2008-03-19 18:43:40

Dalai Lama i kërkon Kinës të rifillojë dialogun mbi Tibetin


(19.03.2008 RV)Një thirrje tjetër për Tibetin, pas asaj të Papës në audiencën e përgjithshme. Dalai Lama, lideri shpirtëror në mërgim, i bën thirrje Kinës të rifillojë dialogu i ndërprerë dy vjet më parë. Në një takim me përfaqësuesit e bashkësisë tibetane, që nuk duan të bëjnë lëshime, ai u impenjua për një zgjidhje pa dhunë të krizës. Ndërkaq, Pekini njofton se në kryeqytetin e Tibetit, Lhasa, gjendja po shkon drejt normalitetit. Organizata “Human Rights Ëatch” (Hjumën Rajts Uoç) dhe Amnesty International (Amnesti Interneshënëll) i kanë kërkuar Kinës të lejojë takimin e vëzhguesve të pavarur me tibetanët e arrestuar gjatë këtyre ditëve. Agjensia kineze e lajmeve Ksinhua njofton edhe se manifestues për pavarësinë e Tibetit kanë sulmuar institucione, shkolla e dyqane në një zonë tjetër, e kanë akuzuar përsëri Dalai Lamën për organizimin e tyre.

SHBA-të i kanë dorëzuar Rusisë nëntë propozime për mbrojtjen me raketa që Uashingtoni ka ndërmend të vendosë në Evropën Qendrore. Moska ka njoftuar se po i shqyrton. Ndërkaq, në një intervistë për një gazetë, ish-presidenti i Republikës Çeke, Vaclav Havel ka deklaruar se Rusia e epokës së Vladimir Putinit është një diktaturë e tipit të ri, e udhëhequr nga spiunët e KGB-së dhe nga mafiozët. Sipas tij, qeverisja e Putinit është një kombinim i “ç’ka më të keqe komunizmi dhe kapitalizmi”. Duke iu referuar pikërisht mbrojtjes me raketa, Havel pyet: “Pse rusët janë kundër radarit në Brdi? Natyrisht nuk e vrasin mendjen për mbrojtjen, por për faktin se ai është këtu, në një hapësirë ku ata mendojnë se siguria do të duhej të vendosej prej tyre”


Bëhet gjithnjë e më konkrete hipoteza e bashkimit të Qipros. Presidenti i ri greko-qipriot, Demetris Kristofias ka deklaruar se është gati të kërkojë sëbashku me palën turko-qipriote një zgjidhje, me të cilën të kapërcehen vështirësitë, që hasen që nga viti 1974. Pikërisht në atë vit, turqit pushtuan veriun e Qipros, si përgjigje ndaj grushtit të shtetit, realizuar në Nikozi nga ushtarakët e të ashqtuquajturit “regjim i kolonelëve”. Njohja e pavarësisë së kësaj pjese nga Turqia përbën një pengesë serioze në integrimin e Ankarasë në Bashkimin Evropian. Për popullin ndarja nuk ekziston më, por për qeveritë, pjesa greke do të preferonte një zgjidhje dy-zonale në një federatë, ndërsa ajo turke do të dëshironte një konfederatë dy shtetesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.