2008-03-24 18:20:59

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.Çlirimi i Jeruzalemit: lotët pas fitores


25 mars: Çlirimi i Jeruzalemit: lotët pas fitores:
Tibaldi, shqytari i Dukës Gofredi i Bulionit, qan me dëshpërim. Memzi i ka mbajtur lotët gjithë ditën. Është munduar ta frenojë veten, duke përsëritur pambarimisht: “Tibald, je duke u bërë kalorës. Tibald, është turp për ty të qash, si ndonjë çupkë e llastuar”.
Po këtë mbrëmje të vitit 1099, duke ndjekur me sy diellin që perëndon mbi kullat e bardha të Jeruzalemit, nuk mund të përmbahet më. Lëshohet plotësisht në krahët e dhimbjes.
Zotëria i tij, Gofredi, është njeri i ashpër. E duhet thënë se kjo është e natyrshme. Kryeson një kryqëzatë, prandaj nuk mund të mos jetë autoritar. Por kur shikon Tibaldin, zbutet fare: megjithëse është i veshur si luftëtar, shqytari i tij është gati fëmijë.
“Tibald, pse je kaq i trishtuar?”.
“Zotëri, kur u nisëm nga Italia, isha tepër i kënaqur se po shkoja të çliroja Jeruzalemin, qytetin në të cilin vdiq Jezusi. Nuk është e drejtë të mbetet në duart e turqëve, që e urrejnë Zotin tonë. Por, pse gjithë këto masakra, për të hyrë në qytet? Jam i sigurtë se Krishti nuk është aspak i kënaqur, kur sheh gjithë këtë gjak!”.
Gofredi vë njërën dorë mbi shpatën e Tibaldit: “Të pafajshmit janë zëri i së vërtetës”, mendon me vete. Edhe Gofredi është neveritur nga kjo luftë e egër.
“Tibald, duhet pranuar se, për fat të keq, të dhjetëmijë ushtarët e ushtrisë sonë, nuk janë të gjithë shenjtorë. Mbi uniformat e tyre kanë një kryq të kuq, simbol i kalorësve të krishterë, por pavarësisht nga simboli i shenjtë, disa prej tyre sillen si kusarë. Si në kampin tonë, ashtu edhe në atë të armikut, ka njerëz të drejtë e njerëz barbarë!”
“Zotëri, banorët e qytetit kanë vdekur të gjithë?”.
“Qetësohu, Tibald, kanë vdekur shumë më pak, sesa mendon ti. Shumë prej tyre ia dolën mbanesh të iknin nga plasat që kemi hapur në muret e qytetit. Të tjerë janë pengje, por do t’ua kthejmë menjëherë familjeve të tyre, me një farë shpërblimi”.
“Zotëri, tani që jeni bërë mbreti i Jeruzalemit, ç’mendoni të bëni me qytetin?”.
“Në Bibël Hyji i premton Jeruzalemit lumninë. I thotë: “Popujt do të ecin në dritën tënde!” Dëshiroj që nën sundimin tim, Jeruzalemi të ndrisë si dritë që i tërheq mbarë popujt. Turqit donin ta shkimbnin këtë dritë, kupton? Kur qyteti qe në duart e tyre, askush nuk ishte i sigurtë. Shtegtarët që arrinin nga Evropa, vinin në rrezik kokën kur luteshin mbi varrin e Krishtit. Tani mund të vijnë në masë. Jeruzalemi do të ndrisë më shumë se kurrë. A s’ishte kjo ëndrra jote, kur le pas Francën? “Po, zotëri”- përgjigjet djaloshi e sytë i shkëlqejnë. Por jo nga lotët!







All the contents on this site are copyrighted ©.