2008-03-19 17:44:01

Nesër Papa do të kryesojë Meshën e Bagmit dhe Meshën ‘In Cena Domini’: reflektim i kardinalit Arinze.


(19.03.2008 RV)RealAudioMP3 Nesër paradite, duke nisur nga ora 9.30, Papa do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën e Bagmit. Pasdite, në 17. 30, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, do të hapë kremtimet e Triditshit të Pashkëve me Meshën in Cena Domini (Mesha e Darkës së Mbrame). Gjatë ritit të larjes së këmbëve, asambleja do të ftohet të bëjë një gjest bamirësie, me ofertat që do t’i besohen Papës, për të ndihmuar një jetimore në Kubë. Por, për gjestin e larjes së këmbëve, të dëgjojmë reflektimin e kardinalit Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve.

Pyetje: - Ç’e shtyn Jezusin t’u lajë këmbët Apostujve?

Përgjigje: - Dashuria. Jezusi u thotë Apostujve: “E shikoni ç’po bëj për ju? Në se unë, Mësuesi, po laj këmbët tuaja, edhe ju duhet t’ua lani këmbët të tjerëve”. Sot ne, në jetën tonë shoqërore, nuk ia lajmë kujt këmbët, por ama mund ta zvendësojmë këtë gjest me gjeste të tjera: mund t’i urojmë tjetrit mirëseardhjen, mund ta përqafojmë, ta puthim… Tek ne, në Nigeri, sa vjen miku, i bëjmë gati ujin për të larë duart e pastaj i japim një arrë kokosi, si shenjë e mirëseardhjes. Në çdo rast, larja e këmbëve ka qenë simbol i dashurisë për të tjerët: Jezusi bën një gjest përvujtërie; Ai Mësuesi, gjunjëzohet për t’u larë këmbët Apostujve, meshtarëve të tij të parë, duke u dhënë vetë i pari shembullin për të ecur në këtë rrugë. Kjo lidhet ngushtë me Eukaristinë. Shën Gjoni Ungjilltar nuk tregon si u themelua Eukaristia, por flet për larjen e këmbëve. E bën këtë, sepse dashuria dhe Eukaristia lidhen ngushtë: Deus caritas est – Zoti është dashuri!

Pyetje: - Të Enjten e Madhe kremtojmë themelimin e Eukaristisë: duhet të dalë më në pah aspekti i flijimit, apo i darkës - në këtë Meshë?

Përgjigje: - Të dy. Eukaristia si flijim, është dhuarata që i bën Jezusi Atit, duke lëshuar në duart e Tij gjithë vetveten e njëkohësisht, lidhja e ngushtë e Zotit me Kishën. Ja pse flijimi eukaristik është burimi e kulmi e maja më e lartë e kultit të krishterë. Në këtë flijim Jezusi na dhurohet ne, në Kungimin Shenjt. Prandaj Mesha është e tëra akt i adhurimit të Hyjit, akt lavdërimi e falënderimi; e Jezusi, pastaj, si shpërblim, na jep Korpin e Gjakun e vet. Kush i ndan këto dy përmasa, bën keq, sepse Jezusi na ka thënë: Ja Korpi im që do të flijohet për ju; merrni e hani të gjithë prej këtij: është një unitet. Marrja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit bëhet gjatë flijimit; pa Meshë nuk ka Kungim Shenjt: e qartë?







All the contents on this site are copyrighted ©.