(20.03.2008 RV)E Enjtja e Madhe është ditë posaçërisht e dashur për besimtarët
e për të krishterët. Përkujton Darkën e Mbrame të Zotit me Apostujt e vet, të cilëve
u lan këmbët, gjest që e prekë aq fort popullin e devoçëm.
Pyetje: -
Po, cila është domethënia e së Enjtes së Madhe?
Përgjigje: - E Enjtja
e Madhe është ditë e posaçme, tepër e dashur për Kishën, sepse kujton disa nga dhuratat
më të mëdha që Jezusi i bëri Kishës së tij, mbi të gjitha, Korpin e vet, Gjakun e
vet, për të mbetur kështu i gjallë, i pranishëm në botë deri në fund të fundit; pastaj
meshtarinë, e akoma, porosinë e mbrame, testamendin e dashurisë vëllazërore. Është
ditë vërtetë e ngarkuar me domethënie të thellë fetare e mistike.
Pyetje:
- Ungjilli i Gjonit është i vetmi që nuk e tregon Darkën e Mbrame, shugurimin
e bukës e të verës: por ndërkaq është edhe i vetmi që përshkruan larjen e këmbëve:
pse?
Përgjigje: - Kuptimi ndoshta është ky: nuk mund të themi se Gjoni
s’e njeh Eukaristinë, sepse dihet që në Kishat që themeloi Apostulli, Eukaristia kremtohej
rregullisht, por ai foli për bukën e jetës - së cilës i kushtohet një kapitull i tërë
në Ungjillin e tij – e me këtë episod deshi të vinte në dukje kuptimin e thellë të
Eukaristisë, jo aq të ritit, sa të domethënies, që është shërbim. Eukaristia, sipas
Gjonit, është sakramenti që na shuguron për t’i shërbyer njëri-tjetrit, siç shkruan
në Letrën e tij të parë: “Ai dha jetën për né; edhe ne duhet të japin jetën për njëri
tjetrin”. Pra, nuk është vetëm larja e këmbëve. Gjoni ka edhe fjalët mahnitëse
të lamtumirës së fundit të Jezusit, që përbëjnë kulmin e Ungjillit.
Pyetje:
- Dikur theksohej koncepti i Meshës si flijim. Ndërsa sot vihet më tepër në dukje
koncepti i darkës. Si ta jetojmë Meshën?
Përgjigje: - Besoj – e edhe
Gjon Pali II në Ecclesia de Eucharistia e kujton këtë – se Eukaristia duhet
të konsiderohet një e vetme e të mos ndahen aspektet e ndryshme të saj. Është e vërtetë
se në rrjedhë të historisë janë theksuar herë pas here disa aspekte. Në të kaluarën
vihej më shumë në dukje prania reale e Krishtit, flijimi; sot – Kungimi, shujta e
jetës, gostia. Janë të gjitha realitete të vërteta, aspekte të vërteta të Meshës.
Është e rëndësishme të mos ndahen. T’i heqësh, për shembull, përmasën e flijimit,
do të thotë ta privosh Meshën nga një përmasë dramatike që, ndërmjet tjerash, shpjegon
e hedh dritë të jashtzakonshme mbi jetën, edhe njerëzore. Duhet kujtuar edhe se Kungimi,
shujta e jetës, flet për gëzim, tregon se Eukaristia është sakramenti i shpresës,
që na përgatit për gostinë e amshuar.