2008-03-19 17:43:50

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme flet për Triditshin e Pashkëve dhe bën thirrje për pajtim në Tibet.


(19.03.2008 RV)RealAudioMP3 “Shpresa e paqes së Pashkëve të krishtera është më e fortë se ‘lajmet dramatike’, që arrijnë nga bota”. 12 mijë besimtarëve, të pranishëm në audiencën e përgjithshme – që edhe sot pati dy çaste takimi: në Bazilikën e Vatikanit e në Sallën e Palit VI – Benedikti XVI në fillim u shpjegoi çastet më të rëndësishme të së Enjtes, së Premtes e të së Shtunës së Madhe.
‘Urrejtja, përçarjet, dhuna, nuk e thonë kurrë fjalën e fundit në ngjarjet e historisë”. Me këto fjalë Benedikti XVI përfundoi reflektimin kushtuar Triditshes, që i paraprin Pashkëve, duke vënë me forcë në dukje vlerën e amshuar të fitores së Krishtit mbi vdekjen. E pak minuta më vonë, Ati i Shenjtë e konkretizoi reflektimin me thirrjen për paqe në Tibet, ku vijojnë ndeshjet e përgjakshme, dhe me vërejtjen se: “Me dhunë nuk zgjidhen problemet, përkundrazi, bëhen edhe më të vështira”.
Qielli e toka, dy përmasat e pandara të mesazhit të krishterë, bëhen më të dukshme se kurrë në Triditshin e Pashkëve, që Benedikti XVI e quajti “thelb i fesë së krishterë”; “zemër e strumbullar i gjithë vitit liturgjik”; “ditë e pashembullt’, në të cilën Kisha ngjitet në Kalvar, zbret në varr e ringjallet me Krishtin. E njëkohësisht, kujtimi i këtyre mistereve do të thotë edhe – nënvizoi me forcë Papa – t’i jetosh si ngjarje të së sotmes së historisë, me bindjen se gjithçka kremtojmë, është realitet i gjallë e aktual:
Ta bëjmë, pra, të pranishme në lutjen tonë, dramaticitetin e fakteve e të situatave që trondisin këto ditë shumë nga vëllezërit tanë në të katër anët e botës. E dimë se urrejtja, përçarjet, dhuna, nuk e thonë kurrë fjalën e fundit në ngjarjet e historisë. Këto ditë në shpirtin tonë lind shpresa e madhe: Krishti i kryqëzuar u ngjall, e mundi botën. Dashuria, që është më e fortë se urrejtja, fitoi, e edhe ne duhet të marrim pjesë në gëzimin e fitores së dashurisë. Duhet të nisemi nga Krishti e të punojmë në bashkim me Të për një botë që ngrihet mbi themelet e paqes, të drejtësisë e të dashurisë”.
Gjatë katekizmit, Benedikti XVI shpjegoi me radhë simbolikën e ditëve të kësaj Jave të Madhe, e cila që nesër e deri të dielën e ardhshme do të rikujtojë orët e fundit të jetës tokësore të Jezusit. Nga bekimi i vajrave të shenjta, në Meshën e Bagmit, që do të kremtohet nesër, tek kremtimi i Darkës së Mbrame të Zotit, gjatë së cilës - pohoi Papa – Krishti i dhuron Kishës në fasha ‘ilaçin e pavdekësisë”, Eukaristinë. Më pas Benedikti XVI foli për misterin e dhimbjes e të vdekjes, që ndjehet fuqimisht të Premten e Madhe: rast i përshtatshëm për të medituar mbi misterin e madh të së keqes e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister, ndihmojnë shumë manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Via Crucis (Udha e Kryqit) ose shfaqjet e tjera kishtare – shpjegoi Papa – të cilat synojnë të lenë gjurmë sa më të thella në shpirtin e besimtarëve, duke u krijuar përshtypjen e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në flijimin e Jezusit. E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në të cilën zhyten të gjitha Kishat, me elterët e zhveshur nga stolitë, duke e ftuar besimtarin t’ia hapë shpirtin mëshirës hyjnore:
“Ka rëndësi të madhe në këtë ditë pjesëmarrja në sakramentin e rrëfimit, rrugë e domosdoshme për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur që t’i kremtojmë Pashkët me shpirt të përtrirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë për këtë përtëritje të shpirtit tonë”.
Në përfundim të katekizmit, pastaj, Papa bëri thirrje për Tibetin dhe përshëndeti të pranishmit në gjuhë të ndryshme. Ndjek me ankth – tha Ati i Shenjtë – lajmet që vijnë këto ditë nga kjo zonë e Azisë:
“Zemra ime prej Ati ndjen trishtim e dhimbje për gjithë këta njerëz që vuajnë. Misteri i mundimeve dhe i vdekjes së Jezusit, që e rijetojmë në Javën e Madhe, na ndihmoftë ta ndjejmë thellë këtë situatë. Me dhunë nuk zgjidhen problemet, por vetëm rëndohen. Ju ftoj të bashkoheni me mua në lutje. T’i kërkojmë Hyjit të gjithëpushtetshëm, burimit të dritës, t’i ndriçojë mendjet e të gjithëve e t’u japë guxim të zgjedhin rrugën e dialogut e të tolerancës”.
Para se të shkonte në Sallën e Palit VI, Benediktin XVI e përshëndetën me brohoritje festive studentët e mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, të cilët këto ditë marrin pjesë në një Kongres ndërkombëtar universitar, organizuar nga Opus Dei. Papa ua ktheu përshëndetjen në gjuhën angleze e spanjolle, duke përfunduar, pastaj, në italisht, me porosinë:
“Të jeni tharm i shpresës në këtë botë, që ka etje për Jezusin, nganjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Për t’u përmirësuar, përpiquni në radhë të parë të ndryshoni vetveten, përmes një jete të thellë sakramentore, posaçërisht përmes sakramentit të rrëfimit e të pjesëmarrjes së rregullt në kremtimin e Eukaristisë. Ia besoj secilin nga ju si dhe familjet tuaja, Virgjërës Mari, që nuk pushoi kurrë s’e kundruari fytyrën e Birit të saj, Jezusit. Lutem që për secilin prej jush të ndërmjetësojë pranë Hyjit Shën Hozemaria dhe të gjithë shenjtorët e trojeve tuaja, në sa ju uroj me gjithë zemër: ‘Për shumë vjet Pashkët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.