2008-03-22 14:51:58

Ritet e simbolet e Natës së Shenjtë të Pashkëve


(22.03.2008 RV)Triditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është, ndër të gjitha, më e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes. Është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur.
E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit.
Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”.
Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës.
Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën. Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arësyetuar shpresën e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin.

E tani të përshkruajmë e të përshkojmë sëbashku ritet e simbolet liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve

    Litugjia e dritës

Çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqëndron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës.
Imazhi i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin, dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të krishterëve se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë.
Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë i të krishterit është jeta e tij.


    Liturgjia e Fjalës

Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre duhet të japë sensin e një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin.
Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt Krijuesit të vet.
Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt Zotit.
Deri tek Ungjilli i shën Markut, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë e përditshme.


3. Liturgjia e Pagëzimit
Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë. Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë tonë në histori.

    Liturgjia eukaristike

Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt falenderimi” krejt i veçantë: “Pashkët ishin momenti në të cilin e pati fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i natës së Pashkëve përqëndrohet tek Eukaristia, të cilën Krishti nuk e paraqet i vetëm, por sëbashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajve, në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falenderon Atin sëbashku me Birin”.


Kremtimi i Natës së Pashkëve nuk duhet të përfundojë para mesnatës, “sepse duhet të presim deri në atë çast të saktë kthimin e Hyjit”. Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes. Qiriu qëndron pranë ambonit, i cili përfaqëson Varrin bosh. Ai është simbol i të Ringjallurit. Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin e vdekur” të Jezusit me një vaj të përmortshëm gjejnë Fjalën e ngjallur. Nata e Pashkëve kremton krejt Misterin e festës e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi nga vdekja në jetë. Kulmi i Natës është Eukaristia: bukë e të Ngjallurit për bashkësinë e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.