2008-03-20 18:59:32

Eukaristia


(20.03.2008 RV) Eukaristia është mbi të gjitha mister i fesë, dhurata më çmuar e Jezusit, i cili flijon vetveten për shpëtimin tonë. Duke kremtuar Eukaristinë, ngjarja shëlbuese e vdekjes dhe e ngjalljes së Jezusit, bëhet realisht e pranishme dhe vepruese: ky flijim është aq vendimtar për shëlbimin e gjinisë njerëzore, sa Jezu Krishti e kreu dhe u kthye te Ati Qiellor vetëm pasi na la mjetin për të marrë pjesë në Të e për të gëzuar frytet shëlbuese të flijimit të Tij. Eukaristia është bukë e gjallë që na jep ditë për ditë forcë e gjallëri.
Në radhë të dytë, Eukaristia themelon Kishën. Shkrirja me Krishtin, që realizohet në Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia ka aftësi bashkuese. Duke qenë të pranishëm në Eukaristi, besimtarët bëhen një trup i vetëm, që nga çasti kur të gjithë marrin pjesë nga njëjta bukë, siç thotë edhe Shën Pali Apostull në letrën e parë drejtuar Korintianëve. Kujtojmë këtu edhe vlerën e madhe të kultit eukaristik jashtë Meshe, me sakramentin jashtë e me ndalesat adhuruese ose vizitat e vazhdueshme tek Jezusi eukaristik. Lidhur me këtë, kujtojmë një episod nga jeta e Edith Stein. Një nga arsyet që e shtynë të rrokte fenë e krishterë, qe pikërisht përvoja e vizitave te Jezusi Eukaristik nga ana e besimtarëve të veçantë në Kishën katolike të Gjermanisë. Vërejti se katolikët shkonin të vizitonin një të Gjallë, Jezusin, mikun e tyre besnik e shëlbues.
Pika e tretë që vlen të theksohet, në se flasim me gjuhën e baritorisë, është lidhja ndërmjet eukaristisë dhe sakramentit të pendesës, rrëfimit. Pajtimi është rrugë e detyrueshme. Pa të nuk mund të merret pjesë plotësisht e me fryt në flijimin eukaristik. Eukaristisë duhet t'i afrohemi vetëm në se jemi në hir të Zotit. Ky bashkim i brëndshëm hiri me Jezusin, duhet shprehur pastaj edhe në bashkimin kishtar: në bashkimin me Papën e me ipeshkvijtë si dhe me magjisterin e tyre baritor. Prandaj Eukaristia krijon bashkimin dhe edukon bashkimin!
"Ngjarja kryesore e kremtimit të Darkës së Fundit të Enjten e Shenjtë, është dhurata e madhe e Krishtit: përmes flijimit të vetvetes, themelon Eukaristinë. Duke e pasë dashur Kishën e vet, Jezusi e deshi deri në fund të fundit. Natën para se të mundohej e të vdiste, u dha apostujve të vet e, përmes tyre edhe mbarë Kishës, Eukaristinë shenjte. E filloi duke ua larë këmbët. Qe provë e madhe dashurie e përvujtnie. Kështu Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë e njëri tjetrin. Gjatë Darkës, me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu sakramentin e urdhërit të shenjtë, të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund të themi se sonte Kisha adhuroi dhe falënderoi Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin e Eukaristisë Shenjte!
Edhe Papa në homelinë e rastit, duke i ftuar të gjithë besimtarët të ulen rreth sofrës, së bashku me Krishtin, rikujtoi çastet kulmore të Darkës së Fundit të Zotit dhe shpjegoi simbolet kryesore: larjen e këmbëve, simbol i shërbimit e i dashurisë vëllazërore dhe themelimin e Eukaristisë, misterit më të madh e më të pakuptueshëm për arsyen njerëzore, që na bën një me Krishtin e me vëllezërit, përmes simboleve të thjeshta eukaristike: bukës e verës që shndërrohen në Korpin e Gjakun e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.