2008-03-16 16:36:41

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(16.03.2008 RV)RealAudioMP3 16 mars: Gjoni VIII që lironte skllevërit e krishterë.
U shtri në krevat, por më kot. Vërtitet majtas e djathtas, pa mbyllur sy. E shoqja, Matilda, shtrirë përkrah tij, duket se ka rënë në gjumë të thellë. Karli nuk mund të durojë më. Krevati e tërbon. Flak tutje mbulesat, ngrihet në këmbë e vendos të dalë për të thithur pakëz ajër të freskët.
“Karl, s’ke gjumë” – e pyet ëmbëlsisht e shoqja.
“Mirë mua, që s’më zë e s’më zë gjumi, po s’paske fjetur as ti. E unë kujtoja se je në gjumë të parë” – i përgjigjet burri i shqetësuar.
“Jo, nuk po flija. Po i lutesha Zotit të na ndriçojë mendjet e zemrat” – përgjigjet me zë të përgjumur gruaja.
Nga gjoksi i Karlit, që është ulur rishtas buzë krevatit, shkëputet një psherëtimë e thellë. Ka shumë mundësi të mos jetë i vetmi që shqetësohet, pas Letrës që Papa Gjoni VIII ua ka drejtuar gjithë të krishterëve. Që kur e mori, atë paradite të vitit 873, nuk mund të mendojë për asgjë tjetër. Problemi i është ngulur si gozhdë në tru.
“Ç’mendon të bësh? “ – e pyet Matilda.
“ Nuk e di” – përgjigjet çiltërisht - “Jam mëdyshas”.
“Jemi të krishterë, Karl” - vijon Matilda - “duhet t’i përgjigjemi thirrjes së Papës e të bëjmë si na thotë. Nuk mund ta quajmë veten besnikë ndaj mësimeve të Kishës, të shkojmë në Meshë, ta marrim Krishtin në zemër e njëkohësisht të mbajmë një skllav të krishterë në shtëpi. Një njeri që punon për ne, pa pasur asnjë të drejtë. Edhe ai ishte i lirë, si ne, para se ta kapnin saraçenët, nga të cilët e blemë. Duhet t’ia rikthejmë lirinë”.
Karli brof në këmbë. Nis të sillet përsëri rreth e rrotull dhomës me krahët e kryqëzuar pas shpine.
“Sigurisht, e drejtë?” – pranon –“Gjoni VIII ka plotësisht të drejtë. Bëjmë mëkat në se vijojmë ta trajtojmë si skllav këtë të krishterë, që ka lindur i lirë. Por…”.
“Por, çfarë…?”.
“Jemi të mbytur në punë këtu” – zemërohet Karli - “Ti s’e di sa punë janë për t’u bërë . Po të mos jetë ai, si do t’ia dalim mbanesh të gjithave? Unë, ta them copë, s’i bëj dot i vetëm”.
“Mund ta lirojmë e t’i propozojmë të vijojë punën këtu ku është” – këshillon Matilda. - “Mos harro, na flet Zoti vetë përmes Letrës së Papës Gjoni VIII: na fton t’ia kthejmë lirinë këtij njeriu. Në se dëshiron të mbetet në shërbim tonë, duhet ta paguajmë”.Karli e dëgjon gruan në heshtje. Lutet. Pastaj, pa shkrepur mirë rrezja e parë, niset e e liron skllavin e krishterë, njeriun që e ka ende tepër të vështirë ta thërrasë vëlla!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.