2008-03-16 16:23:32

Benedikti XVI në të Dielën Larit: besimtarëve; ‘Larg nga mendjemadhësia’; Irakut: ‘Mjaft më me dhunë’; të rinjve: ‘Mirupafshim në Sidnei!’.


(16.03.2008 RV)Me procesionin dhe bekimin e palmave e të ullinjve, Papa nisi sot paradite ritet e hapjes së Javës së Madhe, kulm i gjithë vitit liturgjik.
Solemniteti përkon me Ditën Botërore të Rinisë, që u kremtua në nivel dioqezan, me temë: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi” (Vap. 1, 8), në sa sytë e Atit të Shenjtë e të rinisë botërore tashmë janë drejtuar nga Sidnei, ku do të takohen në korrikun e ardhshëm për Ditën Botërore të Rinisë në nivel ndërkombëtar.
Në homelinë e Meshës për të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit, Benedikti XVI kujtoi rrugën e Jezusit drejt Kryqit, që nga hyrja e tij në Jeruzalem, rrethuar nga turma brohoritëse. I ftoi besimtarët të heqin dorë nga mendjemadhësia, në se duan ta njohin vërtetë Hyjin. Jezusi - theksoi Papa – nuk vjen me shpatën e revolucionarit, por me dashurinë e atij që di të dojë aq, sa të japë edhe jetën. Së fundi, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar vdekjen tragjike të kryeipeshkvit kalde të Mosulit, imzot Rahhos, Benedikti XVI bëri një thirrje të fuqishme për Irakun: “Mjaft më me dhunë e me urrejtje!”.
Papa komentoi hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, në sa turma e brohoret si Birin e Davidit. Zoti arrin në tempull: “Po pikërisht atje, ku duhet të ishte hapësira e takimit të Hyjit me njeriun, Ai gjen tregtarët e bagëtive e kambistët, që shikojnë hesapet e tyre në vendin e lutjes. Është tremja e caktuar për paganët. Hyji i Izraelit, Hyji i të gjithë njerëzve – pohoi Papa – priste që edhe ata t’i luteshin, ta kërkonin, ta thërrisnin. Po ata e kanë mendjen te fitimi – i njohur ligjërisht nga autoritetet kompetente, që merrnin pjesën e tyre nga xhepi i tregtarëve. Tregtarët vepronin drejtë, sipas rendit të padrejtë e të korruptuar në fuqi – shpjegoi Papa e këtu u ndalua, për të bërë disa pyetje:
Gjithë kjo duhet të na bëjë edhe ne, të krishterëve, të mendojmë: a është feja jonë aq e pastër, sa duke u nisur prej saj, edhe ‘paganët’, njerëzit që sot janë në kërkim të Zotit e bëjnë një mori pyetjesh, të shikojnë në të dritën e të vetmit Hyj e të kthehen edhe ata në adhuronjës të Tij? A jemi të vetëdijshëm se etja për fitim e idhujtaria, prek edhe zemrën tonë e mënyrën tonë të jetesës? Thua nuk lejojmë, në mënyra të ndryshme, të na depërtojnë idhujt në botën e fesë sonë? A jemi të gatshëm ta lemë Zotin të na pastrojë vazhdimisht, duke na ndihmuar ta flakim tutje nga vetja e nga Kisha gjithçka është në kundështim me të?”.
Duke pastruar tempullin, Jezusi kumton se ka ardhur çasti, në të cilin adhuruesit e vërtetë, do ta adhurojnë Atin në shpirt e vërtetësi. Ka marrë fund koha kur njerëzit flijonin kafshë para Hyjit:
“Vendin e flijeve e të mblatave ushqimore, e zë korpi i Krishtit, ai Vetë. Vetëm dashuria deri në fund të fundit, vetëm dashuria që i dhurohet plotësisht Hyjit për njerëzit, është kulti i vërtetë, është flijimi i vërtetë! Të adhurosh në shpirt e në vërtetësi, do të thotë të adhurosh në bashkim me Atë, që është e vërteta; të adhurosh në bashkim me Korpin e tij, me të cilin na bën një Shpirti Shenjt”.
Njerëzit e shndërruan tempullin në shpellë hajdutësh. Por ashtu si gjithnjë, duke nisur nga rënia e Adamit – nënvizoi Benedikti XVI – dështimi i njerëzve shndërrohet në rast impenjimi edhe më të madh nga ana e Hyjit për t’i shpëtuar. Kështu Jezusi, i akuzuar se dëshiron ta shembë tempullin, po në atë vend, shëron të verbër e të çalë:
“Ai nuk vjen si shkatrrimtar; nuk vjen me shpatën e revolucionarit. Vjen me dhuratën e shërimit. U kushtohet atyre që, për shkak të gjymtimeve, lodhen nga jeta e flaken jashtë radhëve të shoqërisë. Jezusi u tregon se Hyji i do, se pushteti i tij është pushtet i dashurisë. E na tregon edhe ne se cili është kulti i drejtë i Hyjit: është shërimi, shërbimi, mirësia që e rikthen njeriun në jetë”.
Ndërmjet atyre që e brohorasin Jezusin si birin e Davidit, ka edhe fëmijë. E Jezusi u pati thënë dishepujve të vet se për të hyrë në mbretërinë e Hyjit, duhet të ribëheshin si fëmijët . Ai vetë, që rrok mbarë botën, u bë i vogël për të na shpëtuar, për të na dhënë dorën, për të na prirë në rrugën që çon drejt Hyjit:
Për ta njohur Hyjin, duhet të heqim dorë nga mendjemadhësia që na verbon, që na shtyn ta shohim Hyjin si të ishte konkurrenti ynë. Për të takuar Zotin, duhet të bëhemi të aftë të shikojmë jo me sytë e ballit, por me sytë e zemrës. Duhet të mësojmë për ta parë gjithçka me zemër rinore, që s’ njeh paragjykime e nuk verbohet nga interesat. Kështu, në të vegjlit, që e pranojnë Zotin me zemër të lirë e të hapur, Kisha shikon figurën e besimtarëve të të gjitha kohërave, shikon figurën e vet”.
Më pas Papa i lartoi Hyjit lutjen:
Së bashku me të rinjtë e botës mbarë, shkojmë drejt takimit me Jezusin. Ta lemë të na prijë drejt Hyjit, për të mësuar nga Hyji vetë si të bëhemi njerëz të vërtetë. Me Të e falënderojmë Hyjin, sepse me Jezusin, birin e Davidit, na dhuroi një hapësirë paqeje e pajtimi, që rrok mbarë botën. Ta lusim të bëhemi edhe ne, me Të e duke u nisur nga Ai, kasnecë të paqes së tij, që në shpirtin tonë e kudo rreth nesh, të rritet Mbretëria e Tij”.
përfundim të kremtimit, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI rikujtoi kryeipeshkvin e Mosulit të kaldejve, imzot Paulos Faraj Rahho, që vdiq tragjikisht pak ditë më parë, pas rrëmbimit më 29 shkurtin e kaluar:
“Dëshmia e tij e bukur e besnikërisë ndaj Krishtit, ndaj Kishës e popullit të tij të cilin, pavarësisht nga kërcënimet, nuk deshi ta braktiste, më nxit të lartoj një britmë të fuqishme: mjaft më me masakra, mjaft me dhunë, mjaft me mëri në Irak! E njëkohësisht t’ i bëj thirrje popullit irakian, i cili prej pesë vjetësh mbart pasojat e një lufte që ka shkaktuar përmbysjen e jetës së tij civile e shoqërore: i dashur popull irakian, çoje kokën lart e ji vetvetja, në radhë të parë rindërtues i jetës sate kombëtare! Qofshin pajtimi, falja, drejtësia e respekti i bashkëjetesës civile ndërmjte fiseve, etnive, grupeve fetare, rruga solidare e paqes në emër të Zotit”.
Së fundi Papa përshëndeti të rinjtë e shumtë, ardhur nga vende të ndryshme, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, duke i nxitur të jenë ‘dëshmitarë të Krishtit’ në botën mbarë dhe u la takim në Sidnei, në korrikun e ardhshëm:“Mirupafshim në Sidnei!”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.