2008-03-25 16:12:58

Benedikti XVI do të kremtojë më 2 prill në Shën Pjetër Meshën në tre vjetorin e Gjon Palit II. Në mikrofonin tonë kardinali Saraiva Martins.


(25.03.2008 RV)RealAudioMP3 Më 2 prill 2008 mbushen tri vjet nga vdekja e Shërbëtorit të Zotit, Papës Gjon Pali II. Pikërisht në 10.30 të asaj dite, Papa Benedikti XVI do të kryesojë një Meshë të përshpirtshme në kujtim të tij në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Janë të shumtë ata që duan ta shohin sa më shpjet Gjon Palin II në mes të aradheve të shenjtërve, të njohur nga Kisha. Më 28 prill 2005, as një muaj pas vdekjes dhe pa pritur pesë vjetët e detyrueshme për praktikat e zakonshme në këto raste, Papa Racinger dha lejen për fillimin e Çështjes së lumnimit e të shenjtërimit të Vojtilës. Në prill 2007, dy vjet pas vdekjes, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, kardinali Kamilo Ruini e deklaroi të mbyllur fazën e parë dioqezane të procesit të Lumnimit, duke dorëzuar krejt dokumentat në dikasterin kompetent vatikanas. Pikërisht, prefektit të këtij dikasteri, të Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, kardinalit Hosè Saraiva Martins i kërkuam të na shpjegojë se në ç’fazë është pjesa e dytë e procesit. Ta dëgjojmë…
Të gjithë ne e kujtojmë ditën e funeralit të Papës Vojtila, kujtojmë thirrjen “Shenjt menjëherë!”. Ajo britmë, ajo thirrje në sheshin e Shën Pjetrit shprehte më së miri mendimin e njerëzve: ajo thoshte se Gjon Pali II me të vërtetë gëzonte një famë shenjtërie ndërmjet besimtarëve e, kjo e dimë mirë se është themelore në një proces Lumnimi. Nëse nuk do të ekzistonte kjo famë shenjtërie, nuk do të mund as të fillohej një Çështje lumnimi. Përsa i përket gjendjes aktuale të procesit të Lumnimit të Gjon Palit II, çdo proces ka dy faza themelore: një dioqezane, lokale, dhe tjetra që ne e quajmë “romake”, në nivelin e Selisë së Shenjtë.
Hirësi, në ç’pikë është faza e dytë, pra faza romake e procesit të Lumnimit?
Sapo morëm dokumentacionin përkatës, ne emëruam një postulator për fazën romake, i cili është po ai i fazës dioqezane. Kemi emëruar edhe një relator, i cili do të udhëheqë postulatorin për të hartuar të ashtuquajturën “positio”, pra grumbullimin e të gjitha dokumentave të organizuara në mënyrë sistematike dhe të rregullt. Kjo “positio” shtypet dhe më pas studiohet nga organet e ndryshme kolegjiale të dikasterit. Në këtë moment, jemi në nivelin e hartimit të “positio”-s nga postulatori i Çështjes së Lumnimit të Gjon Palit II, pra në nivelin e hartimit të atij vëllimi apo vëllimeve, nuk e di sa do të jenë, që pastaj do t’i dorëzohen dikasterit. Pra, koha nuk varet nga dikasteri, por nga koha që i duhet postulatorit për të përfunduar punën. Nuk e di sa muaj, ndoshta një vit… nuk e di as unë e ndoshta as ai vetë. Ajo që mund të garantoj unë është se sapo të kemi marrë në dorë “positio”-n do ta studiojmë menjëherë pa humbur kohë, pasi sigurisht dikasteri dëshiron që Gjon Pali II të arrijë sa më shpejt në nderimet e elterit, që të mund të quhet “i Lum” e kështu t’i përgjigjemi thirrjes në sheshin e Shën Pjetrit: “Shenjt menjëherë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.