2008-03-23 17:14:25

Mesazhi i Pashkëve i Benediktit ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’ (tekst i plotë)


“Resurrexi, et adhuc tecum sum. Alleluia! U ngjalla, e jam gjithnjë me ty. Aleluja! Të dashur vëllezër e motra, Jezusi i kryqëzuar u ngjall, përsëritet sot ky lajm i gëzuar: është kumtimi i Pashkëve. E presim me shpirt të mahnitur e mirënjohje.
“Resurrexi, et adhuc tecum sum. Alleluia! U ngjalla, e jam gjithnjë me ty. Aleluja! Këto fjalë të shkëputura nga një variant i lashtë i Psalmit 138 (v. 18b) kumbojnë në fillim të Meshës së sotme. Ndër to, në sa lind dielli i Pashkëve, Kisha njeh vetë zërin e Jezusit që, duke u ngjallur nga vdekja, i drejtohet Atit plot lumturi e dashuri, e brohoret: “Ati im, ja ku jam! U ngjalla, jam përsëri me Ty e do të jem përgjithmonë: shpirti yt nuk më braktisi kurrë”. Mund t’i kuptojmë në një mënyrë të re edhe shprehjet e tjera të Psalmit: “Po u ngjita në qiell, aty të gjej,/ndër angrra të dheut po u dorgja, qe se aty të kam!/ Krahët e agimit po mora,/ për të zënë vend ku skajin ka deti,/ edhe atje më përcjell dora jote,/ e e djathta jote më shtrëngon për veti./ Po të thoja: “Terrinat së paku kanë për të më mbuluar/ e nata në vend të dritës ka për të më rrethuar/ deri terrinat vetë pranë tejet janë dritë,/ e nata për ty si drita vezullon”. (Ps. 138, 8.12).
Është e vërtetë: në natën e pagjumë të Pashkëve, errësira bëhet dritë, nata ia lëshon rrugën ditës që nuk njeh perëndim. Vdekja e ngjallja e Fjalës së Hyjit të mishëruar, është ngjarja e një dashurie të paarritshme, është fitorja e Dashurisë që na çliroi nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Ia ndryshoi faqen historisë, duke i dhënë jetës së njeriut kuptim e vlerë të re.
“U ngjalla, e jam gjithnjë me ty”. Këto fjalë na ftojnë të kundrojmë Krishtin e ngjallur, duke e dëgjuar zërin e tij në zemrën tonë. Me flijimin e tij shëlbues, Jezusi i Nazaretit na bëri bij në shpirt të Zotit, kështu që tani mund hyjmë edhe ne në dialogun misterioz ndërmjet Tij e Atit. Kujtojmë sesi një ditë Ai u tha atyre që po e dëgjonin: “Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin, përveç Atit; e askush s’mund ta njohë Atin, përveç Birit e përveç atij të cilit Biri do t’ia zbulojë” (Mt. 11,27). Duke e parë me këtë sy, vërejmë se pohimi që i bën sot Jezusi i ngjallur Atit: “Jam ende e gjithmonë me Ty” – ka të bëjë edhe me secilin nga ne, “bij të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, në se marrim me të vërtetë pjesë në mundimet e Tij, që edhe të lumnohemi bashkë me Të” (cfr. Rm. 8,17). Në sajë të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit, edhe ne sot ringjallemi për një jetë të re e, duke bashkuar zërin me zërin e tij, shpallim se duam të rrimë përgjithmonë me Hyjin, Atin tonë pambarimisht të mirë e të mëshirshëm.
Hyjmë kështu në thellësinë e misterit të Pashkëve. Ngjarja mahnitëse e ngjalljes së Krishtit është thelbësisht ngjarje dashurie; dashuri e Atit, që dhuron Birin për shëlbimin e botës; dashuri e Birit, që e lëshon plotësisht veten në duart e Atit për të gjithë ne; dashuri e Shpirtit Shenjt që e ngjall Jezusin nga të vdekurit në korpin e tij të shndërruar. E akoma, dashuri e Atit që e rrok rishtas Birin duke e pritur në lumninë e tij; dashuri e Birit i cili, me forcën e Shpirtit Shenjt kthehet te Ati me korpin njerëzor të shndërruar. Nga solemniteti i sotëm, që na bën të jetojmë përvojën absolute e të pashembullt të ngjalljes së Jezusit, buron një thirrje, që na fton të kthehemi në rrugën e Dashurisë; na vjen ftesa, që të mos e pranojmë urrejtjen dhe egozimin e të ecim në gjurmët e Qengjit të flijuar për shpëtimin tonë, për t’i ngjarë Shpërblyesit “zemërbutë e të përvujtë”, që ‘u ngjall për shpirtrat tonë”.

Vëllezër e motra të krishterë nga të katër anët e botës, burra e gra, që kërkoni me shpirt të sinqertë të vërtetën! Uroj që askush të mos ia mbyllë zemrën gjithëpushtetit të kësaj dashurie që ringjall! Jezu Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë: Ai është shpresa jonë. Shpresë e vërtetë për çdo njeri. Sot, ashtu siç bëri me dishepujt e tij në Galile, para se të kthehej tek Ati, Jezusi i ngjallur na dërgon edhe ne në të katër anët e botës si dëshmitarë të shpresës së tij, e na siguron: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (cfr. Mt 28,20)
Duke ia ngulur sytë e shpirtit plagëve të lumnueshme të korpit të tij të shndërruar, mund të kuptojmë vlerën e vuajtjes, mund të lehtësojmë shumë vuajtje, që vijojnë të gjakosin njerëzimin edhe në ditët tona. Në plagët e tij të lumnueshme shikojmë shenjat e pashlyeshme të mëshirës së pafundme të Hyjit, për të cilin flet profeti: Është Ai që shëron zemërplasurit, që mbron të ligshtit, që u shpall lirinë skllevërve, që ngushëllon të gjithë ata që qajnë, që u jep vajin e gëzimit, në vend të petkut të zisë, këngën e lavdit, në vend të zemrës së trishtuar. (cfr Is 61,1.2.3). Në se i afrohemi Atij me besim të përvujtë, në shikimin e tij do të gjejmë përgjigjen për dëshirat më të thella të zemrës sonë: dëshirën për të njohur Hyjin e për të krijuar me Të një lidhje jetike, që e mbush me dashurinë e tij jetën tonë e lidhjet tona ndërpersonale e shoqërore. Prandaj njerëzimi ka nevojë për Krishtin: në Të, që është shpresa jonë, kemi qenë shëlbuar. (cfr Rm. 8,24).
Sa herë marrëdhëniet ndërmjet një njeriu me njeriun tjetër, ndërmjet një grupi me grupin tjetër, ndërmjet një populli me popullin tjetër, në vend që të ngrihen mbi bazën e dashurisë, ngrihen mbi egoizmin, mbi padrejtësinë, mbi urrejtjen e dhunën! Janë plagët e njerëzimit, të hapura, plot dhimbje, në çdo skaj të planetit, ndonëse shpesh injorohen ose fshihen me dashje; plagë që coptojnë zemrat e trupat e shumë vëllezërve e motrave tona. Ata presin të lehtësohen e të shërohen përmes plagëve të lumnueshme të Zotit të ngjallur (cfr 1 Pt 2, 24-25) e solidaritetit të atyre që, duke ecur në gjurmët e emrit të Tij, kryejnë gjeste dashurie, impenjohen faktikisht për drejtësinë dhe përhapin rreth vetes shenja të ndritura shprese në vendet e gjakosura nga konfliktet e kudo që dinjiteti i njeriut vijon të poshtërohet e të nëpërkëmbet. Uroj që pikërisht atje të shumfishohen dëshmitë e butësisë e të faljes!Të dashur vëllezër e motra, ta lemë veten të na ndriçojë drita e shkëlqyer e kësaj Dite solemne; t’ia hapim me besim të sinqertë zemrën Krishtit të ngjallur, që forca përtëritëse e Misterit të Pashkëve të shfaqet në secilin prej nesh, në familjet tona, në qytetet tona e në Kombet tona. Të shfaqet në të katër anët e botës. Si të mos mendojmë në këtë çast, posaçërisht për disa vise afrikane, si Darfuri e Somalia, për Lindjen e Mesme të martirizuar e posaçërisht për Tokën Shenjte, për Irakun, Libanin e së fundi, për Tibetin, zona për të cilat inkurajoj të kërkohen rrugëzgjidhje, që mbrojnë të mirën e paqen! Të kërkojmë plotninë e dhuratave të Pashkëve me ndërmjetësimin e Marisë e cila, pasi mori pjesë në vuajtjet, mundimet e në kryqëzimin e Birit të saj të pafajshëmn, provoi edhe gëzimin e papërshkrueshëm të ngjalljes së Tij. Uroj që Ajo, e bashkuar me lumninë e Krishtit, të na mbrojë e të na prijë në rrugën e solidaritetit vëllazëror e të paqes. Këto janë urimet e mia të Pashkëve, të cilat jua drejtoj juve që jeni të pranishëm si dhe burrave e grave të çdo kombi e kontinenti, që na ndjekin përmes radios e televizonit. Për shumë vjet Pashkët!







All the contents on this site are copyrighted ©.