2008-03-21 16:19:37

Papa: Kryqi, shkollë e drejtësisë dhe paqës.


Dhimbja për viktimat e pushtetit e të diskriminimit fetar në të gjitha kohërat. Por edhe “mirënjohja” për dhuratën e shëlbimit të “realizuar përmes Mundimeve”, në meditimet e shkruara nga kardinali Çen Zhë-Qyn, për ritin e të Premtes së Madhe të Pashkëve. Mbrëmë me mijëra e mijëra njerëz pranë Koloseut nën shi të vazhdueshëm morën pjesë për t’i përjetuar sërish Mundimet e vdekjen e Jezusit mbi Kryq. Në lutje përfundimtare të Udhës së Kryqit Benedikti XVI ripohoi: Zoti i Kryqëzuar nuk bën dallime kulturore e racore, por e do shpëtimin e të gjithëve.
RealAudioMP3 Pas fillimit të kremtimeve liturgjike të Triditëshit të Pashkëve, vëmendja e Kishës tani përqëndrohet tek misteri i së Premtes së Madhe. Pasi kremtoi Mundimet e Zotit në Bazilikën e Vatikanit, duke filluar nga ora 21.15, Benedikti XVI do të kryesojë në Kolose, ritin sugjestiv të Udhës së Kryqit, që do të transmetohet drejtpërdrejtë nga mondovizioni. Papa do ta ndjekë gjithë zhvillimin nga Kodra Palatine dhe do ta marrë Kryqin nga duart e një vajze kineze, simbol i Kishës, zëri i së cilës jehon sonte në Amfitetarin romak, përmes meditimeve shkruar nga kardinali Çen Zhë-Qyn, kryeipeshkëv i Hong-Kongut.
Kjo është Udha e tretë e Kryqit që kryesohet Benedikti XVI.
Ka 14 stacionet tradicionale, që na kujtojnë vazhdimisht persekutimin e të krishterëve në të katër anët e botës, sepse kjo është edhe tema kryesore e kësaj Udhe të Kryqit, që sjell në Koloseun e Romës mundimet e Kishave ndër kolosetë moderne në të katër anët e botës.
Në stacionin apo ndalesën e parë e shikojmë Krishtin në agoni, në Kopshtin e ullinjve;
në stacionin e dytë, Jezusi tradhtohet nga Juda e braktiset nga të vetët;
në të tretin, dënohet nga sinedri;
mohohet nga Pjetri në të katërtin;
në stacionin e pestë gjykohet nga Pilati;
në të gjashtin rrihet me kamzhik e kurorëzohet me kurorë ferrash.
Ngarkohet, pastaj, me kryq në stacionin e shtatë.
Në të tetin, ndihmohet nga Cireneu për ta mbartur kryqin;
në të nëntin, takohet me gratë e Jeruzalemit;
në stacionin e dhjetë, kryqëzohet.
Në të njëmbëdhjetin i premton mbretërinë qiellore hajdutit të mirë;
ndërsa në stacionin e dymbëdhjetë, pranë kryqit shikojmë Nënën dhe nxënësin e dashur.
Në stacionin e dymbëdhjetë, Jezusi vdes në kryq,
për t’u varrosur në stacionin e katërmbëdhjetë.
Jo para dymijë vjetësh, por sot. Sepse edhe sot në të katër anët e botës vijon simbolikisht e realisht flakja e ndjekësve të Krishtit në gojën e bishave; vijojnë mundimet e Kalvarit. Trimat qëndrojnë, frikacakët preken nga qëndresa e të fortëve dhe ndjejnë thirrjen për ta mundur frikën, për t’u trimëruar, sepse Krishti nuk mungon kurrë në takim, kur e thërrasim. Vjen, na ndihmon ta mbartim kryqin tonë e na prin drejt Mbretërisë ku s’ka më kryqa, ku mbretëron paqja e drejtësia.
Zgjodhëm nga kjo ‘Udhë Kryqi’, Stacionin I, XII e XIV.

Udha e Kryqit e bashkësisë kishtare të Romës
kremtohet në Kolose,
monument tragjik e i lavdishëm i Romës perandorake,
dëshmitar i heshtur i fuqisë e i sundimit,
përmendore që të kujton jetë e vdekje.
E duket se vijojnë, me një jehonë pa fund,
klithmat për gjak
e lutjet për paqe e pajtim!
Stacion i vërtetë Urbis et orbis,
takim i kishës së Romës
me shtegtarë ardhur nga të katër anët e botës
e me miliona besimtarë, që udhën e Kryqit
e ndjekin përmes radios e televizionit.
Edhe këtë vit, përshkojmë me fe,
udhën që bëri Krishti nga Pretori i Poncit Pilat
në majë të Kalvarit.
Udha e kryqit është përqafim simbolik i Jeruzalemit me Romën,
i Qytetit të dashur nga Jezusi,
ku ai dha jetën për shëlbimin e botës,
dhe qytetit të Pasardhësit të Shën Pjetrit,
që i prin bamirësisë kishtare.

Lutja fillestare:
Ati i Shenjtë:
Jezus Shëlbues, u mblodhëm në këtë ditë, në këtë orë e në këtë vend, ku shekuj më parë shumë nga Shërbëtorët e Shërbëtoret e tua dëgjonin brurimat e luanëve e klithmat e turmave, që dëfreheshin duke i parë si shqyheshin nga bishat e egra e goditeshin për vdekje, vetëm e vetëm pse i besonin emrit Tënd. E ne sot, të kryesuar nga mëkëmbësi yt mbi tokë, vijmë këtu për të të shprehur Ty mirënjohjen e Kishës sate për dhuratën e shëlbimit që i bëre me mundimet e tua.
Kolosetë janë shumfishuar në rrjedhë shekujsh. Gjinden atje ku vëllezërit tanë vijojnë edhe sot e kësaj dite të persekutohen mizorisht.
Së bashku me Ty, o Zot, e me vëllezërit tanë të persekutuar në mbarë botën, po e nisim këtë udhë të dhimbshme, që Ti vetë dikur e përshkove me shumë dashuri.

Stacioni I
Jezusi në agoni në Kopshtin e ullinjve
Meditim:
 
Jezusi kishte frikë, ankth e trishim për vdekje. Zgjodhi tre shokë, që t’i kishte pranë në këtë orë, por ata i mori gjumi e ai nisi të lutej, i vetëm! “Bëj të kalojë kjo orë, largoje nga unë këtë kelk…Por, Atë u bëftë vullneti yt.
Kishte ardhur në botë për të bërë vullnetin e Atit, por asnjëherë, si këtë çast, nuk e kishte provuar shijen e hidhur të mëkatit. Prandaj e ndjeu veten të humbur!
Në letrën drejtuar katolikëve të Kinës, Benedikti XVI kujton vegimin e Zbulesës së Shën Gjonit, që qan para librit të vulosur të historisë njerëzore, të ‘mysterium iniquitatis’. Vetëm Qengji i flijuar mund t’ia heqë këtë vulë!
Në shumë vende të botës, Nusja e Krishtit jeton natën e errët të persekutimit, si në kohën e mbretëreshës Ester, kërcënuar nga Amani; si ‘Gruaja’ e Zbulesës, që kërcënohet nga dragoi. Të mos kotet syri ynë e ta shoqërojmë Nusen e Krishtit në lutje:

Lutja:

 
Jezus, Hyj i gjithëpushtetshëm, që u bëre i ligësht për shkak të mëkateve tona. Ti i njeh mirë britmat e të persektuarve, që janë jehonë e agonisë sate. Ata s’pushojnë së pyeturi: “E pse, o Zot, gjithë ky persekutim, gjithë ky poshtërim? Pse gjithë kjo skllavëri?
Të vijnë në mend fjalët e Psalmit: “Zgjohu, përse po fle, o Zot? Zgjohu, mos hiq dorë nga ne për amshim! Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, përse e harron mjerimin tonë e vuajtjen tonë? Se u poshtëruam e ramë përdhe, zvarrë po hiqet trupi ynë për tokë. Çohu, na eja në ndihmë! Na shpëto, pashë dashurinë tënde!”. (Ps. 43, 24-26)
Jo, o Zot, ti nuk e këndove këtë Psalm në Gjetseman, por the: “U bëftë vullneti yt!”. Po të doje, kishe gati dymbëdhjetë legjione engjëjsh, po ti nuk deshe.
O Zot, nuk na pëlqejnë mundimet. Janë të frikshme. Na tundojnë të dredhojmë rrugë, të kërkojmë rrugë të lehta, rrugë që nuk çojnë në Kryq, por në sukses. Bëj të mos kemi frikë nga frika, por ta lëshojmë plotësisht veten në dorën tënde!


Stacioni XIII
Jezusi vdes në kryq
Meditim:

 
Jezusi vdes me të vërtetë, sepse është njeri i vërtetë. Jep frymën e fundit në duart e Atit. Oh, Sa e çmuar është kjo frymë! Fryma e jetës i qe dhënë dhe njeriut të parë, e na u ridha edhe ne, në një mënyrë të re, pas ngjalljes së Jezusit. Na u dha, që të mund ta dhurojmë çdo çast frymën tonë, për Dhuruesin e saj. Sa frikë e tmerr kemi nga vdekja e sa skllevër na bën kjo frikë. Kuptimi e vlera e jetës varen nga mënyra si e jetojmë. Njeriu pa fe kapet aq fort pas jetës, sa harron fare se pranë tij jetojnë edhe njerëz të tjerë. Ndërsa për Jezusin nuk ka dashuri më të madhe, sesa të japë jetën për mikun. Prandaj, kush lidhet në tepri me jetën, do ta humbasë. Kush është gati ta flijojë, do të ketë jetë!
Martirët japin dëshminë më të lartë të dashurisë së tyre. Nuk turpërohen për Mësuesin e vet para njerëzve. E edhe Mësuesi do të krenohet me ta para mbarë njerëzimit, në ditën e fundit.

Lutja:

 
Jezus, ti e jetove jetën njerëzore, pikërisht që të mund ta dhuroje. Duke u mishëruar, si ne, mëkatarët, Ti, Mbret i Pavdekshëm, u bëre i vdekshëm. Duke pranuar vdekjen më tragjike e më të tmerrshme, fryt i mëkatit më të rëndë, Ti dëshmove se i beson plotësisht Atit!


Stacioni XIV
Jezusin e zbresin nga kryqi, në varr.
Meditim:

 
Jezusi nuk deshi të zbriste i gjallë nga kryqi, por të ngjallej nga varri. Vdekje e vërtetë… Heshtje e vërtetë… Fjala e jetës do të heshtojë për tri ditë.
Përfytyroj përhumbjen e paraardhësve tanë para korpit pa jetë të Abelit, viktima e parë e vdekjes.
Përfytyroj, sidomos, dhimbjen e Marisë, në sa mban në prehër Jezusin, plot me plagë që kullojnë gjak, kufomë, më shumë se njeri, me sytë e mbyllur, që nuk mund t’i shohin më sytë e mbushur me lot, të nënës. Tani nënës i duhet ta braktisë të Birin, ta kallë ndërmjet gurëve të akullt të varrit, pasi ta ketë pastruar e ta ketë përgatitur me ngut për zbritjen e madhe në gjirin e shkëmbit. Tani fillon pritja. Duket e pambarim pritja e së tretës ditë!

Lutja:

 
O Zot, tri ditë duken si tre shekuj. Tepër të gjata këto tri ditë! Vëllezërit tanë të fortë lodhen, vëllezërit tanë të ligësht zbresin poshtë e më poshtë, ndërsa prepotentët ngrenë lart kokën me mburrje. Po burrat nuk ligështohen, nuk mohojnë. Me qëndresën e tyre, O Zot, ti i tund zemrat e burracakëve e kthen në rrugën tënde shumë zemra.
A kemi ne të drejtë të ngutemi e të dëshirojmë ta shohim menjëherë fitoren e Kishës? Duam të shikojmë fitoren e Kishës, apo të vetvetes? Zot, bëj t’i qëndrojmë gjithnjë besnikë Kishës së katakombeve e të pranojmë të zhdukemi e të vdesim si kokrra e grurit nën dhe.Bëj ta dëgjomë gjithnjë Fjalën tënde, O Zot: ‘Mos kini frikë! Unë fitova mbi botën. Nuk mungoj kurrë në takim. Jam me ju për të gjitha ditët, deri në fund të fundit të botës”.
Zot, shtoje fenë tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.