2008-03-21 16:20:53

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(21.03.2008 RV)21 mars: Paqja e Hyjit e betimi i zotërinjve
Fshatarët kishin frikë se Enguerrandi, zotëria i kështjellës së afërme, ishte duke sajuar ndonjë plan të ri, të rrezikshëm. U tmerruan atë ditë të paharrueshme të vitit 990, kur në mes të arave ia behu, si reja me breshër, një grup burrash hipur mbi kuaj. Zgjidhën një nga një të gjitha lopët e fshatarëve dhe i morën me vete. Enguerrandi ua kishte vënë syrin prej kohe… ‘S’kam gjë mbas shpirtit, veç këtyre lopëve’ - i lutet një fshatar, i mbytur në lot.
“Krimb i ndyrë, a e di me kë po flet? Vijo, vijo, në se dëshiron t’i shikosh gjithë këto shtëpi të bëra hi e pluhur!”.
Aty nga fundi i shekullit X shumë kalorës sillen si Enguerrandi, dmth jo si fisnikë, por si cuba. Në Francë mbretëron çrregullimi. Dinastia e karolingëve, pasardhësit e Karlit të Madh, e kanë humbur fronin. Në vitin 987 kurorëzohet mbreti i ri, Ugo Kapeti, por askush nuk i nënshtrohet autoritetit të tij. Zotërinjtë sundojnë mbi trojet e tyre pa njohur asnjë lloj pushteti mbi krye. Fshatarët, njerëzit pa mbrojtje e deri meshtarët, bien gjithnjë më shpesh pre e dhunës së tyre.
Pikërisht në një kohë të tillë, ipeshkvijtë e Francës themelojnë një lëvizje, të cilën e quajnë ‘Paqja e Hyjit’, në përpjekjen për të vendosur atë paqe, pa të cilën askush nuk mund ta shohë Zotin.
Ipeshkvijtë shfrytëzojnë ndikimin e tyre mbi fisnikët dhe i bëjnë të betohen për paqen e Hyjit, betim përmes të cilit zotërinjtë premtojnë se nuk do t’i sulmojnë njerëzit e pambrojtur, nuk do të plaçkisin gjënë e fshatarëve, do të respektojnë kishat, që janë vende të shentja…. Me një fjalë, do të sillen si kalorës e jo si kusarë.
Për ta përforcuar betimin, zotërinjtë duhet ta shqiptojnë atë duke vënë dorën mbi një relike me eshtra shenjtorësh. Më pas, me propozimin e Shën Bernardit, nisën të betohen me dorë mbi Bibël.Sa herë që një nga zotërinjtë shqipton betimin, njerëzit vrapojnë për ta dëgjuar. Të betohesh do të thotë të japësh fjalën e nderit, në të cilën të gjithë duhet të besojnë. Kush nuk e mban fjalën, shkishërohet dmth, dëbohet nga bashkësia e krishterë. E ky dënim është më i rëndë se vetë vdekja. Prandaj zotërinjtë që betohen, duhet të mendohen mirë, para se ta hanë fjalën e dhënë. E, me kalimin e viteve, në Francë rritet shumë numri i zotërinjve që betohen, sepse lëvizja e paqes së Hyjit bëhet aq popullore, sa është vështirë të mos bashkohesh me të.







All the contents on this site are copyrighted ©.