare. Gjithashtu, municioni nuk duhej të vinte nga Kina, e nuk dihet pse pronari 22 vjeçar i firmës amerikane, Efraim Diveroli ka paraqitur dokumenta që provojnë se fishekët vinin nga Hungaria. Politika shqiptare duket se akoma nuk e ka vullnetin për të sqaruar çështjen deri në fund, pasi denoncimet e vazhdueshme në shtyp nuk gjejnë shpjegime. Kjo tregon vetëm se loja prapa perdeve ka qenë tepër e rrezikshme dhe vazhdon të jetë akoma. E nuk mjafton arrestimi dhe konfiskimi i pasurive të “peshkut të vogël”, Delijorgji, pronar i firmës shqiptare që merrej me çmontimin e municionit në Gërdec.
Nga ana tjetër, pas akuzës, gjithnjë të shtypit se banorët e Gërdecit kanë marrë ushqime të skaduara si ndihmë, policia kontrolloi sot furnizimet dhe sekuestroi të gjitha konservat e skaduara. Edhe këtu merita nuk i takon politikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.