E Shtuna e Shenjtë, Nata e Pashkëve: Krishti u Ngjall. Më të vërtetë u Ngjall, Aleluja!
Për shumë Mot kjo Natë
e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit të Ringjallur, juve dëgjues të
nderuar kudo që jeni. Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në
zemra e në familje tuaja. Emisionin tonë të sotëm ia kushtojmë pikërisht Natës
së Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, Natës së Pashkëve në të cilën Kisha mbarë
i kumton njerëzimit Ngjalljen e Krishtit. Kjo e vërtetë e fesë së krishtërë është
pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare dhe thelbi i fesë sonë të krishtërë,
e për këte arsye solemniteti i Pashkëve quhet me të drejtë festa e të gjitha festave,
e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna e të gjitha netëve, nëna e të gjitha
festave’ të krishtëra. Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet
e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimpruese të Jezusit të Ringjallur. Pra, në këtë
Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare
që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi
vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen
e vdekjen. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve “kumtojmë fenë tonë në Krishtin
e kryqëzuar, të vdekur e të ringjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar
e të bërë “bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë
në ne dashuria”. Prezenca në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetësemani, falja e armiqëve,
feja në Krishtin, të Birin e njeriu, përcaktimi mes të mirës e së keqës që çdo njëri
duhet të bëj me përgjegjësi të ndërgjegjës së vet, kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë
dhe e lavdërimit: në këtë vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbrame të Jezusit,
jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë
pashkore në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës.