2008-03-15 16:03:56

Shpërthim në një depo armësh në Shqipëri. Bilanci i rëndë.


(15.03.2008 RV)Nuk dihet akoma se sa persona kanë humbur jetën në Shqipëri, pas shpërthimit të depos së armëve në Gërdec afër Vorës. Akoma nuk dihet sa mund të jetë numri i saktë i viktimave. Kryeministria bën të ditur se në momentin e shpërthimit kanë qenë në punë 110 punonjës.
Gjithçka filloi nga mesdita e ditës së sotme, kur ushtarë shqiptarë dhe një ekip amerikan, i thirrur nga NATO, po bënin asgjësimin e municioneve të depos, sipas një plani të parashikuar nga qeveria. Papritur ka pasur një shpërthim, që është dëgjuar edhe në Durrës e Tiranë. Temperatura e lartë ka bërë që shpërthimet të vazhdonin zinxhir edhe më vonë. Makinat që ndodheshin në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Vorës kanë pësuar dëme. Xhamat janë thyer duke shkaktuar plagosjen e njerëzve që ndodheshin në to, ose pranë tyre. Për të mos folur për banorët e fshatit Gërdec, të cilët kanë pasur viktima e dëme të mëdha materiale. Sipas lajmeve të fundit zyrtare, numri i të plagosurve i ka kaluar 200. Ata kanë kërkuar ndihmë në spitalet e Durrësit, në spitalin ushtarak në Tiranë e në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, gjithnjë në Tiranë. Në rrezik për jetën janë një pjesë e vogël e të plagosurve, ndër të cilët një vajzë dy vjeçare, që është operuar për heqjen e dy plumbave.
Ka filluar gara e solidaritetit të qytetarëve, të cilët u janë përgjigjur në masë thirrjes për dhurimin e gjakut. Vendet fqinje, Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia, Franca dhe emigrantët shqiptarë kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bërë çdo gjë që t’u kërkohet në ndihmë të personave të përfshirë në aksidentin e rëndë. Vendet fqinjë kanë vënë në dispozicion qendrat e tyre për transfuzionin e gjakut dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të ndihmojnë shqiptarët. Ministri i jashtëm i Maqedonisë ka mbërritur menjëherë në Tiranë. Komisioni Evropian i shprehu ngushëllimet kryeministrit Sali Berisha. Nga Italia ka mbërritur në mbrëmje në Tiranë një ekip mjekësh i Mbrojtjes Civile.
Forcat e xhenios dhe të RENEA-s ndodhen në zonë për të stabilizuar gjendjen dhe për të gjetur personat që nuk dalin dot nga shtëpitë, apo që janë fshehur në tunelet e ushtrisë, që ndodhen jo larg fabrikës. Kjo e fundit është rrafshuar krejtësisht.
Presidenti i Dhomës italiane të Deputetëve, Fausto Bertninotti, pasi mori vesh lajmin dha një deklaratë, që vlen si reflektim për të gjithë. “Ka tragjedi në botën e sotme që e bëjnë të heshtin politikën dhe njerëzit. Vështirë të thuhet diçka e pranueshme dhe e arësyeshme para një tragjedie si kjo, por ajo na detyron të ngremë pikëpyetje mbi botën në të cilën jetojmë. Së paku kjo është një detyrë njerëzore, para se të jetë edhe politike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.