2008-03-18 16:38:33

Si duhet jetuar një Javë, që quhet ‘e Madhe’: me ne, kardinali Arinze.


(18.03.2008 RV)Java e Madhe nisi me të Dielën e Larit, 16 mars. Në Sheshin e Shën Pjetrit u kremtua në nivel dioqezan edhe Dita XXIII Botërore e Rinisë.
Kremtimi sivjetëm pati një kuptim të veçantë: pas pak muajsh, nga 15 deri më 20 korrik 2008, përfaqësuesit e të rinjve të mbarë botës do të nisen drejt Sidneit për Ditën e tyre Botërore: jo më në nivel dioqezan, por në nivel ndërkombëtar. Do të nisen nga skajet më të largëta të tokës, për t’u mbledhur rreth Benediktit XVI, që kryeson për herë të dytë, pas Këlnit, një eveniment të tillë botëror. Tema e zgjedhur nga Papa për DBR-në australiane, është “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap. 1, 8).
E Diela e kaluar bashkoi në një ngadhënjimin mbretëror të Krishtit dhe kumtimin e mundimeve të Tij.
Ati i Shenjtë bekoi larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të procesionit, kremtoi Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit.
Të Enjten e Madhe, më 20 mars, Shenjtëria e Tij do t'i prijë bashkëkremtimit të Meshës së Bagmit me kardinajtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët dioqezanë e rregulltarë, të pranishëm në Romë, si shenjë e bashkimit të ngushtë ndërmjet Bariut të Kishës Universale dhe vëllezërve e tij në meshtarinë ministeriale.
Fillon kështu TRIDITSHJA E PASHKËVE
Triditshja e Pashkëve-e Mundimeve dhe Ngjalljes së Zotit, "kulm i gjithë vitit liturgjik" nis me Meshën e Darkës së fundit të Krishtit, gjen thelbin e vet në natën e pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes.
Të Enjten e Madhe, kremtohet Mesha e Darkës së Fundit të Krishtit. Me këtë meshë, që kremtohet në orët e mbrëmjes, Kisha kujton darkën e fundit, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit-Atë Korpin dhe Gjakun e vet nën trajtën e bukës dhe të verës, ua dha apostujve si ushqim dhe i urdhëroi që ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej.
Ati i Shenjtë do të udhëheqë bashkëkremtimin e Meshës. Pas homelisë, do të kremtohet riti i larjes së këmbëve të dymbëdhjetë meshtarëve.
Të Premten e Madhe, më 21 mars, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë do t'i prijë kremtimit të Liturgjisë të Fjalës së Zotit.
Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua, Kisha, me meditimin e mundimeve të Zotit e Dhëndrrit të vet dhe me adhurimin e Kryqit - përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës.
Po më 21 mars, duke nisur nga ora 21.00, Benedikti XVI, sipas traditës do të udhëheqë në Koloseo "Udhën e Kryqit", sivjet me meditimet e shkruara nga kardinali kinez, Çen Zhë-Qyn. Në përfundim Papa do t'u drejtojë fjalën të pranishmëve dhe do t’u japë Bekimin e Tij Apostolik.
E Diela e Pashkëve të Ngjalljes së Zotit, më 23 mars, pason Natën e Pashkëve në nderim të Jezusit e cila, sipas një tradite shumë të lashtë, kremtohet me lutje, që na kujtojnë natën në të cilën Krishti u ngjall. Kjo natë konsiderohet "nënë e të gjitha netëve të lutjes". Këtë natë Kisha rri zgjuar, në pritje të Ngjalljes së Zotit dhe e kremton me sakramentet e zanafillës së krishtërimit.
Me të Dielën e Pashkëve fillon "hapësira gazmore e Rrëshajve", ose 50 ditshja e Pashkëve, në të cilën Kisha kremton praninë e të Ngjallurit dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.Nata e lutjes do të kretmohet në bazilikën e Vatikanit.
Ati i Shenjtë do të bekojë zjarrin e ri në tremen e bazilikës, më pas procesioni do të hyjë në bazilikë me qiriun e Pashkëve dhe me këngën "Exultet". Me të arritur në elter, do të fillojë liturgjia e Fjalës së Zotit, liturgjia e Pagëzimit dhe liturgjia eukaristike, që do të bashkëkremtohet nga kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët.
Mesha e Ditës së Pashkëve do të kremtohet në tremen e Bazilikës së Vatikanit, udhëhequr nga Papa Benedikti XVI i cili, sipas traditës, në përfundim të kremtimit do të japë bekimin "Urbi et Orbi" - "Romës e Botës.

Por si duhet të përgatitemi për Triditshen e Pashkëve?
Të dëgjojmë kardinalin Frensis Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve:

“Me shumë fe, me shumë vëmendje, me ndjekjen e kujdesshme të teksteve që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: vuajtja, vdekja e ngjallja e Krishtit. Kush e ndjen në shpirt Javën e Madhe, kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.