2008-03-17 18:01:44

Skadoi ultimatumi i Pekinit për tibetanët


(17.03.2008 RV)Ndërsa palestinezët dhe izraelitët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për procesin e paqes, në Tokën e Shenjtë ka filluar si kudo, Java e Madhe e Pashkëve. Në mesazhin e tij të fundit të Pashkëve, pasi së shpejti mbush 75 vjeç dhe përfundon mandatin, Patriku i Jeruzalemit të Latinëve, Mishel Sabah u kërkon palëve që të kuptojnë se pas dhjetra vjetësh konflikti, ushtritë nuk i mbrojnë popujt, por i ekspozojnë ndaj dhunës, frikës, pasigurisë. “Dhuna shkatërron e nuk ndërton” nënvizon Patriku. Gjatë 20 vjetëve të fundit, prania e të krishterëve në Tokën e Shenjtë është ulur nga 20% në 2%.

Në orën 17, me orën evropiane, ka skaduar ultimatumi që autoritetet e Pekinit u patën dhënë tibetanëve. Revolta e rajonit autonom të Tibetit kundër represionit kinez filloi që të premten e deri tani ka shkaktuar mëse 100 viktima, sipas tibetanëve, e vetëm 13, sipas autoriteteve kineze. Udhëheqësi shpirtëror budist, Dalai Lama flet për “genocid kulturor”. Forcat e policisë u janë përgjigjur me gaz lotsjellës e me forcë protestave të tibetanëve. Manifestimet filluan në kryeqytetin Lhasa, ku sot ka qetësi relative, për të vazhduar në qytetet e tjera. Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar reagimin kinez ndaj protestave të murgjërve budistë, por ka përjashtuar për momentin mundësinë e bojkotimit të Olimpiadës, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Pekin.

Gjithnjë e më tepër nën presion presidenti francez Nikolas Sarkozì, pas humbjes së qartë të Partisë së tij, UMP në zgjedhjet administrative në Francë. Në ballotazhin e djeshëm, shumë qytete të rëndësishme si Tuluza dhe Strasburgu i kaluan së majtës. Në nivelin kombëtar, Partia Socialiste e rivales së Sarkozisë, Segolen Ruajal fitoi 49% të votave, ndërsa UMP-ja 47,5%. E majta kontrollon tani 58% të qyteteve me mëse 30 mijë banorë. 40 qytete nga qeverisja e djathtë kanë kaluar në dorën e së majtës. Rezultati do ta detyrojë presidentin francez të riformojë qeverinë dhe të ndryshojë strategjitë. Është i nevojshëm përshpejtimi i ritmit të reformave, shkruan gazeta pro-qeveritare “Le Figaro”. Konsensusi i francezëve për Nikolas Sarkozì ka rënë nga 67% që ishte në korrik, në 40%-shin e tanishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.