2008-03-15 19:49:20

Emocione e lutje në Roka di Papa për Kiarën Lubich


(15.03.2008 RV)Vijojnë, në Qendrën Ndërkombëtare të Lëvizjes së Fokolarëve, në Roka di Papa pranë Romës, homazhet për Kiarën Lubich, që vdiq në moshën 88 vjeçare. Salla e përmortshme, në qendër të së cilës është vendosur trupi i së ndjerës, rrethuar nga një kopsht i vërtetë me lule, do të jetë e hapur deri të martën e ardhshme, në orën 11. Pranë gruas, që me zjarrin e zemrës së saj ndezi një flakë të madhe ndërmjet miqve të saj, vatrorëve, është vendosur një figure e Zojë së Bekuar me Krishtin fëmijë, dhuratë e Papës Gjon Pali II.
Radhë të gjata njerëzish, personalitete të larta kishtare e politike dhe njerëz fare të thjeshtë, presin të bëjnë homazhe rreth trupit të Kiarës e cila, sipas dëshmisë së mjekut kurues, i mbarti me një durim shembullor dhimbjet e tmerrshme, të shkaktuara nga sëmundja dhe vdiq, ashtu si kishte jetuar: me sytë e ngulur tek Kryqi i Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.