2008-03-17 15:59:53

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(17.03.2008 RV)RealAudioMP3 17 mars: Bernoni i Klynì (Cluny), themeluesi i një manastiri të famshëm
Ka kaluar më se një shekull që kur banorët e veriut, vikingët, nisin të sulen valë– valë mbi trojet e frankëve, ku mbjellin dhunë e mort. Bernoni s’kërkon gjë tjetër, veç paqen: e di se pa paqe nuk mund të jetohet. Prandaj bëhet murg. Për ta përhapur paqen kudo. Në fillim shkon të jetojë në Otò (Autun), një qytet mrekullisht i bukur galo-romak. Por, me që qyteti po shpopullohej e klima ishte tepër e acartë, vendosi të transferohej në Zhinjì (Gigny) të Zhurà (Giura), ndërmjet pyjeve pa fund. Por edhe këtu bën tepër ftohtë e qielli është gjithnjë ngjyrë hiri. .. Atëherë lëviz rishtas e vendoset në zonën e Du (Doubs), të Boom (Bome). Së bashku me shokët e tij, njerëz jashtëzakonisht të ditur, që u bënë më pas të njohur në mbarë botën, nis të ndjekë rregullën e Shën Benediktit të Norçës, themeluesit të monakizmit të krishterë. E, si murgjërit benediktinë, i kalon ditët duke u lutur, duke punuar e duke shkruar tekste të vjetra. Shpëton kështu, së bashku me murgjërit e tjerë benediktinë, kulturën e lashtë në kuptimin më gjërë të kësaj fjale: nga kultura indiane e vedave – tek ajo egjiptiane, izraelite, greke e latine.
Në vitin 910, kur Bernoni e Gulielmi, Duka i Akuitanisë, i njohur me epitetin ‘i Përshpirtshmi’ takohen, e kuptojnë menjëherë se kanë shumë për t’i dhënë njëri-tjetrit. Gulielmi e ndjen veten mëkatar në kërkim të Zotit. Lutet e kryen vepra të përshpirtshme, që të meritojë faljen. Jo gjithnjë i ka respektuar parimet themelore të fesë së krishterë: atë të dashurisë për të afërmin e sidomos, për të varfërit. Tani përpiqet me gjithë shpirt të bëjë kthesë. Ka një vilë të lashtë romake jo larg Mako (Mâcon), në Klyniakum (Cluniacum), mbi brigjet e lumit Grron (Grosse), në një zonë tepër të njohur nga gjahtarët. Kjo pronë është vërtetë interesante, sepse nuk varet nga mbretëria e frankëve, që ndodhet në veri, por as nga ajo e gjermanëve, që ndodhet në lindje. Gulielmi ia fal Bernonit e, që të mos bjerë në duart e ipeshkvijve, të cilët mund të jenë edhe të padenjë, të dy vendosin ta venë nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të papës.
Me dymbëdhejtë shokë, të ardhur nga Boom (Baume), Bernoni nis ta pastrojë luginën. Nxjer blloqe gurësh nga malet gëlqerore për rreth e nis të ndërtojë kishën e manastirin.
Një natë shfryn një stuhi aq e tmerrshme, sa ka rrezik të marrë me vete gjithçka është ndërtuar. Bernoni i zgjon murgjërit e të gjithë gjunjëzohen në lutje. Shtrin krahët drejt qiellit e, papritmas, stuhia qetësohet. Por të nesërmen, më 13 janar të vitit 927, gjindet i vdekur në qelinë e vet.Për dy shekuj fama e shenjtërisë e Klynit përhapet kudo në botë. Nga Klyni varen njëmijë e dyqind kuvende e manastire me dhjetëmijë murgjër, të përhapur në gjithë botën perëndimore. Kisha e Klynit, me shtatëmbëdhjetë këmbanare (nga të cilat ka mbetur vetëm një) do të ishte më e madhja e të gjithë krishterimit. Do t’ia kalonte vetëm bazilika e Shën Pjetrit, disa shekuj më vonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.