2008-03-17 15:56:14

Kardinali Dias përuron kishën e parë katolike në Katarr


(17.03.2008 RV)Më se 6 mijë besimtarë morën pjesë dje në përurimin e kishës së parë katolike në emiratin arab të Katarrit. Është një ngjarje vërtetë historike për këtë vend, ku ngrihet përsëri pas pesë shekujsh, një ambient kulti për katolikët. Kisha e Zojës Rruzare, pa këmbana e pa këmbanare, u ndërtua në rrethinat e Dohës, kryeqytet i vendit, mbi një truall që iu dhurua kishës shtatë vjet më parë nga emiri Hamad bin Kahlifa Al Thani, përkrahës i dialogut ndërfetar.Në kremtimin, kryesuar nga kardinali Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, i cili u përcolli të pranishëmve edhe përshëndetjen e Papës, morën pjesë personalitete të larta të Kishës e të vendit. Kështu, më në fund, katolikët e Dohës kanë shtëpinë e tyre, ku mund të mblidhen pa frikë për t’u lutur. 150 mijë të krishterët, që jetojnë në Katar, vijnë kryesisht nga Filipinet, India e nga njëqind vende të tjera të botës. Kjo bashkësi shumetnike, duke nisur nga e shtuna e ardhshme, do të mund ta ndjekë Meshën Shenjte në 14 gjuhë të ndryshme. Ndërkaq qeveria miratoi ndërtimin e pesë kishave të tjera të krishtera, duke theksuar se Kisha është mbartëse e mesazheve pozitive për botën. Megjithatë bashkësia e krishterë në vend, vijon të rrezikohet nga sulmet e mundshme të fanatikëve islamikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.