2008-03-19 18:47:50

Kostoja e luftës në Irak


(19.03.2008 RV)Në prag të 5-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake në Irak, administrata amerikane vazhdon të paguajë shuma të mëdha për financimin e operacioneve ushtarake në vendin arab. Sipas vetë amerikanëve, lufta në Irak do të kushtojë mëse 3000 miliard dollarë, konflikti më i shtrenjtë i historisë amerikane. Sipas ekonomistit e shkencëtarit indian Razhendra Paçauri, i cili foli në një konferencë në Kopenhagen, me shumën e shpenzuar për Irakun në një muaj, qeveria amerikane do të mund t’ia ndryshonte faqen botës. Për shembull, mund të siguronte elektricitet për një miliard persona, një e gjashta e popullsisë botërore. Më një të tretën e kostos së vlerësuar mund të ndërtohen 8 milion shtëpi, të merren në punë 15 milion profesorë, të mjekohen 530 milion fëmijë e t’u jepen bursa studimi 43 milion të rinjve.

Mbetemi në Irak, ku përfundoi sot me rezultate jo të kënaqshme, konferenca e dytë e pajtimit kombëtar. Një komunikatë ku dënohet terrorizmi e bëhet thirrje për ta mbajtur vendin të bashkuar është maksimumi i përpjekjeve të grupeve që u mblodhën që dje në Bagdad. Mungesa e grupit sunit “Fronti i Bashkëpunimit”, e atij të lidhur me liderin shiit Moktada al Sadr dhe e eksponentëve të tjerë të rëndësishëm e zvogëloi rëndësinë e takimit.

Mbretëresha e Anglisë, Elizabeta II mbërriti mbrëmë në Irlandën e Veriut për një vizitë triditore. Udhëtimi i saj përkon me 10 vjetorin e “Marrëveshjes të së Premtes së Madhe”, që më 10 prill 1998 i pati dhënë fund dhunës ndërmjet Unionistëve dhe Republikanëve. Mbretëresha do të marrë pjesë nesër, të Enjten e Madhe, në meshën ekumenike të kremtuar në katedralen anglikane të shën Patrikut në Armag dhe do t’u shpërndajë çanta me para 164 përfaqësuesve të katër besimeve të krishtera. Kjo ceremoni e ka origjinën në vitin 1300, kur sovrani u lante këmbët nënshtetasve, ashtu si Krishti. Por në vitin 1633, ceremonia u shndërruar në mënyrën si bëhet sot, pra me shpërndarjen e çantave me para.







All the contents on this site are copyrighted ©.