2008-03-19 17:44:14

Sot, në ditën e emrit të Papës, kujtojmë fjalët e tij për Shën Jozefin.


(19.03.2008 RV)Sot, 19 mars, Papa Jozef Racinger festoi ditën e emrit, ndonëse sivjet kalendari e përshpejtoi solemnitetin, duke e vendosur më 15 mars, për shkak të Javës së Madhe. Shën Jozefi, pajtor i Kishës universale, është shenjt shumë i dashur për Benediktin XVI. Po rikujtojmë disa nga fjalët që ka thënë Papa për fatin e Virgjërës Mari.
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 19 marsit 2006, Ati i Shenjtë theksoi se ”Figura e këtij Shenjti të madh, ndonëse mbetet më shumë e fshehur, ka rëndësi themelore në historinë e shëlbimit. Shën Jozefi, njëlloj si fati i tij, Maria, dëshmoi se ishte trashëgimtar i vërtetë i besimit të Abrahamit: besim në Hyjin, që i udhëheq ngjarjet e historisë sipas planeve të Tij misterioze të shpëtimit.
Madhështia e Jozefit, njëlloj si e Marisë, del edhe më shumë në pah, sepse misioni i tij u krye përvujtërisht në fshehtësinë e Shtëpisë së Nazaretit. Nga ana tjetër, vetë Hyji, në Vetjen e Birit të tij të mishëruar, e zgjodhi këtë rrugë e këtë mënyrë – të përvujtë e të fshehur, në jetën e tij tokësore.
Shembulli i Shën Jozefit – thekson Benedikti XVI - na fton ta kryejmë me besnikëri, thjeshtësi e modesti detyrën që na cakton Provania Hyjnore.
Mendoj kryesisht për etërit e nënat e familjeve – nënvizon Papa Jozef Racinger - e lutem që ta vlerësojnë gjithnjë bukurinë e jetës së thjeshtë e punëdashëse, duke i kultivuar me kujdes marrëdhëniet bashkëshortore e duke e kryer me entuzisazëm misionin e madh, e aspak të lehtë, edukativ. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 19 mars 2006).
Papa ua beson Shën Jozefit punëtorët e mbarë botës, të rinjtë që nuk e kanë të lehtë të gjejnë punë e të gjithë të papunët. E kërkon ndërmjetësimin e Shenjtit, që meshtarët ta duan Kishën me përkushtim të plotë e që rregulltarët t’u qëndrojnë besnikë kushteve të varfërisë, pastërtisë e bindjes.
Për Shën Jozefin, model i njeriut të drejtë, Ungjijtë nuk flasin asnjë fjalë. Ndërsa Papa, duke e kujtuar këtë heshtje, shpjegon:
“Heshtja për të përshkohet nga kundrimi i misterit të Hyjit, sepse ai iu shtrua plotësisht dëshirave hyjnore. Me një fjalë, heshtja e Shën Jozefit nuk është zbraztësi shpirtërore por, përkundrazi, është fe e pakushtëzuar, që e mbush përplot zemrën e tij e që i prin mendimit të tij në çdo rrethanë… Ta bëjmë tonën këtë heshtje të Shën Jozefit; kemi shumë nevojë për të, në një botë plot zhurmë, që nuk na ndihmon ta dëgjojmë zërin e Hyjit (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18 dhjetor 2005).
Në përfundim të këtij reflektimi, kujtojmë se sot Papa Jozef Ratzinger mori urime nga të katër anët e botës. Bashkojmë edhe ne zërin me urimet që vijojnë t’i arrijnë Benediktit XVI, të cilit në pagëzim iu vu emri Jozef, gjë që e lidhi për gjithë jetën me figurën e Shën Jozefit.







All the contents on this site are copyrighted ©.