2008-03-17 15:55:48

Publikohet programi i shtegtimit të Papës në SHBA: Benedikti XVI do të flasë në OKB e do të lutet në Ground Zero.


(17.03.2008 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot programin zyrtar të shtegtimit apostolik të Papës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe të vizitës në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në shtegtimin e tij të 8-të ndërkombëtar, Benedikti XVI do të shkojë në Nju Jork dhe në kryeqytetin e SHBA, Uashington.
Papa do të niset më 15 prill për në Uashington nga aeroporti i Fiumiçinos, për të arritur në orën 16. 00 me orën vendase, në Uashington, ku do të pritet nga presidenti i SHBA, Xhorxh W. Bush dhe bashkëshortja.
Më 16 prill, pas vizitës së mirësjelljes tek presidenti amerikan në Studion Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Benedikti XVI do të takohet me kardinajtë dhe ipeshkvijtë katolikë të vendit dhe do të përshëndesë përfaqësuesit e fondacioneve bamirëse katolike.
Më 17 prill do të kryesojë Meshën Shenjte në Nejshënell Steidium (National Stadium) të kryeqytetit, për të takuar, pasdite, botën universitare katolike, ndërsa në mbrëmje, përfaqësuesit e feve të tjera.
Të premten, më 18 prill, Papa do të zhvendoset në Nju Jork, në Selinë e Kombeve të Bashkuara: këtu do të mbajë fjalimin e shumëpritur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në mbrëmje do të marrë pjesë në një takim ekumenik.
Më 19 prill Benedikti XVI do të kryesojë, në katedralen e Shën Patrikut të Nju Jorkut, Meshën Shenjte me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, pasuar nga takimi me të rinjtë e seminaristët. Një çast tjetër i rëndësishëm i shtegtimit, do të jetë vizita në Graund’Zierou (Ground Zero) të dielën, më 20 prill: këtu Papa do të lutet për viktimat e atentateve. Pasdite, Mesha në Jenki Steidium (Yankke Stadium) të Nju Jorkut.Në mbrëmje do të niset për Romë, ku parashikohet të arrijë të hënën, më 21 prill, në orën 10. 45.







All the contents on this site are copyrighted ©.