(24.03.2008 RV)Eja vëlla, është për ty kjo festë, ky agim shprese e gëzimi.
Tepër
gjatë ke ecur nëpër natë. Sytë nuk e durojnë më këtë errësirë të dendur, këtë
terr të frikshëm që mbulon çdo gjë. Eja, kemi bërë gati një zjarr, eja, kemi
ndezur një dritë. Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus të gjithë mund
të fitojmë mbi ankthin e natës e të gjejmë dritën për të shkuar përpara.
Eja,
vëlla, për ty është kjo festë, ky agim ku kujtimi bëhet realitet.
Tepër
gjatë ke ecur në heshtje, si dikush që ka humbur kujtesën, e nuk di nga vjen
e ku shkon. Je takuar me rreziqe e pengesa në vetminë tënde pa mbrojtje. Pa
një fjalë ngushëllimi, pa një fjalë besimi, pa një fjallë vëllazërore. Eja,
e kemi hapur Librin, eja, duam të dëgjojmë një Fjalë jete. Tani e tutje edhe
ti e di se në Krishtin Jezus mund të lidhim të gjithë aleancë në amshim me Zotin
e me njerëzit.
Eja, o vëlla, kjo festë është për ty, ky agim që na bën të
lindim në një jetë të re.
Tepër gjatë ke ecur në shkretëtirë, duke e
lënë pluhurin të ngjitet në lëkurë e në rroba, në zemër e në sy e ta thajë e
ta bëjë eshkë grykën. Eja, këtu është uji i gjallë që gurgullon gjithnjë për
ty, uji i pagëzimit. Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus mund të
ringjallemi për një jetë të re, si bij të Zotit.
Eja, vëlla, është për ty
kjo festë, kjo tryezë e shtruar, kjo darkë ofruar për të gjithë.
Tepër gjatë
ke ecur pa bukë e pa ujë. Të kanë lënë forcat, energjitë janë shuar. Tani
e tutje edhe ti e di se Krishti Jezus është Buka e Vera e jonë, Korp i thyer,
Gjak i derdhur për jetën e botës.