2008-03-27 17:54:20

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


27 mars: Shtjefni i Hungarisë kurorëzohet mbret me bekimin e Papës.
Delegatët, në një radhë të gjatë, presin të takohen me Papën. Njëri pas tjetrit hyjnë e dalin nga dhoma ku i pret Silvestri II. Tani e ka radhën abati Astrik, që paraqitet para Papës në emër të Shtjefnit, princit të Hungarisë. Vjen të kërkojë bekimin për mbretin e ardhshëm. Jemi në vitin njëmijë e Shtjefni, që zë vendin e të jatit në fronin hungarez, dëshiron të lyhet me vajin shenjt në ditën e kurorëzimit, për ta lëshuar kështu mbretërinë e tij në dorë të Zotit.
Kërkesa që murgu Astrik bën për princin e vet, nuk është thjeshtë dëshirë, as formalitet. Shtjefni e ka njohur Hyjin dhe është pagëzuar: beson me gjithë zemër, prandaj dëshiron që mbretëria e tij të kremtojë lumninë e Hyjit e vendi i tij të bëhet katolik. Bekimin e kurorëzimit e shikon si gurin e themelit e si hapin e parë për realizmin e planeve të tij.
Papa ka dëgjuar prej kohe të flitet për djaloshin Shtjefën e për fenë e tij të flaktë. E pranon me kënaqësi kërkesën e Astrikut dhe i dorëzon një kurorë ari, stolisur me gurë të çmuar, shoqëruar me kryqin apostolik dhe me bekimin papnor, duke e njohur kështu botërisht si mbret të krishterë. Silvestri II nuk do të pendohej kurrë për këtë titull tejet të lartë nderi: Shtjefni do të ishte një nga mbretërit më të mëdhenj katolikë.
Shtjefni i Hungarisë i qëndron gjithë jetën besnik Hyjit, që i dha kurorën. Kur zgjidh probleme të ndërlikuara politike, falënderon menjëherë Zotin e, kur i peshon rëndë mbi supe barra e detyrave të mbretërisë, ia beson veten Virgjërës Mari. Mendon se të jesh mbret, është dhuratë e Hyjit. Prandaj duhet të veprojë me bindjen se e ndjek kudo e në çdo veprim vetë syri i Zotit. Po Shtjefni nuk është vetëm mbret i madh, është shumë më tepër: ai njihet si themelues i Kishës në Hungari. Papa i beson detyrën ta organizojë Kishën në vendin e vet e Shtjefni e kryen këtë detyrë me zell të madh: e ndan vendin në ipeshkvni, ndërton abaci, kisha, shkolla, katedrale. Krijon strehë të posaçme për pritjen e shtegtarëve. Për nder të Zojës së ngjitur në qiell, ndaj së cilës ka devocion të posaçëm, e shpall 15 gushtin ‘Ditë të Zojës së Bekuar’. Gjithë jetën e tij, Shën Shtjefni e sundon Hungarinë duke ecur pa dredhuar për asnjë çast, në rrugën e ndritur të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.