2008-03-15 19:49:39

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(15.03.2008 RV)15 mars: Borisi i Bullgarisë i kundërvihet përdorimit të torturës.
Jemi në pallatin mbretëror bullgar, në vitin e hirit 886.
“Madhëri, më në fund e zumë një njeri të dyshimtë. Ka shumë mundësi të jetë pikërisht ai, që deshi t’ju zinte pritë. Do ta bëjmë të këndojë: dëshroni të jeni i pranishëm, kur ta torturojmë?”.
Mbreti i Bullgarisë, Borisi, i pasigurtë, përgjigjet: “Mos i prekni asnjë fije floku. Më lini të mendohem një herë. Kam marrë një letër nga Papa e.. e….”.
“Ç’ju paska shkruar Papa, që jeni shqetësuar kaq shumë?” – pyet i çuditur këshilltari i mbretit.
“Papa më shkruan se tortura është krejtësisht e padrejtë. Dëgjoni, po ju lexoj vetëm dy rreshta: “As ligji hyjnor e as ai njerëzor nuk mund ta pranojnë kurrsesi këtë praktikë. I akuzuari duhet ta tregojë vetë fajin e jo të torturohet për të folur. Në asnjë rast nuk duhet ushtruar dhuna. Njeriu duhet nxitur të flasë vullnetarisht”.
“Lartmadhëri, unë e respektoj shumë Papën Nikolla I. E di edhe se jeni duke u kthyer në fenë e krishterë e se së shpejti do të merrni sakramentin e Pagëzimit. E edhe unë do të pagëzohem menjëherë pas jush. Por, me sa duket, Papa sheh ëndrra me sy hapur. E përfytyroj krejt skenën kur, duke ndjekur mësimet e Papës, ulem pranë e pranë të burgosurit dhe i them ëmbëlsisht: ‘Miku im, ta çojmë nga një gotë, të njihemi më mirë e pastaj më thuaj, sinqerisht ama, je apo s’je fajtor!’ More zotëri, po kjo është krejtësisht qesharake!”.
“Natyrisht, këtë e di edhe vetë. Është shumë më vështirë ta bësh fajtorin të flasë pa e prekur fare me dorë, sesa duke e torturuar. Po Papa m’i hapi sytë, për ta parë këtë problem të mprehtë në një dritë të re. Me të drejtë vë në dukje se shpesh herë të akuzuarit janë të pafajshëm. Ç’vlerë kanë torturat në raste të tilla? Papa më drejton edhe pyetjen: “A nuk duhet të na vijë turp nga vetja, kur njerëzit e pafajshëm dalin nga burgjet me shenjat e pashlyeshme, që u kanë lënë mbi trup e mbi shpirt torturat? Me të vërtetë është për t’u turpëruar”.
“Bah, i ka zanati këto!”
“E keqja është se kur i torturon rëndë, disa njerëz janë gati të trillojnë gjithfarë krimesh, që as në ëndërr s’i kanë parë, le pastaj t’i kenë bërë. Në se i akuzuari, i mposhtur nga dhimbjet e tmerrshme, deklaron se është fajtor për një krim të cilin s’ e ka kryer, mbi kë – më thoni - bie faji për një padrejtësi të tillë? Më duket se bie e duhet të bjerë mbi kokën e atij që e ka detyruar të varfërin të bëjë dëshmi të rreme”.
“Atëherë, lartmadhëri, duhet t’ju brejë ndërgjegja, kur lexoni letrën e Papës, apo jo?”.
“Sigurisht. Papa më kujton përgjegjësitë e mia. Vërtetë tortura të ndihmon ta arrish pa shumë mundim qëllimin, por ama është plotësisht në kundërshtim me fenë e krishterë. Duhen përdorur metoda më të njerëzishme. Letra e Papës flet qartë. Në fund, shkruan: “Hiqni dorë, pra, nga metoda të tilla e dënojeni gjithçka keni bërë deri më sot, për shkak të padijes”. “Nuk është e lehtë, joooo, të bëhesh i krishterë” – shton Borisi, gjysmë i trishtuar e gjysëm i kënaqur. Vërtetë, feja e krishterë të shtyn t’i bësh vetes pyetje të vështira, që as nëpër mend nuk të kishin shkuar, para se të takoheshe me Krishtin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.