2008-03-27 17:53:07

Ambasadorja amerikane pranë Selisë së Shenjtë, Mari En Glendon në mikrofonin tonë. Selia e Shenjtë dhe SHBA-të sëbashku në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kundër instrumentalizimit politik të fesë


RealAudioMP3 Për vite me radhë presidente e Akademisë Papnore të Shkencave shoqërore, ku e pat caktuar Gjon Pali II më 1994, që nga 5 nëntori i vitit 2007 Meri En Glendon është ambasadorja e re amerikane pranë Selisë së Shenjtë. Ajo paraqiti letrat kredenciale para Papës Benedikti XVI më 28 shkurt të këtij viti. Me origjinë nga Pitsfilld në Masaçusets, ku ka lindur 69 vjet më parë, Meri En Glendon pret me padurim vizitën apostolike të Papës në SHBA-të, e cila do të kryhet nga 15 deri më 21 prill. E pyetëm se ç’ndikim ka përvoja e saj e mëparshme në Vatikan mbi detyrën aktuale të ambasadores:
Pjesën më të madhe të punës që kam kryer për Selinë e Shenjtë, gjatë këtyre viteve të fundit, e kam kryer në funksion akademik: aftësitë e mia për punën kërkimore janë përqëndruar në fusha me rëndësi qendrore për interesat e përbashkëta të SHBA-ve dhe Selisë së Shenjtë, në veçanti në fushën e të drejtave të njeriut. Prandaj, për mua, ndryshimi thelbësor qëndron në kalimin nga një punë kryesisht akademike në një rol më publik e politik.
Në ç’pikë janë përgatitjet për udhëtimin apostolik të Papës Benedikti XVI në SHBA?
Përgatitja e vizitës është, në pjesën më të madhe, në duart e Selisë së Shenjtë – nga kjo anë e Oqeanit – ndërsa nga ana tjetër, është në duart e Konferencës ipeshkvnore amerikane. Për sa di unë, përgatitjet janë drejt fundit dhe vizita pritet me padurim nga të dyja palët.
Në nivelin politik, Benedikti XVI do të takohet me presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë. A mund të na thoni diçka rreth këtij takimi?
Lajmi i dhënë nga Shtëpia e Bardhë është shumë interesant: është shumë i shkurtër, por fjalët e përdorura janë domethënëse. Në të thuhet se Papa dhe presidenti “do të vazhdojnë dialogun që kanë filluar përsa i përket rolit të fesë dhe të arësyes, në funksion të qëllimeve të përbashkëta që duan të arrijnë”. Mendoj se është e rëndësishme, sepse fjala “do të vazhdojnë” i referohet faktit se, mesa duket, herën e fundit që janë takuar kanë filluar një marrëdhënie personale. Pas atij takimi, të dy patën pohuar se u pat pëlqyer biseda dhe shoqëria e njëri-tjetrit, prandaj, mendoj se kanë një bazë nga ku të vazhdojnë. Interesant është edhe fakti se lajmi përmend temën e “fesë e arësyes”, që është pikë qendrore në këtë papni. Përveç kësaj – aty ku lajmi vazhdon duke përmendur qëllime të përbashkëta – nënvizon interesat e përbashkëta në promovimin e tolerancës dhe të mirëkuptimit ndërmjet kulturave e feve, flet për promovimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe në zonat e tjera në konflikt, flet për mbështetjen e të drejtave të njeriut, sidomos të lirisë fetare.
Sapo kemi përkujtuar 5-vjetorin e ndërhyrjes në Irak, të udhëhequr nga SHBA-të. Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen mbi vuajtjet e të krishterëve dhe të bashkësive të tjera fetare minoritare në vend. Muajin e kaluar u vra kryeipeshkvi i Mosulit, imzot Paul Farazh Rahho, e ky qe vetëm i fundit i një sërë sulmesh kundër bashkësisë së krishterë në vend. Çfarë po bëjnë SHBA-të për të mbrojtur pakicat fetare në Irak?
Siç e dini, si presidenti i SHBA-ve, ashtu edhe Ati i Shenjtë bënë deklarata pas vrasjes së kryeipeshkvit: deklarata që shkojnë fortësisht në të njëjtin drejtim, sepse dënojnë dhunën, dënojnë terrorizmin dhe, në veçanti, dënojnë përdorimin e fesë si pretekst për të kryer akte terroriste. Natyrisht, si për Selinë e Shenjtë, ashtu edhe për SHBA-të, vuajtja e të krishterëve dhe e pakicave të tjera në Irak janë shqetësim kryesor. Sëbashku janë të impenjuara të bëjnë të pamundurën, por situata është shumë e vështirë, sepse ekzistojnë elemente në shoqëri, të vendosur për ta çuar kot këtë impenjim të përbashkët të SHBA-ve dhe të Selisë së Shenjtë. Tani, pasi fillimisht nuk ishin dakord, ekziston impenjimi i përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të qëndrueshme, në të cilën personat të jenë të mbrojtur, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Mendoj se po bëhen disa përparime, por gjendja mbetet shumë e vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.