2008-03-18 17:33:48

Tibet: Dalai Lama gati të japë dorëheqjen


(18.03.2008 RV)Emergjencë në Tibet. Dalai Lama, i cili ndodhet si refugjat në Indi, ka deklaruar se është gati të japë dorëheqjen, nëse situata do të keqësohet. Kina akuzon atë dhe bashkëpunëtorët e tij se kanë organizuar dhunën. E dje në Pekin u arrestuan rreth 100 studentë tibetanë që mbajtën një manifestim solidariteti me murgjërit budistë. Protestat vazhdojnë në zona të tjera të Tibetit, pasi gjendja në kryeqytetin Lhasa kontrollohet me forcë. Sot paradite, rreth 500 murgjër manifestuan në Dogo. 19 vetë janë vrarë në Mançu. Protestë edhe në Indi. Mëse 2 mijë tibetanë, ardhur nga të gjitha provincat e Indisë së Veriut u mblodhën në Siliguri për t’i kërkuar Kombeve të Bashkuara t’i japë fund represionit kinez në Tibet. Udhëhiqeshin nga mëse 100 murgjër. Presidenti i Europarlamentit, Pëtering ka hedhur idenë e bojkotimit të Olimpiadës së vitit të ardhshëm, të paktën nga eksponentët politikë.

Filloi sot në Irak konferenca e pajtimit kombëtar, që do të zgjasë dy ditë. Në të janë mbledhur përfaqësues nga të gjitha grupet politike. Kryeministri Al Maliki ftoi vendet fqinjë të mos ndërhyjnë në punët e brendshme. Në terren vazhdon dhuna. Në dy shpërthime në Bagdad mbetën mëse 10 të vdekur. Një grua kamikaze shpërtheu dje në Qerbela, duke shkaktuar 52 viktima e mëse 70 të plagosur.

Nga frika e sulmeve, ministri izraelit i Mbrojtjes, Barak urdhëroi mbylljen e kalimeve me Çisjordaninë, që nga nata e sotme deri të dielën. Shtatë janë bombat që u gjetën në Jenin, në brendësi të një makine. Mbetet gjithashtu i lartë tensioni në Jeruzalem, pasi një plaestinez sulmoi një hebre ortodoks me thikë. Në një faqe interneti të Hamasit, tregohet një video ku i thuren lavde të riut që vrau 8 seminaristë hebrenj në kolegjin e rabinëve të qytetit, dy javë më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.