2008-03-21 18:05:17

Dhuna nuk do të ngadhnjejë


(24.03.2008 RV)E shtuna para Pashkëve është ndryshe nga të gjitha të tjerat. Gratë e Galilesë, fshehtas, përgatisnin aroma, por kishin errësirën në zemër. Edhe Nëna priste në heshtje. Është e shtuna e heshtjes së Zotit. Kështu edhe për secilin prej nesh, ulur përballë varrit.
Por vjen dita e tretë, është mëngjes apo mbrëmje, o natë ndoshta, edhe më mirë, në kthesën e një rruge, apo në një kopësht, ose në heshtjen e dhomës, takimi do të bëhet, si e kur të dojë Zoti. Secilit prej nesh i mjafton ta dëshirojë, ta kujtojë, të presë.
E do ta njohë, ashtu si gratë, falë dy shenjave që nuk gënjejnë: një druajtje e shenjtë, një dridhërimë prej kryqit e prej dashurisë, por që s’është frikë, është gëzimi që përhapet brenda vetes, i përvujtë e i fortë. Atëherë do të vrapojmë si Maria e Magdalës, si gratë e tjera, për ta shpallur “me druajtje e gëzim të madh”. Për të thënë me jetën tonë: Krishti është gjallë.
Nuk na mjafton ta dimë se Krishti ka vdekur - një kryq më shumë ndër podiumet tokësore të ekzekutimit me vdekje – ne duam të dimë se Krishti është ringjallur.
Filozofi i madh Paskal thotë: “Ajo që na bën të besojmë është kryqi, por ajo në të cilën besojmë është fitorja e kryqit”. Kjo është feja jonë: Jezusi është gjallë, sot. Ndërsa ai që nuk beson thotë: jo, për mua Jezusi nuk është gjallë. Këtu është ndryshimi.
Një tjetër filozof, Maks Horkhajmer, me pasion këshillon: “Duhet të mos e pranojmë më një realitet ku gjakësori të ketë përgjithnjë të drejtë mbi viktimën e vet”. E ardhmja e botës nuk i përket dhunës. Ky është kuptimi i thellë i Pashkëve për historinë tonë, në të cilën ringjallja e Krishtit nuk është kurrë e ndarë nga e jona.
Para së të ringjallej ai zbriti në ferr, në fundin e errët të historisë e të materies, për t’u dhënë energji e drejtim për nga drita, dashuria e liria. Nëse do të fillojmë të mendojmë se në thellësi të materies e në pjesët më të errëta të qenies sonë, ai ka zbritur për të ndriçuar e shndërruar, për të ringjallur dashuri e bukuri, atëherë edhe ne marrim pjesë në ngjalljen e Krishtit, që ringjallet për amshim nga fundi i qenies sime. Energji që rritet, farë jete, jetë që lulëzon.
Pashkët janë festa e rrokullisjes së shkëmbijve të mëkatit larg prej zemrës e shpirtit. E jemi më pas gati për pranverën e marrëdhënieve të reja, të tërhequr lart nga Krishti që ngjallet. Por, mos më prek, thotë Jezusi. Prekim për të pasur, për të shtrënguar, si të mos ekzistonte gjë tjetër. Mos më prek, sepse nuk përfundon këtu dueli: ky mëngjes, ky kopësht është vetëm fillimi. Festa e të korrave vjen pas, vjen shumë më mbrapa, kur Zoti do ta fshijë çdo lot e kur nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vaj, sepse gjërat e mëparshme do të kenë kaluar, e Krishti do të jetë gjithçka në të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.