2008-03-14 18:40:23

Klimë mosbesimi në Jeruzalem


(14.03.2008 RV)Klimë mosbesimi në Jeruzalem ku u takuan delegatë të Izraelit dhe të Autoritetit Palestinez, me ndërmjetësimin e SHBA-ve. Mbledhja pati për qëllim rifillimin e rrugës së paqes, të përcaktuar nga administrata amerikane në vititn 2003. Minutin e fundit, hoqi dorë nga pjesëmarrja ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak. Ndërkaq, burime të shtypit kanë dhënë lajmin e një atentati kundër ministrit pa portofol, Meshulam Nahari, të zbuluar nga policia. Prita ishte organizuar nga një celulë e përbërë nga 9 palestinezë. Arrestimi i njërit prej tyre bëri që të zbulohej plani.

I kthehemi edhe një herë Këshillit të Evropës, i cili përveç Kosovës e Serbisë, pati në qendër të vëmendjes një projektrezolutë ku përballohen tema të vështira aktuale, si lufta kundër ndryshimeve të klimës e politika e re mbi energjinë. Mbi këtë aspektin e fundit, është nënshkruar një marrëveshje për të përcaktuar reformimin e sektorit brenda qershorit 2008. Në nivelin ekonomik, krerët e shteteve dhe të qeverive kërkuan që të ardhurat më të mëdha fiskale të përdoren për reduktimin e deficitit dhe të borxhit të vendeve anëtare. Gjithnjë në Bruksel, dje u arrit marrëveshja për lindjen e Bashkimit të Mesdheut, propozim ky i Francës dhe Gjermanisë. Të gjithë liderët evropianë u shprehën në favor të nevojës për promovimin e procesit të Barcelonës, i njohur edhe si Partneriteti euromesdhetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.