2008-03-23 17:14:13

Në mesazhin festiv ‘Urbi et Orbi’, ‘Romës e Botës’, Papa uron që misteri i Pashkëve të manifestohet në të katër anët, sidomos në trojet e martirizuara të botës.


Jezu Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë”: “Ai është shpresa jonë, që ndryshoi rrjedhën e historisë, duke i dhënë kuptim e vlerë të re jetës së njeriut”. Përballë detit me ombrella ngjyra–ngjyra, të mijëra besimtarëve, mbledhur për të ndjekur mesazhin e Pashkëve, pa pyetur fare për shiun e rrëmbyer dimëror, që nuk pushoi për asnjë çast gjatë gjithë kremtimit, Papa e kumtoi me këto fjalë ‘ngjarjen e mahnitshme të ngjalljes së Krishtit” në mesazhin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’, shqiptuar pas Meshës Shenjte, të cilën e kryesoi në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit.
Benedikti XVI uroi edhe që misteri i Pashkëve të manifestohet në shpirtin e secilit nga ne e, posaçërisht, në trojet e martirizuara të Darfurit, të Somalisë, të Libanit, të Tokës Shenjte e të Tibetit.
Χριστός ανέστη
Krishti i kryqëzuar u ngjall – janë fjalët e para të mesazhit të Papës që, duke iu drejtuar Romës e Botës, përsëriti lajmin e gëzuar:
“Resurrexi, et adhuc tecum sum” –
“U ngjalla, e jam gjithnjë me ty”. Në këto fjalë, në sa lind dielli i Pashkëve, Kisha njeh vetë zërin e Jezusit që, duke u ngjallur nga vdekja, i drejtohet Atit plot lumturi e dashuri, e brohoret: “Ati im, ja ku jam! U ngjalla, jam përsëri me Ty e do të jem përgjithmonë:
“Në natën e pagjumë të Pashkëve, errësira bëhet dritë, nata ia lëshon rrugën ditës që nuk njeh perëndim. Vdekja e ngjallja e Fjalës së Hyjit të mishëruar, është ngjarja e një dashurie të paarritshme, është fitorja e Dashurisë që na çliroi nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Ia ndryshoi faqen historisë, duke i dhënë jetës së njeriut kuptim e vlerë të re”.
Fjalët “Jam ende e gjithnjë me ty” – shtoi Papa - na ftojnë të kundrojmë Krishtin e ngjallur, duke e dëgjuar zërin e tij në zemrën tonë. Këto fjalë kanë të bëjnë me secilin nga ne, bij të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë të Krishtit. Në se marrim me të vërtetë pjesë në mundimet e Tij, edhe do të lumnohemi bashkë me Të” (cfr. Rm. 8,17).
“Në sajë të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit, edhe ne sot ringjallemi për një jetë të re e, duke bashkuar zërin me zërin e tij, shpallim se duam të rrimë përgjithmonë me Hyjin, Atin tonë pambarimisht të mirë e të mëshirshëm”.
Solemniteti i sotëm – nënvizoi Benedikti XVI – na fton të ecim në gjurmët e Qengjit të flijuar për shpëtimin tonë, të përpiqemi për t’i ngjarë Shpërblyesit zemërbutë e të përvujtë, që u ngjall për shpirtrat tonë, të kthehemi në rrugën e Dashurisë; duke refuzuar urrejtjen dhe egozimin. Ngjarja mahnitëse e ngjalljes së Krishtit – shkruhet në Mesazhin papnor të Pashkëve - është thelbësisht ngjarje dashurie; dashuri e Atit, që dhuron Birin për shëlbimin e botës; dashuri e Birit, që e lëshon plotësisht veten në duart e Atit për të gjithë ne; dashuri e Shpirtit Shenjt që e ngjall Jezusin nga të vdekurit në korpin e tij të shndërruar. E akoma, dashuri e Atit që e rrok rishtas Birin duke e pritur në lumninë e tij; dashuri e Birit i cili, me forcën e Shpirtit Shenjt kthehet te Ati me korpin njerëzor të shndërruar. Nga solemniteti i sotëm, që na bën të jetojmë përvojën absolute e të pashembullt të ngjalljes së Jezusit, buron një thirrje, që na fton të bëhemi dëshmitarë të shpresës së Krishtit:
“Vëllezër e motra të krishterë nga të katër anët e botës, burra e gra, që kërkoni me shpirt të sinqertë të vërtetën! Uroj që askush të mos ia mbyllë zemrën gjithëpushtetit të kësaj dashurie që ringjall! Jezu Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë: Ai është shpresa jonë. Shpresë e vërtetë për çdo njeri”.
Benedikti XVI na fton t’ia hapim me besim të sinqertë zemrën Krishtit të ngjallur, që forca përtëritëse e misterit të Pashkëve të shfaqet në secilin prej nesh, në familjet tona, në qytetet tona e në kombet tona. Të shfaqet në të katër anët e botës, posaçërisht në disa vise afrikane, si Darfuri e Somalia, në Lindjen e Mesme të martirizuar e posaçërisht në Tokën Shenjte, në Irak, në Liban e në Tibet. Duke ia ngulur sytë e shpirtit plagëve të lumnueshme të korpit të Tij të shndërruar – vërejti Papa - mund të kuptojmë vlerën e vuajtjes e mund të lehtësojmë shumë vuajtje, shpesh të injoruara ose të fshehura me dashje, që vijojnë të gjakosin njerëzimin edhe në ditët tona:
“Sa herë marrëdhëniet ndërmjet njeriut me njeriun, ndërmjet grupit me grupin, ndërmjet popullit me popullin, në vend që të ngrihen mbi dashurinë, ngrihen mbi egoizmin, mbi padrejtësinë, mbi urrejtjen e dhunën! Janë plagët e njerëzimit, të hapura, plot dhimbje, në çdo skaj të planetit, ndonëse shpesh injorohen ose fshihen me dashje; plagë që coptojnë zemrat e trupat e shumë vëllezërve e motrave tona”.
Plagët e njerëzimit – tha në përfundim Papa - presin të lehtësohen e të shërohen përmes plagëve të lumnueshme të Zotit të ngjallur dhe të solidaritetit të atyre që, duke ecur në gjurmët e emrit të Tij, kryejnë gjeste dashurie, impenjohen faktikisht për drejtësinë dhe përhapin rreth vetes shenja të ndritura shprese.








All the contents on this site are copyrighted ©.