2008-03-21 17:46:49

Udha historike e Kryqit: E Premtja e Madhe 1994.


(21.03,2008 RV)Kjo Udhë Kryqi u transmetua për herë të parë nga TVSH, duke ndjekur drejtpëdrejtë Udhën e kryesuar nga Gjon Pali II në prill 1994, në Kolose.
Programin e hapi gazetari Ferdinand Samarxhi. Menjëherë pas tij nisi komenti nga studiot e TVSH në Tiranë. Komentin e realizoi Dom David Gjugja, kryeredaktor i Programit Shqip pranë Radio Vatikanit, ndërsa meditimet dhe lutjet u lexuan nga aktori i mirënjohur, Rikard Ljarja,
Pas transmetimit, që pati sukses të jashtëzakonshëm, TVSH vijoi ta transmetonte edhe më 1995 e 1996 Udhën e Kryqit të kryesuar nga Papa në Kolose, me komentet përkatëse në gjuhën shqipe.
 Ja edhe teksti i plotë e kësaj Udhe Kryqi:
PARAQITJE
NJE NGJARJE E RENDESISHME EKUMENIKE
Tekstet e “Udhës së Kryqit” këtë vit i hartoi Shenjtëria e Tij, Bartolomeo I, Kryeipeshkëv i Kostandinopojës e Patrik Ekumenik.
Primati i Kishës së Kostandinopojës, që ka për pajtor Andreun Apostull, i dhuron Ipeshkvit të Romës, pasardhësit të Pjetrit Apostull, vëlla i Andreut, fjalët per meditim e lutje. Lindja e krishterë i bën dhanti Kishës së Perëndimit traditën e vet teologjike, liturgjike e shpirtërore.
Rëndësia e kësaj ngjarjeje shihet qartë: Kishat e Lindjes dhe të Perëndimit përshkojnë së bashku, me përvujtëri, Udhën e Kryqit, per të takuar të Ngjallurin. Së bashku ndalohen nën Kryqin e Zotit, me Marinë, Nënën e tij, per të kundruar dhe ër të rijetuar misterin e shëlbimit. Dhe lusin Atin e Jetës t’u japë hirin që përmes misterit të Kryqit e të Ngjalljes, të munden, në bashkim të plotë, t’i çojnë botës Ungjillin e Shpëtimit.
Kjo lutje për bashkim ngrihet nga Kelku eukaristik i Darkës së Mbrame, nga gjaku i derdhur për shpëtimin e shumë njerëzve.
Ky Kelk, që i prin Udhës së Kryqit, ende nuk është pirë. Kishat, megjithatë, vazhdojnë të luten që gjaku, i cili gurron nga kraharori i të Kryqëzuarit, ai gjak që të gjithëve, pa dallim, u bën dhanti dashurinë e Hyjit, të pihet përsëri në të njëjtin Kelk eukaristik.
Udha e Kryqit 1994 është dëshmi autoritare e kësaj dëshire për bashkimin ndërmjet Kishës së Lindjes dhe të Perendimit.

PROFUMI I LINDJES SË KRISHTERË

 
Udha e Kryqit që kremtohet në skenën e Koloseut, vend i ngarkuar me ngjarje historike, ku derdhën gjakun shumë të krishterë në shekujt e parë, është një lutje tipike e traditës latine. Për këtë arsye gjesti i Patrikut Ekumenik bëhet edhe më kuptimplotë: nga Selia e Andreut Apostull i vjen një dhanti Selisë së Pjetrit Apostull. Në tekstet e stacioneve të Udhës së Kryqit, Patriku paraqet një numër të madh përfytyrimesh të dashura për natyrën e Kishës së tij, Kishës bizantine: Krishtin “hyjnor- njerëzor”, që mbart në “natyrën njerëzore të Hyjit”, ankthin dhe shpresën e njeriut; kopshtin e Edenit, të mbyllur për shkak të mëkatit të Adamit, njeriut të parë, që më në fund u hap përsëri nga Krishti, Adami i dytë, nëpërmjet vdekjes dhe ngjalljes së tij; zbritjen e Zotit nën dhe, për t’i shpallë njeriut në pritje, lajmin e fitores mbi çdo lloj vdekjeje; Nënën e Hyjit, e cila ngushëllohet nga fjalët e të Birit: “Nënë, mos qaj!”, e që merr pjesë në mundimet e tij e pret plot me shpresë Ringjalljen e tij; misterin e Kryqit, i cili zbulon dashurinë e jashtzakonshme (që kalon çdo masë njerëzore) të Hyjit për njerëzit; Sakramentet, fillesë e krijimit të ri, që lind nga kraharori i Krishtit e mbi të cilin fryn posi fllad, fuqia krijuese e Shpirtit Shenjt.
Fjalët dhe simbolet e traditës lindore shprehen me një gjuhë të pasur e të thekshme, që na zbulon dramat dhe etjen e njeriut të ditëve tona për shpëtim, me vetëdijën se përgjigjen mund ta gjejë vetem në Kryqin jetëdhënës të Krishtit.
Pranë meditimit, ja edhe përfytyrimet, ikonat që shoqërojnë skenat e ndryshme të Udhës së Kryqit, edhe ato të marra nga trashigimia e pasur e Kishave të Lindjes. Fjalët dhe përfytyrimet shkrihen dhe e çojnë njeriun në thelbin e së kremtes, në ftesën e fesë, në takimin me misteret që përfaqësojnë.

DËSHMIA E PËRBASHKËT E FESË

 
Skema biblike e Udhës së Kryqit lejon që të shpallet përballë botës, në shtegtimin e përvujtur të uratës, feja e përbashkët në veprën shpërblyese të Jezu Krishtit. Përmes traditave të ndryshme liturgjike, përmes gjesteve dhe fjalëve të ndryshme, përmes figurave të shumta që jane përdorur gjatë shekujve nga përshpirtëria e popullit të krishterë, del në dritë feja e përbashkët në Zotin, që për ne, njerëzit e për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli e u bë njeri, pësoi mundimet nën Poncin Pilat, vdiq e u varros.
Kjo Udhë e Kryqit na kujton edhe një herë se feja e përbashkët pasurohet nga sinfonia e mënyrave të ndryshme të të shprehurit. Vetëm takimi i përvojave të ndryshme të krishtera, na jep mundësi t’i kthejmë ikonës së Shelbuesit, vërtetësinë dhe bukurinë e saj të plotë.
Ndjeshmëria e lartë shpirtërore e Kishës Bizantine, e shprehur përmes një forme të veçantë përshpirtërie, karakteristike për traditën perëndimore, di të nxjerrë nga peshtafi i traditës së vet “gjëra të lashta dhe gjëra të reja”, që i flasin njeriut të sotëm, që i përgjigjen pyetjeve dhe pritjeve të tij.
Meditimet e Patrikut Ekumenik, të gërshetuara me tekstet e Shkrimit Shenjt, me mendimin e Etërve të Kishes, e në mënyrë të veçantë, me Liturgjinë e Javës së Madhe, bashkohën me traditën e lutjes së Perëndimit dhe bëhen dëshmi e përbashkët e fesë në kremtimin e mundimeve të lumnueshme të Zotit Jezus, në pritje të kthimit të tij përfundimtar.
Në kujtim të mundimeve, përgjigje mahnitëse që Jezusi i jep planeve të Atit për të mbledhur së bashku bijtë e shpërndarë të Hyjit, (Gv.11, 51) zërat e Lindjes dhe të Perendimit shkrihen në një lutje të vetme:

O Zot, bëj që zemrat tona prej guri
të coptohen përballë mundimeve tua
e të bëhen zemra të ndieshme prej mishi!
Bëj që Kryqi yt të zgjidhë paragjykimet tona!
Bëj që të mos shtiem më në short
petkat tua, me rrezik që të grisim
mantelin një cope të Kishës sate.
Ty, o Atë,
nëpër Krishtin, në Shpirtin Shenjt,
çdo nderim e lumni
të qoftë në shekuj të shekujve !
 Piero Marini
Mjeshtër i Kremtimeve Papnore.
 
LUTJA FILLESTARE

 
Ati Shenjt: Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Kthesa: Amen !


Vëllezër e motra,
në Kishë, nëpër hirin e Shpirtit Shenjt,
ne jemi bashkëkohës të Jezusit.
Mundimet e tij, vdekja e tij, varrosja e tij,
zbritja e tij fitimtare në botën e të vdekurve,
zhvillohen në praninë tonë, zhvillohen në ne.
E varri i hapur në shkëmb
është kjo botë mbi të cilën vdekja ka vënë vulën e vet.


Krezhmët arrijnë kulmin në këtë Udhë të Kryqit,
në këtë shtegtim shprese,
që na përcjell në Natën e Pashkëve, më të ndritur se drita.
Duke medituar tekstet, ndoshta ndër më të thellat e Ungjillit
ne përgatitemi ta shoqërojmë Jezusin,
si e shoqëronte Nëna e tij,
me zemrën e përshkuar tej për tej nga një shpatë.
E pra, zëri i Jezusit pëshpërit ëmbëlsisht:
“Mos qaj, Nëna ime, sepse në të tretën ditë
unë do të ngrihem fitimtar!”.
Gjithë historia e botës përmblidhet
e merr tërë kuptimin e vet në këto tri ditë,
kur Hyji – Njeri vjen të na kërkojë
jo më mbi Malin e Shdërrimit,
por në greminë e terr.
Ai, i Pa Ndashmi, vetë qenia e të cilit është bashkim,
na çon të gjithëve drejt Atit
dhe ndërhyn përgjithmonë ndërmjet nesh e asgjësë.

 
TE LUTEMI:
O Zot, bëj që zemrat tona të gurëzuara
të coptohen duke parë mundimet tua
e të bëhen zemra të ndieshme prej mishi!
Bëj që Kryqi yt të zhdukë paragjykimet tona
me vegimin e luftës sate sfilitëse kundër vdekjes,
ta zhdukë indiferencën tonë e kundërshtimin tonë !
O Zot, bëj që të mos shtiem më short,
sikurse ushtarët, te këmbët e Kryqit;
mos shtiem më short,
të shtyrë nga një hisori e verbër dhe e marrë,
mbi petkat tuaja, me rrezikun që të grisim
mantelin një cope të Kishës sate !


Nëna e Hyjit na priftë për të kuptuar misteret tua,
misterin e dashurisë të së Shenjtërueshmes Trini,
përse kur ti vuan, Ati është në ty,
E kur vdes, Shpirti Shenjt rri zgjuar mbi ty !


Ty, o Atë,
nëpër Shpirtin Shenjt,
nder e lumni
të qoftë në shekuj të shekujve !


K/ Ashtu qoftë ! (Amen)
 
STACIONI I: JEZUSI NE KOPSHTIN E ULLINJVE
Nga Ungjilli sipas Markut: Mk. 14, 32-36
Dhe arriten në një vend
që quhet Gjetseman.
Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin.
E u tha atyre:
“Shpirti im është i trishtuar për vdekje.
Mos u largoni e rrini zgjuar”.
U largua pak,
ra përmbys për dhe e lutej:
“Abba! Atë! Ti mundesh gjithçka!
Largoje prej meje këtë kelk!
Por jo çka dua unë,
por çka don ti”.


MEDITIM:
Kopsht i ullinjve mijëvjeçarë:
duhet të shtrydhen ullinjtë,
e vaji prej zjarri, Shpirti Shenjt
të derdhet mbi plagët e botës.


O mundim i Jezusit, vetmi,
miqtë me të ngushtë i zu gjumi.
O Zot, na çliro prej këtij gjumi,
Kur mundimi i Krishtit
vazhdon në mundimin e njerëzve.


Mundimi i Jezusit, heshtja e Atit.
Unë e ti, Atë, jemi një,
një vullnet i vetëm, një dashuri,
por vullneti njerëzor i Jezusit bërtet nga ankthi,
sikur qenia e tij më e thellë, hyjnore- njerëzore,
të coptohej.


Vullnet njerëzor i Jezusit,
solidaritet me të gjitha vetmitë;
me trishtimet e kryengritjet
e ne të mërguarve, larg kopshtit!


Në Krishtin, Hyji provon në natyrën e njeriut
të gjitha agonitë tona,
agoninë e pakufi të historisë,
britmën e pakufi të Jobit që ngrihet nga fatet tona,
djersë gjaku.


Por, ja!
Shpresa ecën përpara përmes territ,
zë i dridhshëm, ende i paqartë,
jo ajo që dua unë,
por ajo që don ti...
Pranim.
Në Jezusin njerëzimi i shtrohet
vullndesës së Atit.


Ta lemë këtë vullndet të depërtojë
përmes terrinave.
Ullinjte janë shtrydhur.
Në çdo pemë zgjohet Kryqi fitimtar.
Kopsht i zanafillës:
“Sot do të jesh me mua në Parajsë”.
 
LUTJA:
Fytyrë e përgjakur
e pra, fytyrë e Atit,
e njëjta fytyrë që në hije, gjak kullon
e të cilën ne s’e njihnim.


Ti, tejét pranë,
shndërroje ndër zemrat tona
ankthin në mirënjohje.
Në të mundimi i njerëzve
të bëhet ringjallje.
Lavd e lumni ty, O Krisht
që bëhesh njëri prej nesh, më tepër se ne vete.

E mbush përplot me ty, me dashurinë tënde,
tërë ankthet tona – tërë vdekjet tona.


TË GJITHË: Ati ynë…


STACIONI II: JEZUSI I TRADHTUAR NGA JUDA DHE I ARRESTUAR
Nga Ungjilli sipas Markut: Mk. 14,43 -46
Ndërkohë ia behu Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve
e bashkë me të, një shumicë e madhe njerëzish
me shpata e me shkopinj,
të dërguar prej kreypriftërinjve,
prej skribëve e prej pleqve.
Si iu afrua Jezusit, i tha:
“Rabbì!”
dhe e puthi.
Ata vunë dorë në të dhe e kapën.


MEDITIM:
Njëra palë fle,
tjetri - ai që rri zgjuar
tradhton.
Plogështi, tradhti,
thua kjo është historia jonë ?
Puthja që flet për dashuri
shenj mërie bëhet.
Gjithë mundimi i Jezusit
tashti është miqësia e tradhtuar,
dashuria e shndërruar në urrejtje.
Vetëtimë shpatash në hije,
po Hyji nuk mbrohet.
Me nderimin e tij të pakufi për njeriun,
në duar kriminelësh lëshohet.


Dorëzohet ndër duar vrastarësh,
ashtu si e lë veten ta vrasin
për t’u dhuruar atyre, përmes vdekjes, vetë jetën e vet.


Ata që besojnë se Zotin e kanë të vetin,
kryepriftërinj, skribë, pleq,
Zotin e duan të largët,
sovran të paepur.
E kur në mes tyre vjen Zoti i bërë Njeri,
zemërbutë e i përvujtë,
ata e flakin në burg.


LUTJA:
O Zot, nuk do të jap puthjen e Judës,
por, ashtu si hajduti, të njoh:
të t’bjerë ndër mend për mua kur do të jesh
në mbretërinë tënde.
Për Judën tjetër s’dijmë
përveç dëshpërimit të tij.
Mëshira e Hyjit është e pakufi.
Por ti, o Zot, çlirona
nga Juda, që secili prej nesh e ka në shpirt
kur etja për para e për pushtet
ne na sundon.


Kujtohu, o Atë,
se shpatat që Krishtin e përshkojnë
e shkopinjtë që e godasin
mund të sjellin vdekjen
- por jo mbi vdekjen të ngadhënjejnë.


Tepër shpesh Kishat tona
kanë përndjekur armiqtë e tyre.
jepu tani të krishterëve
forcën e dashurisë së përvujtur.


TE GJITHE: Ati Ynë…


STACIONI III: JEZUSI DENOHET NGA KESHILLI I LARTE
Nga Ungjilli sipas Markut: Mk. 14,55. 60-61. 62. 64
Krerët e priftërinjve dhe mbarë Këshilli i lartë
kërkonin ndonjë dëshmi kundër Jezusit
për ta vrarë,
por nuk e gjenin.
Atëherë u ngrit kreyprifti në midis të Këshillit
dhe e pyeti Jezusin me këto fjalë:
“A je ti Mesia, Biri i Hyjit të Bekuar ? ”
Jezusi i përgjegji:
“ Unë jam! ”.
Të gjithë gjykuan
se meriton të vritet.


MEDITIM:
Prej kohe njerëzit e ditur e të pushtetshëm e dënojnë.
Thonë disa: s’ka ekzistuar kurrë.
Ndoshta ka ekzistuar – të tjerët thonë,
por ne për të asgjë nuk dimë.
Ose ende: është një profetë, profetë i madh
por është njeri, asgjë më tepër.


E ne, mendojmë pak për të.
Jetojmë – sikur ai të mos kishte qenë kurrë.
E pra, një ditë bëhet pyetja:
‘A je ti Krishti,
nëpërmjet të cilit Hyji i Bekuar na jepet ne?’.


Atëherë me këmbanat e Kishave,
me bukuri të ikonave
në thellësi të zemrës sonë,
Jezusi copton heshtjen
e thotë : ‘Unë jam!’,
që do të thotë: Unë jam Hyji.


Tjetër nuk mbetet: ose ta mbytësh,
ose t’i biesh ndër këmbë, duke përsëritur ç’ka thënë:
“ Të bekoj, o Atë,
përse ia ke fshehur këto gjëra
të diturve e të mençurve,
e ua ke zbuluar të vegjëlve”,
përse kështu të ka pëlqyer”.


LUTJA:
Jezus, ti i pafaji, që vjen prej tjetër kund..
ne kemi etje të madhe për pafajni
ne, që çdo ditë e vrasim dashurinë.


Na jep bashkimin e te pafajve,
të të çmendurve në Krishtin, t’atyre që s’dijnë asgjë
- asgjë - ndoshta përjashta tejet -,
kur i flakin në dhomat e gazit
o në ferrin e të ftohtit,
kur në dhoma torturash i flakin,
në atë dhomë torture, që është jeta vete.


Ti s’ke ardhur për të dënuar, por për të shpëtuar,
s’ke ardhur për të burgosur, por për të liruar.
Ndihmona me pafajsinë tënde në betejat tona,
në luftërat e mëdha të shpirtit,
që të jenë pa dhunë e pa urrejtje.
Me pafajsinë tënde, ndihmoi dashuritë tona,
familjet tona.
Vëre pafajsinë tënde në shikimet tona
që n’ty të kundrojnë fytyrën e Atit,
që në ty t’zbulojnë flakën e gjërave :
ikona të fytyrave.


TE GJITHE : Ati ynë…


STACIONI IV: JEZUSI MOHOHET NGA PJETRI
Prej Ungjillit sipas Markut: Mk. 14, 72
Menjëherë gjeli këndoi për së dyti
e Pjetrit iu kujtua
fjala që i tha Jezusi:
“Para se gjeli te këndojë dy herë,
tri herë do t’më mohosh.”


MEDITIM:
Gjeli lajmëron ditën,
ditën që s’perëndon të Mbretërisë së Hyjit.
Atëherë trembet Pjetri:
Mbretëria në të vërtetën nuk vjen me ushtritë e engjëjve
a të njerëzve, ngjeshur me shpata e armë të tjera.
Po vjen me vdekjen e vetvetes,
e, pikë së pari, me vdekjen e Mësuesit.


“Jo, kjo s’ka për të të ndodhë !”
Pjetri i pati thënë Jezusit
që e lajmëronte për mundimet e veta.
E pra – gjithçka po ndodhka.


Jezusi e kishte marrë me mend
ligështinë e fshehtë të të fortit,
afshin e padurueshëm, që krejt papritmas ndërron.
“Përpara se gjeli të këndojë dy herë,
tri herë do t’më mohosh !”.


Juda ka shkuar të varet, i dëshpëruar nga shpëtimi,
shi ditën e shpëtimit të përgjithshëm.
Po Pjetri shpërthen në lot.
Lotët e Pjetrit
Që lajnë mendjemadhësinë...
Lotët e Pjetrit...
ai do te jetë i pari, por vetem si mëkatar i falur,
për të qenë i pari, jo në lavdi, por në dashuri.


LUTJA:
O Zot, na jep lotët e Pjetrit,
atëherë kur s’ duam të dijmë se ti je
e se janë mundimet - çmimi i Pashkëve;
pse ti vdekjen mund - po e mund me vdekje.
Kur duam të harrojmë
se Kryqi është e vetmja pemë e jetës.
Ne, krenarëve për fenë tonë,
të etshëm që të shijojmë dalldinë në prag
po që papritur shembemi,
na jep – o Zot – lotët e Pjetrit,
faljen tënde të pacak, na e jep!


TE GJITHE: Ati ynë...
 
STACIONI V: JEZUSI GJYKOHET NGA PILATI
Prej Ungjillit sipas Markut: Mk. 15,14–15.
Turma bërtiti edhe më më të madhe: “Kryqëzoje!”
Pilati, duke dashur të kënaqë popullin,
ua lëshoi Baraben,
kurse Jezusin, pasi e frushkulloi,
ua dha ta kryqëzojnë.
 
MEDITIM:

Turma kishte brohoritur për Jezusin,
kur pati hyrë në Jeruzalem.
Tani po ajo, bërtet: Vdekje !
Nuk janë më njerëz,
ata janë shkrirë, shdërruar në një bishë kolektive
që etje ka për torturë e për gjak.


Ç’e keqe ushqehet në zemër të njeriut?
Ç’pushtet terrinash
bën që ky rit mizorie
të verë në shenjestër të Pafajin ?


Jezusi është mbret. Si mbret ka hyrë në Jeruzalem.
E ja, tani, mbret pa qytet.
I tillë është Hyji ynë, që ne e përjashtojmë porsi krijues
e që, mishëruar në krijim, mbi vete merr çdo përjashtim.


O histori mizore, hipnozë e shkatërrimit:
të vrasësh, për të harruar se duhet të vdesësh!
O histori mizore, po aq dhe ironike,
sepse Barabba do të thotë : “bir i Atit”.


E njeriu që sundon, Pilati,
që tjetër te vërtetë nuk njeh, veç pushtetin,
turmën e lajkaton për t’i prirë në marrëzi
e për të shpëtuar rendin e Cesarit.


Urtësi e egër e sundimtarëve
që turmës ia flakin kurbanin e pajtimit.


Po shpejt gjithçka do të kthehet kokëtatëpjetë:
përse shërbëtori që vuan
në se “ jetën flijon për shlyerjen e fajit,
dritën do të shohë, do të ngadhënjejë,
e, nëpër të, tërë të përjashtuarit,
të gjithë njerëzit pa fytyrë,
do të shohin dritë e do të nginjen.


LUTJA:
O Zot Jezus, mbret pa mbretëri,
hapi portat e zemrave tona,
që drita jote e ëmbël,
e ëmbël, por edhe e fortë – si jeta që mort s’ka
të shndërisë në botën e Barabave e të Pilatëve.
Zot Jezus, i fshikulluar nga mëkatet tona,
ti që nuk di as ç’është e keqja
e në heshtje pranon të shplakohesh,
çrrënjose nga ne pjesën e hijes
e marramendthin e asgjësë,
kështu s’ do te kemi më nevojë për flijen e pajtimit
e do të njohim në secilin njeri:
“Bar – abba” – birin e Atit,
gjaksorin që papritur u lirua.


TE GJITHE: Ati ynë…


STACIONI VI: JEZUSIN E FSHIKULLOJNË ME KAMXHIK
DHE E KURORËZOJNE ME FERRA
Prej Ungjillit sipas Markut e sipas Gjonit: Mk. 15,17 – 19; Gjn. 19. 5
Ushtarët e veshën me mantel të kuq
dhe si patën gërshetuar një kurorë me ferra
ia vunë mbi krye.
Atëherë filluan ta përshëndesin:
“Të fatemi, mbret i Judenjve!”
Dhe i binin kresë me kallam,
e pështynin.
Atëherë Jezusi doli jashtë
me kurorë ferrash e me mantel të kuq.
Pilati u tha:
“Qe njeriu !”
 
MEDITIM:
Kur kopshti i zanafillës qe mbyllur,
Hyji shpalli se toka do të lindte ferra,
trualli do të mallkohej, njeriu do të goditej prej vdekjes.
Me ferrat e vuajtjeve tona, të urrejtjeve tona,
të kurorëzojnë xhelatët.
Ati “mbi ty bën të bjerë
mbrapshtia e të gjithëve”.


I poshtëruar, ti gojen s’e hap,
“si qengji që e shpien në thertore”.


Tërë gjymtyrët e korpit tënd të shenjtë
çnderimin duruan për ne.
Duroi koka ferrat, fytyra – shuplakat e pështymët;
shpina duroi kamxhikun
e dora duroi kallamin.
E pra ti je mbret,
je mbret i Jetës.


Të kurorëzojnë xhelatët,
me purpur mbretëror të gjakut tënd të veshin
një skepter tallës në dorë ta kanë vënë ;
por gjithsesi është skepter: pa e ditur, profetizojnë.
E pra ti je meshtar
me madhëri te ëmbël e të qetë.
Ti mbart dhimbjen e botës,
për ta shkrirë në zjarrin e dashurisë sate.
Ti ishe në dasmë të Kanës,
e tash je në dasmën e gjakut.
 
LUTJA:
Ja njeriu!
Njeriun na trego
në çdo fytyrë njeriu të torturuar.
Ja njeriu,
tregona njeriun
në çdo fytyrë te urituri!
E s’ka rëndësi në se është i uritur për bukë – a për drejtësi !
Ja njeriu !
Me pangopësinë shtazore, i ngopur,
që ecen si gaforre drejt vdekjes.
Na difto fytyren,
fytyren tënde !
Dëftona te njeriu
shembëlltyrën e Hyjit!


TE GJITHE: Ati ynë...
 
STACIONI VII: JEZUSI NGARKOHET ME KRYQ
Prej Ungjillit sipas Markut: 15,20
Pasi e vunë në lojë,
ia hoqën mantelin e kuq,
ia veshën petkat e tija
dhe e qitën përjashta
për ta kryqëzuar.
 
MEDITIM:
Pas petkut të purpurtë,
përsëri petku i bardhë.
Pas mbretit – meshtari;
dhe ja elteri i flisë:
Kryqi !
E nxorën përjashta,
përjashta qytetit shenjt
jashtë vendit shenjt, të mbrojtur me afsh,
që e përjashton dhunuesin.
Tashmë është ai burimi i shenjtërisë,
për të s’ka asgjë që mund të jetë “ jashtë tij”,
asgjë që nuk mund të jetë e shenjteruar.


Jashtë e përcollën,
larg tempullit ku therin qengjat.
Eshte ai Qengji që mbart mëkatet e botës!
Ju tjetër tempull s’keni
përveç se korpit të Tij:
Eukaristia – streha jonë!
Përjashta e përcollën,
larg njerëzve e larg Hyjit,
prej atij Hyji që ata thonë se e njohin,
përse: “i mallkuar është ai që varet në dru,
por Zoti i vërtetë në të zbulohet !
E përcollën jashtë
me Kryq ngarkuar!


 
LUTJA:
O Jezus, që të dëbuan,
mos rri jashtë meje.
Zemrën përsëri ma ndërto
që të jetë banesa jote.


O Jezus, që u dëbove,
mos rri jashtë Kishave tona,
nga të cilat, duke të kundërshtuar, të dëbojmë!


Jezus që të nxorën jashtë
që askush mos te jetë më “jashtë ”,
askush i përjashtuar nga sofra
që ti na dhuron nga breznia në brezni.
O Jezus, tashmë je jashtë kësaj bote,
ja, së shpejti ke për ta shndëritë !
 
TE GJITHE: Ati ynë…
 
STACIONI VIII: JEZUSI NDIHMOHET NGA CIRENEU PER TE MBAJTUR KRYQIN
Prej Ungjillit sipas Markut: 15, 21
Ushtarët e detyruan
një kalimtar që po kthehej nga fusha,
Simonin prej Cirenes,
babanë e Aleksandrit e të Rufit,
të mbarte kryqin e Jezusit.

 
MEDITIM:
Simon është një emër judenjsh, por Cirene është qytet grek,
diku në Afrikë.
I kthyer në tokën e etërve të vet, ai punonte tokën.
Një katundar i fortë, zhyer me baltë pjellore,
ndoshta plot gëzim, pse pemët frytdhënëse janë në lulëzim.
Ja, në portat e qytetit
kalon, e gjë s’kupton se ç’po ngjet.
Oficeri i ushtrisë së pushtimit
shikon se është i fortë e i varfër, e urdhëron
ta mbartë një copë udhe kryqin e Jezusit.


Nuk është ai as dishepull e as mik.
Apostujt janë shpërndarë.
E pra ai nuk tërhiqet e kryqin e mbart,
që s’qe caktuar për të.


Janë të shumtë ata që shtrëngohen të mbartin kryqe,
pa e ditë se mbartin Kryqin e Krishtit.
E mbartin çdo herë që mposhtin egoizmin,
për të ushqyer, për të veshur, për të pritur të panjohurin.
“Nuk të kemi njohur !” – i thonë Jezusit,
Po ai ua kthen: “Ma keni bërë mua! ”


Simoni kishte ende në sy pemën në lule,
por për nën gjakun e mpiksur
ai ndoshta parandjeu një fytyrë prej drite,
e e mori me mend se mbarte shumë më tepër se një dru,
i cili së shpejti do të thahej.
E mori me mend se mbarte: “Drurin e jetës”.
 
LUTJA:

O Zot, fati na shtrëngon të mbartim kryqin.
Diftona se është yti
e se në të vërtetë i mbart ti kryqat tonë.
O Zot, si kryq na mbartim epshet tona.
Me dashurinë tënde çlirona nga iluzionet,
epshet tona ti shndërroi
- ata që s’janë krejt pa dashuri -
shndërroi në mëshirë !


O Zot, na kryqin mbartim të vdekjes sonë
e të vdekjes së atyre që duam.
Në ecjen e mundimshme përpara,
diftona se je ti që na pret,
ti që në kryqin tim,
bën Kryqin tënd,
Kryqin e Ringjalljes!
 
TË GJITHË: Ati ynë…
 
STACIONI IX: JEZUSI TAKOHET ME GRATE E JERUZALEMIT.
Prej Ungjillit sipas Lukës: Lk. 23, 27 -28, 31
Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish,
disa gra që qanin dhe vajtonin.
Jezusi u kthye kah ato dhe tha:
“Bijat e Jeruzalemit, mos më qani mua,
por qani vetën e fëmijët tuaj!
Sepse, në se veprohet kështu me dru të njomë,
çka do të ndodhë me të thatin ? ”
 
MEDITIM:
Njerëzit e kanë dënuar Jezusin,
po gratë i shkojnë pas duke qarë...
S’ka gra ndër armiqtë e Jezusit.
Në shenj te amësisë së fyer,
godasin kraharorin me grushte.


Po Jezusi u thotë: “Mos qani!
Mos qaj, nëna ime!
Pas tri ditësh - do te ngrihem”.
S’duhet qarë për meshtarin
që kremton flijen
e shenjtërisë së përgjithshme.


Mbi fatin e njeriut duhet vajtuar,
mbi atë që bën njeriu me fatin e vet.
Lazri ka vdekur, e kufoma ka marrë erë.
Tashmë armiqtë rrethojnë qytetin,
e forcat e asgjësë, njeriun e rrethojnë,
e zvarrisin drejt humnerës së zbraztësisë.


Jezusi merr mbi vete këtë fat, për ta mundur,
ai Lazrin e ngjalli prej të vdekurve.
E ngutet për të përballuar Atë që ndan,
që s’ka me të kurrnjë farë bashkëpunimi
që të mundet më në fund një ditë t’i thotë:
“ Unë teri çdo lot prej syve tuaj,
vdekje s’ka më, s’ka vaj, s’ka ankth,
përse ç’ishte më parë, tani ka kaluar”.


LUTJA:
Kulla e Siloe të shembet vazhdon,
Ushtritë qytetit vazhdojnë t’i vënë flakën.
E gjithë kjo ndodhë jo pse don të na dënosh,
po pse ne bëhemi, o Zot, dru i thatë.


Ti, dru përherë i blertë, jepna limfën tënde,
që kështu të dimë t’i thajmë lotët
nga sytë e grave të Jeruzalemit.


Bëj që secili nga ne të jetë Veronika,
që djersën ia fshin fytyrës sate,
që fytyra jote, përmbi ikonat tona,
- çdo njeri është ikona jote -
për ne të jetë, o Zot, porta e amshimit!
 
TE GJITHE : Ati Ynë...

 
STACIONI X: JEZUSIN E KRYQEZOJNE
Prej Ungjillit sipas Markut: 15, 24
Atëherë e kryqëzuan dhe
i ndanë petkat e tija
duke shtënë short – kujt t’i bjerë.

 
MEDITIM:
Sot është pezull mbi dru,
ai që në pafundësi botët mban pezull,
është mbërthyer me gozhdë
Dhëndërri i Kishës.
Eshtë përshkuar me heshta,
Biri i Virgjëreshës.
Nderojmë vuajtjen tënde, o Krisht,
ardhtë të ngjallurit tënd.


Sot Jezusi provon
tmerrin e turpit, tendosur mbi kryq,
dridhjen e ankthshme të shpirtit,
e edhe përbuzjen e njerëzve.
Ai tashmë është vëlla me të torturuarit,
me të dëshpëruarit, të përbuzurit.
Sot ai, i vetmi diell i gjallë,
- Unë jam Ringjallja e Jeta -
i lindur nga Virgjëra - Zoja e Papërlyer,
provon një mundim, përtej masës njerëzore.


Marrëzi per ata që nderojnë mençurinë,
për ne, pushtet i Hyjit e dituri e Hyjit.
O Jezus, me krahët përherë të hapur,
nga gjoksi yt i shporuar gurron uji i Pagëzimit,
e gjaku i Eukaristisë.
Vetem një pikë gjaku, përtrin gjithësinë.
agimi i Shpirtit lind nga korpi i munduar.
Kishim nevojë që Hyu të mishërohjej e të vdiste,
që ne të rijetonim.


Druri i tupit, bëhet Dru i jetës,
boshti i botës, që mbledh çdo dhembje tonën,
për ta flijuar në zjarrin e Shpirtit Shenjt.


Ngrihet ky dru nga toka, arrin deri në qiell,
është shkalla e Jakobit e shtegu i engjëjve,
fryti i tij ka brënda gjithë jetën,
e hamë atë, e duke e ngrënë, më s’vdesim !


LUTJA:
O Kryq i Krishtit,
ti vetëm mund të shqiptosh gjykimin që na dënon,
ti vetëm zbulon dashurinë e çmendur për Hyjin.
O Kryq i Krishtit,
E vetmja përgjigje që i jepet Jobit,
Jobëve të panumër të historisë:
pamja jote shtyp ndër ne çdo kryengritje,
e bën qesharake çdo urrejtje.


O Kryq i Krishtit !
Na jep ndër çaste të vështira hirin,
të mos biem në dëshpërim,
por ndër këmbët tua të përmbysemi,
në mënyrë që ai, i cili është lartuar mbi ty,
të na tërheqë të gjithëve
në lumturinë e tij paradoksale.
 
TE GJITHË: Ati ynë...
 
STACIONI XI: JEZUSI I PREMTON MBRETËRINË E VET HAJDUTIT TË MIRË
Prej Ungjillit sipas Lukës: 23, 39 – 43
Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:
“Po a nuk je ti Mesia? Shpëtoje vetveten!”
Po ai tjetri e qortoi shokun:
“As ti nuk e druan Hyun. Ne po marrim dënimin
e merituar për veprat tona! Po ky, ky s’bëri asnjë të keqe!”
Dhe tha: “Jezus, të bjerë në mend për mua,
kur të arrish në mbretërinë tënde ».
I përgjegji : ‘Për të vërtetë po të them, sot do të jesh me mua në Parajsë’.

 
MEDITIM:
Gjithë fati ynë përmblidhet
në fatin e dy keqbërësve.
Nuk janë të huaj ata – janë ne.
Duhet te zgjedhim, rrugë tjetër s’ka:
Keqbërësin n’ e djathtë, o n’ e mëngjër.


E prej keqbërësit të së majtës Jezusit
i vjen tundimi i fundit:
“Në je ti Mesia, shpëtoje vetveten!”.
Tash priftërinjtë e ushtarët i patën thënë:
“T’shpëtojë vetveten e na do t’i besojmë!”
Por ndërsa Krishti hesht, keqbërësi tjetër,
duke iu sjellë te parit i thotë:
“Ne njerëzit vrasim e vritemi,
vdekja është e shkruar në fund të shpirtit tonë.
Po në Jezusin, që s’ka kurrnjë të keqe,
në Jezusin nuk ka fatalitet vdekjeje,
por vetëm vdekje për dashuri.


E banditi, i ngujuar nga gozhdat,
ruan të fundmen liri: - atë të fesë,
e thërret: “Jezus, të bjerë në mend për mua,
kur të hysh në mbretërinë tënde!”


Nuk di kurrgjë, o Jezus, asgjë s’kuptoj,
në këtë botë tmerri.
Po ti eja tek unë, me krahët hapur, me zemër hapur,
mjafton prania jote – është Parajsa ime.
Te bjerë në mend për mua
kur do të vish me mbretërinë tënde.
Lavd e lumturi ty, që pranon
jo të shëndoshët, por të sëmurët,
ti që, si një mik të papritur, ke një kriminel
të dëbuar nga drejtësia njerëzore.
Tani ti zbret në ferr edhe çliron
Ata që besohej se ishin dënuar e që të thërresin ty:


“Të të bjerë në mend për ne, o Zot,
Kur do të vijsh me mbretërinë tënde!”
 
TE GJITHË: Ati ynë...

 
STACIONI XII: JEZUSI NË KRYQ, NËNA DHE DISHEPULLI
Prej Ungjillit sipas Gjonit: 19, 26 -27
Jezusi, kur pa nënën e vet
dhe, pranë saj, nxënësin që e donte,
i tha nënës:
“Grua, qe yt bir!”
Mandej i tha nxënësit:
“Qe, nëna jote!”
 
MEDITIM:
Të këmbët e Kryqit, Maria e Gjoni:
Nëna e nxënësi më i dashur.
Maria, Nëna e Hyjit, ajo që i tha “po” engjëllit,
duke zgjidhur madhërishëm tragjedinë e lirisë sonë.
Ajo e lindi, në pastrinë e pacënuar të trupit të saj.
Tani një shpatë zemrën po ia përshkon.
Gjoni, i vetmi nxënës besnik, deri në fund të fundit.
Në darkën e Mbrame
mbi zemrën e Mësuesit kryet e tij pushoi,
pushoi mbi zemër të botës.
Ai i ruajti fjalët e Tij te fundit,
bashkimin e Jezusit e të Atit,
premtimin e Shpirtit Shenjt.


Grua – thotë Jezusi,
Grua: në të gjindet çdo butësi,
çdo bukuri femërore.
O grua e fortë, e denjë në gjithçka,
që ruan gjithë këto gjëra në zemër tënde,
yt bir i ngjallur do te zhduket nga sytë e njerëzve,
por ja, ti ke një bir në tënd bir.
Rojtare e bijve në shpirt.
O Nëna e gjithë njerëzimit:
“ Të falem hirplote, Zoti është me ty!


E Gjoni e pret në shtëpinë e vet,
në dashurinë e vet,
prani tashmë e heshtur,
e heshtjes së madhe te adhurimit.
Qoftë kështu ajo ndër shtëpitë tona,
nëna e çdo besnikërie, e çdo ngrohtësie.
Qoftë kështu në shtëpinë e mbarë botes,
tokë që pjelloria kurrë nuk i shterron.
Ja e para Kishë,
Lindur nga lënda e Kryqit.
Kur Jezusi, duke përkulur kokën, jep shpirt,
kjo është si Rrëshajë e parë.
 
LUTJA:
Jezus, bir i qiellit, për Atin tënd,
Bir i tokës, për nënën tënde.
Na bëj bij të tokës e të qiellit
nëpër lutje të Nënës së Hyjit.


Jezusit një heshtë gjoksin ia ka përshkuar,
ndoshta edhe zemrën.
Dhe ty, Mari, një heshtë zemrën po ta përshkon.
O Zot, na bëj te hyjmë edhe ne në këtë shkëmbim të tmerrshëm,
nëpër lutje te Nënës së Hyjit.
 
STACIONI XIII: JEZUSI VDES NË KRYQ
Prej Ungjillit sipas Markut: Mk. 15; 34. 36 – 37
Në orën tre,
Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe:
“Eloì, Eloì, lema sabactàni ?
që përkthehet: “Hyu im, Hyu im, përse hoqe dorë prej meje ?
Njëri prej tyre u lëshua vrap,
e lagu shpuzën në uthull,
ia dha ta pijë.
Po Jezusi lëshoi një britmë të madhe
e dha shpirt.

MEDITM:
Jezusi, Fjala e mishëruar
përshkoi distancën më të madhe
që njerëzimi i humbur do të mund të përshkonte.
“Hyji im, Hyji im, pse më braktise?”.
Distancë e pakufi, tortura më e tmerrëshme,
çudi e dashurisë.


Ndërmjet Hyjit e Hyjit,
ndërmjet Atit e Birit të bërë njeri
zgjatet dëshpërimi ynë
me të cilin Jezusi është solidar deri në fund.


Mungesa e Hyjit është ferri vetë.
“Kam etje !” thotë ende Jezusi, e përsërit fjalët e Psalmit:
“E tharë si një eshkë është goja ime,
gjuha ime është ngjitur për qiellëz.
Mbi pluhurin e vdekjes më ke vendosur”.


Hyji ka etje për njeriun, e njeriu i ikë,
“një mur i ndan”.
Jezusi i gozhduar mbi këtë mur, thotë: “Kam etje!”
E i japin uthull.


Përqafim i amshuar i Atit e Birit
Bëhet distancë ndërmjet qiellit e ferrit.
“Eloì, Eloì, lema sabactàni?”
sikur për një çast
Hyu i kryqëzuar të mos besonte.


Në këtë çast gjithçka përmbyset!
Në Jezusin, vullneti njerëzor,
si në Gjetseman,
pranon:
“Atë, në duart tua po e dorëzoj shpirtin tim !”
Honi i dëshpërimit zhduket
porsi një pikëz urrejtjeje qesharake.
Distanca ndërmjet Atit e Birit
s’është më vend i ferrit, po i shpirtit.
 
LUTJA:
Jezus, ti zhveshe vetveten
duke pranuar kushtet e shërbëtorit,
deri në vdekje, e në vdekje në kryq.
Na mëso të themi, në ditën e ankthit,
o ndoshta të agonisë:
“Atë, ndër duar tua po e lë unë shpirtin tim!”.
Tashmë qielli, toka, ferri, janë plot me dritë.
Asgjë s’më ndan më nga ti.
“E ku mund të shkoj unë larg nga shpirti yt?”.
Në se zbres në ferr, - ja ku të kam !
O Bari i panjollë,
më merr mbi supet tua
për të më çuar te Ati;
Që në ty, njeriu më i pafe
pushim te gjejë më në fund.
Lumturi, ty, o Jezus, Hyji ynë,
ti kryqin e dëshpërimit e shndërron
në Kryq te Pashkëve !
 
TE GJITHE: Ati ynë...


STACIONI XIV: JEZUSIN E VENDOSIN NË VARR
PREJ UNGJILLIT SIPAS MARKUT: Mk. 15,46
Jozefi i Arimatesë bleu pëlhurën
e uli nga Kryqi trupin e Jezusit,
e mbështolli në pëlhurë
dhe e vendosi në varr
të hapur në zemër të shkëmbit.

 
MEDITIM:
Një Jozef të ka mbrojtur kur ishe fëmijë,
një tjetër Jozef të ulë ëmbël nga kryqi.
Në duart e tij ti je më i braktisur
sesa një fëmijë ndër duart e nënës së vet.
Ai vendos në prehër të shkëmbit
reliken e trupit tënd të panjollë.

Guri u rrotullua, ra heshtja e varrit.
Eshtë e shtuna misterioze.
Gjithçka ka heshtur, krijimi frymën mban.
Në zbraztësinë e plotë të dashurisë, zbret Krishti,
po fitimtar.


Ai digjet nga zjarri i Shpirtit Shenjt.
Në takim me Të, lidhjet e njerëzimit përkryhen.
O Jetë, si mund të vdesësh?
Vdes për të shkatërruar pushtetin e vdekjes
e për të ngjallur të vdekurit nga ferri.


Gjithçka ka heshtur. Po lufta e madhe merr fund.
Ai që ndan, është i mundur
nën tokë; në sa në fund të shpirtrave tonë,
një shkëndijë është ndezur.


Natëroje Pashkësh. Gjithçka ka heshtur plot me shpresë.
Adami i fundit, i zgjat doren Adamit të parë.
Nëna e Hyjit lotët Evës ia fshin.
Rreth shkëmbit mortor – tash kopshti lulëzon!


LUTJA:
O Çliruesi im,
pata ikur larg teje,
në zemrën e vdekshme te shkëmbit.
Po ti shemb çdo mur,
me vete i merr gjithë të burgosurit:
të burgosur të vetvetes a të djallit.
I përcjell drejt agimit të Pashkëve,
përse dashuria e fortë është, si vdekja!

E mbaj shpirtin tim në paqe e në heshtim,
si fëmija që struket në gjirin e s’ëmës.
E di se ti do t’më gjesh!


Jezus mbretëror, shkëlqen përsëri mes territ
pishtar jete.
Prej pranisë sate heshtimi rrënqethet,
bota s’është më një varr i zbrazët!
Dy Adamët bashkohen në dritë,
në varret nuk ka më të vdekur.
Krishti u ngjall nga të vdekurit,
me vdekje vdekjen dënon.
Atij që është në varr
ai i sjell jetë !

TE GJITHE: Ati ynë...







All the contents on this site are copyrighted ©.