(17.03.2008 RV)Me të Dielën e Larit, besimtarët katolikë filluan Javën e Madhe
të Pashkëve. Po ç’kuptim ka kjo javë e cila është domethënia e ditëve të saj, që shënojnë
kulmin e vitit liturgjik? Domethënia është se Kisha Shenjte Amë kremton misteret
e Dhëndërrit të vet Shpërblyes. Jezusi zbriti mbi tokë për dashurinë e për shëlbimin
tonë. Na shpëtoi me gjithë jetën e tij: me mrekullitë, me predikimet por në mënyrë
të posaçme, me mundimet, me vdekjen e ngjalljen e tij. Këtë kremtojmë gjatë Javës
së Madhe. E dimë se kremtimi eukaristik i Meshës Shenjte është riparaqitje e mistereve
të Krishtit që mundohet, vdes, ngjallet; e flijimi i Kryqit është ora e Jezusit. Çdo
i krishterë, çdo katolik e rijeton këtë flijim, kremton me Kishën, në Kishë, bën përpjekje
për t’i lexuar ritet, para se të niset drejt Kishës, për t’i ndjekur pastaj më mirë,
për të marrë pjesë më me pëshpirtëri. Pjesëmarrja nuk është thjeshtë veprimtari e
jashtme: në radhë të parë është bashkim shpirtëror me Kishën e me Krishtin. Natyrisht
çdo besimtar kërkon më parë të rrëfehet, ta marrë në zemër Jezusin Eukaristi, të vihet
për udhë së bashku me Kishën, së bashku me të Lumen Mari, gjithmonë Virgjër, që ishte
pranë Krishtit kudo, posaçërisht mbi Kalvar. Vihet për udhë edhe me Apostujt. Kush
nuk e kupton Javën e Madhe, nuk e kupton krishterimin; kush nuk merr pjesë në ritet
kishtare, është tepër i cektë në jetën e krishterë. E kjo, sepse Pashkët i japin
kuptim çdo të diele që ne e kremtojmë në ditën e parë të javës. E ditën e parë të
javës, jo më të shtunën, por të dielën - ne e kremtojmë si ditën e Zotit. S’kemi
jetë pa të dielën – kanë thënë martirët e Abitenes, në Afrikën veriore. Ja, pra, kuptimi
i Javës, që është zemra e vitit liturgjik të Kishës. Në atmosferën e
shenjtë të kësaj Jave, është e trishtueshme të mendosh se për disa njerëz Pashkë do
të thotë vezë të kuqe, shëtitje në det, vizita në shtëpitë e miqve, udhëtime pa fund,
shëtitje në mal, ndeshje futbolli, ngujim para televizorit…. Të gjitha këto gjëra
janë të mira, nuk janë të këqija. Por sigurisht nuk janë zemra e Pashkëve. Zemra
e Pashkëve është pjesëmarrja në kremtimet e mistereve të Krishtit, të pranishme në
Kishë. Secili nga ne duhet ta programojë gjithçka tjetër rreth kremtimit të këtyre
mistereve, përfshirë këtu edhe pushimin. Kujtojmë edhe hiret e posaçme që fitohen
duke marrë pjesë me gjithë shpirt në kremtimet e Javës së Madhe. Si gosti
shpirtërore rreth sofrës së Zotit, Jezusi na ushqen me fjalën e tij, me sakramentet
e tij, me Korpin e Gjakun e tij, na ushqen edhe me shoqërinë e mbarë bashkësisë së
krishterë, sepse Zoti nuk na shpëtoi si një njeri i vetëm, por edhe si bashkësi. Kemi
nevojë për të tjerët: për të qenë bashkë. Sa e bukur ishte dje pamja e Sheshit të
Shën Pjetrit me turmën vigane mbledhur rreth Benediktit XV: pleq e fëmijë e deri foshnje,
meshtarë e murgesha e sidomos të rinj, shumë të rinj, që kremtonin rreth Papës,
në nivel dioqezan, Ditën Botërore të Rinisë me temë: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit
Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap. 1, 8),
në sa sytë e Atit të Shenjtë e të rinisë botërore tashmë janë drejtuar nga Sidnei,
ku do të takohen në korrikun e ardhshëm për Ditën Botërore të Rinisë në nivel ndërkombëtar. Pastaj
Papa rrethuar nga ipeshkvijtë e kardinajtë, mbarë populli i Zotit me palma në duar
për nder të Krishtit Zot! Sa emocion ndjen kur shikon Papën në mbrëmjen e së Enjtes
së Madhe, duke u larë këmbët 12 meshtarëve! E kur jeton disa çaste prekëse me turmën
që mblidhet në Kolose për të adhuruar Jezusin në Udhën e Kryqit, natën e së Premtes
së Madhe. Kush mund të thotë se gjithë këto pamje nuk flasin vetë? Thua mund të ketë
punë tjetër më të rëndësishme për të bërë këto ditë? Do të dëshironin të dinim cilat
janë këto punë?